Partia Demokratike ka mbledhur sot rreth orës 11:00 Kuvendin Kombëtar. Kuvendi pritet të hapet nga nënkryetari Paloka e të mbyllet nga kryedemokrati Basha, ndërkohë që do dëgjohet edhe zëri i qytetarëve e problemet e tyre. Pritet të flasë një prej protestuesve në Kukës, një familjare që i është hequr ndihma ekonomike, si dhe një ish- i përndjekur.
Një prej zërave kritikë, Eduard Selami është i pranishëm në mbledhje, ndërsa Majlinda Bregu, Astrit Patozi, Ridvan Bode, Jozefina Topalli e Arben Imami do të mungojnë. Ata thonë se ky kuvend i demokratëve nuk do të sjellë asgjë të re, pasi nuk parashikohen diskutime për statutin.
NE KUVEND EDHE KRITIKE SI MUSTAFAJ E ALIZOTI
Në disa fotografi të LSA-së vihet re se të pranishëm janë edhe Besnik Mustafaj e Tomor Alizoti, dy kritikë të fortë të kryedemokratit Basha, por edhe Eduard Selami.
Alibeaj: Ndjesë për atë që nuk e bëmë për ish të përndjekurit
Kërkoj një ndjesë për atë çfarë nuk arritëm të bënim, për atë çfarë u premtuam edhe pse bëmë shumë, rehabilitimin shpirtëror të tyre. Zemërgjerësia e bujaria e tyre është ndoshta inspirimi shpirtëror politik që duhet të shoqërojë PD-në. Sot Shqipëria është në prag të rivendosjes së komunizmit. Shqiptarët kudo që janë, të përndjekur politik, ata që duan lirinë, ekonominë e tregut, duhet të gjejnë inspirimin e tyre politik te morali politik dhe ideologjia e djathtë.
Uran Kostreci, ish-i përndjekur: Kemi pritshmëri te PD
Ne që ishim burgjeve mezi e pritëm ardhjen e demokracisë. Bëmë aq sa mundëm për ta mbrojtur demokracinë. Për fatin e keq të të gjithë shqiptarëve, shumë elementë të demokracisë janë zbehur. Shqipëria është varfëruar, janë shtuar taksat, është shtuar arroganca. Ne kemi pritshmëri nga PD-ja që siç e bëri në 1992, do ti rivendosë të drejtat e liritë e shqiptarëve edhe një herë.
Grida Duma: Shqiptarët po na presin, 20 mijë familjeve iu hoq ndihma ekonimike
Shqiptarët po presin nga jo minimumin jetik. Historia e zonjës Lila është histori e të paktën 20 mijë familjeve shqiptare. ato kërkojnë minimumin jetik që vjen nga taksat tona. Nuk është mëshirë, është e drejtë. Morën si përgjigje maksimumin ironik. i thanë: nuk plotësoni kriteret e varfërisë, kjo është fytyra e vërtetë e kësaj qeverisje. Nuk ka dëm më të madh se sa të duash ti lësh njerëzit e kombit tënd në varfëri, për tua përdorur varfërinë për një ditë, ditën e votimit.
Mënyre Lila, i është hequr ndihma ekonomike: Dua t’i blej një lodër mbesës sime, por s’kam lekë
Ku ti gjej lekët unë t’i blej një lodër mbesës sime? Edhe ato pak lekë që merrnim nga ndihma ekonomike Rama na i hoqi. Bashkëshorti im është i papunë. Unë dua të punoj, kemi aplikuar në zyrën e punës, por askush nuk na punëson. Përgjigjja e vetme e tyre është heshtja. Ata nuk duan t’ia dinë se ne flemë pa u ushqyer.
Tabaku: Kemi mësuar nga gabimet tona
“Jemi të patundur në idenë dhe besimin tonë se pa biznesin e vogël, shoqëria jonë do të jetë më e varfër. PD i ofron bizneseve të vogla një mundësi për të shpëtuar nga ky arbitraritet. Taksat e ulëta mund të krijojnë një atmosferë më të mirë për biznesin në vend. Kemi gabuar nga gabimet tona. Kemi mësuar se si të ringrihemi për të krijuar një forcë më pranë problemeve të qytetarëve. Rruga nuk është emigrimi, rrugën duhet ta ndërtojmë ne bashkë, me Partinë Demokratike”, u shpreh Tabaku gjate punimeve ne Kuvendin e PD.
