Një spilë e flamurit shqiptar e vendosur në jakën e xhaketës së deputetit Rijad Shaqiri, pjesë e partisë Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, ka provokuar kryeministrin Hristijan Mickocski. Ky i fundit dukshëm shprehu pakënaqësi për mosmbajtjen e simbolit të Maqedonisë së Veriut nga ana e deputetit në foltoren e Parlamentit, duke i thënë se nga ky shtet paguhet.
“Herën tjetër kur të vini në Kuvend, që përveç flamurit shqiptar, që është flamur etnik i popullit që i përkisni. Do ta keni dhe atë të Maqedonisë, sepse nga ky shtet merrni pagë”, i është drejtuar kryeministri deputetit Shaqiri.
Përgjigja nga ana e Rijad Shaqirit ishte e qartë. Spilën kuq e zi ia ka dhuruar kryeministri shqiptar Edi Rama dhe nëse të njëjtin gjest do të bënte dhe Mickocski, do ta vendoste në jakën e xhaketës me kënaqësi. Nga fjala e deputetit në foltore, Shaqiri shprehu me krenari se është shqiptar.
“Është fakt se unë e kam simbolin tim kombëtar, edhe mburrem se jam shqiptar. Këtë ma ka dhënë kryeministri i Shqipërisë, kur të ma sillni ju flamurin e Republikës së Maqedonisë, mbledhjen e radhës do të vij me të. Që jam shqiptar, krejt bota e di dhe për këtë jam krenar”, tha Shaqiri.
Në momentin që vijoji fjalën, kryeministri Mickocski i dhuroi spilën me flamurin e Maqedonisë, të cilin deputeti e vendosi menjëherë. Këtë moment vetë deputeti e evidentoi dhe një profilin e tij më media sociale, duke vënë theksin tek diskriminimi i shqiptarëve.
“Gjatë debatit të sotëm në seancën parlamentare, Kryeministrin e “provokoi” flamuri ynë kombëtar që e mbaja në sakon time – simboli i identitetit dhe dinjitetit tonë.
Por nuk e pengon urrejtja patologjike që shfaqet ndaj shqiptarëve në terrenet sportive. Nuk e pengon heshtja institucionale përballë thirrjeve dhe koreve me përmbajtje albanofobe.
Dhe mbi të gjitha, nuk dha asnjë përgjigje konkrete se si 5 ton kanabis kaluan kufirin e Maqedonia e Veriut pa u vërejtur.
Kur simboli kombëtar trajtohet si problem, ndërsa krimi dhe urrejtja relativizohen, atëherë kemi një devijim serioz të prioriteteve shtetërore. Shqiptarët nuk janë provokim – janë popull shtetformues dhe kërkojnë përgjegjësi, jo arsyetime”, shkruan Rijad Shaqiri në profilin e tij në facebook.











