Sektori i mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar ka fituar kontratën më të madhe ndonjëherë për eksport anijesh lufte nga Norvegjia, duke mundur konkurrentët ndërkombëtarë, ndërsa Oslo dhe Londra po thellojnë lidhjet e tyre ushtarake përballë rritjes së agresionit rus në Arktik dhe Atlantikun verior.
Kontrata, që Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar tha se do të vlerësohet në 10 miliardë paund për ekonominë britanike, do të sjellë blerjen nga Norvegjia të së paku pesë fregatave britanike të tipit-26, të cilat do të ndërtohen kryesisht në Glasgow nga kompania “BAE Systems”, me dërgesat e para që priten në vitin 2030.
“Financial Times” shkruan se SHBA-të, Franca dhe Gjermania gjithashtu konkurronin për këtë kontratë, por kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre tha të dielën se partneriteti strategjik me Mbretërinë e Bashkuar ishte “vendimi i duhur”. Ai shtoi se kjo do të “forcojë aftësinë tonë dhe të NATO-s për të patrulluar dhe mbrojtur zonat detare në Veriun e Lartë”.
Ministria e Mbrojtjes tha se, sipas marrëveshjes, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia do të operojnë një “flotë të përbashkët” prej 13 fregatash kundër nëndetëseve, për të “zbuluar, klasifikuar, ndjekur dhe mposhtur nëndetëset armiqësore”.
Forcimi i aftësisë së Evropës për të kundërshtuar aktivitetin e nëndetëseve ruse në Atlantikun verior dhe Arktik ka qenë një nga fokuset kryesore për presidentin amerikan Donald Trump, i cili kërkon nga aleatët e NATO-s të forcojnë mbrojtjen rajonale.
“Me Norvegjinë, ne do të trajnojmë, operojmë, tërheqim, dhe nëse është e nevojshme, do të luftojmë bashkë,” tha sekretari britanik i mbrojtjes John Healey të dielën, duke shtuar se fregatat do të ndihmojnë “në gjuetinë e nëndetëseve ruse” dhe “mbrojtjen e infrastrukturës sonë kritike”. “Forcat tona detare do të veprojnë si një e tërë, duke udhëhequr në NATO,” tha Healey.
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer në një telefonatë me Støre tha se kjo kontratë do të çojë në një “ndarje të pa krahasueshëm të operimit ndërmjet forcave norvegjeze dhe britanike” dhe vjen para një marrëveshjeje të re të pritshme të mbrojtjes midis dy vendeve.
Në javën e fundit, forcat britanike, norvegjeze dhe amerikane, përfshirë avionët gjuajtës të nëndetëseve “Poseidon”, kanë qenë aktivë në Atlantikun verior në një operacion që raportohet se ka pasur si synim ndjekjen e së paku një nëndetëseje ruse.
Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se ky ishte një “operacion” dhe jo një ushtrim stërvitor, pa dhënë detaje të mëtejshme. Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar gjithashtu bashkëpunojnë për mbrojtjen e infrastrukturës kritike në Detin e Veriut, si tubacionet e gazit, ndërkonektorët elektrikë dhe kabllot e të dhënave nga sulmet hibride, një fushë që ka marrë më shumë rëndësi pas pushtimit rus të Ukrainës.
Kjo kontratë, më e madhja ndonjëherë për eksport anijesh lufte nga Mbretëria e Bashkuar sipas vlerës, pritet të japë një shtytje të madhe për industrinë e mbrojtjes, në një kohë kur qeveria e ka vendosur këtë sektor si kyç për planin e saj të rritjes ekonomike.
“BAE” gjithashtu ka licencuar dizajnin e Tipit-26 në Kanada dhe po ndërton anijet luftarake në Australi sipas një kontrate me Kanberën, ndërsa Partia Laburiste ka premtuar të rrisë shpenzimet për mbrojtjen në 3.5% të PBB-së deri në vitin 2035 nga 2.3% që ka qenë në 2024.
Healey tha se kontrata me Norvegjinë do të mbështesë 4 mijë vende pune në Mbretërinë e Bashkuar, me më shumë se gjysmën e tyre në Skoci, në kantieret detare të “BAE”-s në Glasgow.
Por një person i njohur me kontratën tha se ajo do të mbështeste vendet e punës ekzistuese në vend që të çonte në rritje të punësimeve. Charles Woodburn, shefi ekzekutiv i “BAE”-s, e përshëndeti kontratën si një shenjë të besimit të Norvegjisë në aftësinë e industrisë britanike për të përmbushur detyrat.
Një tjetër person i njohur me marrëveshjen tha se libri i porosive të “BAE”-s në kantierin detar të Glasgow-t është plot për vitet në vijim, me përfitime që priten edhe për kantieret e tjera detare që mund të marrin një pjesë më të madhe të porosive të ardhshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ndërkombëtare.
Ministria e Mbrojtjes shtoi se marrëveshja me Norvegjinë do të mbështesë 432 kompani në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa Norvegjia tha se dy vendet kanë një “marrëveshje draft” për bashkëpunim industrial britanik me industrinë norvegjeze, e cila është “e barabartë me vlerën totale të blerjes”./tvklan.al











