Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë ishte e pranishme në një tryezë të organizuar për simulimin e menaxhimit të një krize kibernetike.
Ajo tha se në më pak se 2 vite, vihet re një ndryshim thelbësor nga Autoriteti Kombëtar Për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (ACESK) sa i takon mbrojtjes nga sulmet kibernetike.
Zv. kryeministrja theksoi se për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike, duhet që edhe bizneset private në secilën fushë të koordinohen me shtetin për zhvillimin e “mburojave kibernetike”.
Duhet pasur parasysh që kriza kibernetike, kërkon bashkëpunim të të gjithë sektorëve dhe shoqërisë. Ashtu si qeveria ka vendosur fokus të veçantë për zhvillimin e mburojave kibernetike, kështu duhet të jetë edhe procesi i bizneseve private në secilën fushë ku operojnë duke pasur koordinim. Korniza ligjore është e qartë”– tha Balluku.
Duke risjellë në vëmendje sulmet e vazhdueshme kibernetike me të cilat vendi ynë është përballur nga korriku i vitit 2022, Balluku tha se duhet t’i jepet besim i plotë strukturës së ACESK pasi kjo do të bëjë të mundur një mbrojtje kibernetike sa më efektive.
“Por do u kërkoja që t’I lehtësojmë punën ACESK-ut e di që qarkullon ideja se ACESK-u do futet në database. Por është e kundërta, ACESK është aty për të mbrojtur informacionet e secilit sektor. Siguria kibernetike nuk vë në rrezik as nuk komprometon asnjë prej proceset e institucioneve që do e përdorin. Trupa që funksionon brenda ACESK-ut është trupë që ka shkuar atje përmes një filtrimi të CV-ve dhe të eksperiencës. Duhet të kuptoni se jeni në duar të sigurta. Çdo process i ri fillimisht paragjykohet, por jam shumë e sigurt se të gjithë ju e dini se Shqipëria vazhdon të jetë në sulme të vijueshme. Nuk kemi pasur moment qetësie pas korrikut të 2022-it, por nuk dëgjohen më në publik sepse ne jemi të përgatitur. Ne jemi rafinuar, mburojat tona janë më të fuqishme. Mësojmë nga këto sulme, pasi e dini shumë mirë si është procesi i ngritjes së mburojave, dhe gjej rastin të falenderoj BE-në për mbështetjen e dhënë gjatë këtij procesi. Gjithashtu edhe SHBA-të që na janë gjendur pranë nga momenti i parë. Por është e rëndësishme të themi se kemi 2 partnerë që kanë kontribuar fuqishëm sa i takon ngritjes së kapaciteteve në sigurinë kibernetike, agjencia simotër e Izraelit dhe agjencia simotër e Emirateve të Bashkuara”- u shpreh Balluku në mbyllje të fjalës së saj./m.j