Noka: Kukësi u ngrit, tani të ngrihet e gjithë Shqipëria
Kukësi sot ka një shpresë dhe dritën e shpresës ata e ndezën jo vetëm për vete, por për gjithë Shqipërinë. Ky zjarr duhet mbajtur i ndezur, për të shembur murin e kleptokracisë që ka ngritur Rama. Kukësi me fisnikëri dhe krenari reagoi. Tani është koha që të reagojnë të gjithë shqiptarët. Dita e këtij regjimi po merr fund.
Lulzim Popa, protestues kuksian: Pashë që po ndërtohet trua, ne do ngrihemi prapë
Në 31 mars dolëm si gjithë kuksianët për të protestuar kundër taksës së rrugës së Kombit. Ne e kemi pritur me padurim të bëhet ajo rrugë. Shteti ka nevojë për taksa, por duhet të dijë sa mund të përballojmë ne. Dolëm, protestuam, por u provokuam. Në orën 2-3 të natës, shqyen dyert dhe hynë me maska e automatik. Hapën derën, vijnë brenda dhe sillen sikur kishin ndonjë kriminel. Mi vunë prangat në dorë, pa asnjë urdhër arresti u nisëm. i bëj thirrje Ramës, janë katër vëllezër kuksianë, të lirohen në vend. Do ngrihemi prapë nëse ai nuk vjen e diskuton me ne.
Belind Këlliçi: Mijëra të larguar nga Shqipëria
Tarifa e edukimit është rritur nga 2-5 herë, ndërsa varfëria është shtrirë kudo. Mijëra të rinj kanë ikur nga Shqipëria. Sot 50% e të rinjve shohin si alternativë të vetme emigrimin. Mbi 1 mijë infermierë dhe 600 mjekë kanë lënë Shqipërinë në 3 vitet e fundit. Fatkeqësisht mesa duket nuk paskemi parë asgjë akoma nga Edi Rama. Sot e kemi një zgjidhje, largimi i Ramës, nga Qeveria dhe mundësisht nga Shqipëria. Vetëm demokratët të bashkuar, janë e vetmja garanci për fitore.
Xhovana Bala, anëtarja më e re e Kuvendit Kombëtar: Largimi nga vendi nuk është rrugëzgjidhje
Sot për herë të parë marr pjesë në Kuvendin e PD. Jam e lumtur që do bëhem pjesë me votën time të nisjes së një procesi të ri në PD. Qeveria e sotme flet për popullin dhe vepron çdo ditë kundër tij. Shumë të rinj sot duan të largohen nga Shqipëria, por kjo nuk është zgjidhje.
Ngrihet komisioni i administrimit të votimit
Në nisje të punimeve të Kuvendit, nënkryetari i PD-së, Edi Paloka njoftoi se komisioni i votimit në Kuvendin Kombëtar do të drejtohet nga Jemin Gjana dhe anëtarë do të jenë edhe Albana Vokshi dhe Belind Këllici.
AXHENDA E PLOTË
1. Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka hap Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
2. Fato Murraj anëtarja më e moshuar në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
3. Lulzim Popa, një prej protestuesve në Kukës, i cili u arrestua nga policia e shtetit pasi kërkonte heqjen e tarifës për “’Rugën e Kombit”, bashkë me deputetin Flamur Noka në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
4. Mënyre Lila, familjare nga Kavaja, i është hequr ndihma ekonomike. Jeton pa të ardhura, me bashkëshortin, vajzën e divorcuar dhe mbesën me aftësi të kufizuara. Së bashku me deputeten Grida Duma, në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
5. Uran Kostreci, ish-i përndjekur, së bashku me deputetin Enkelejd Alibeaj, në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
6. Xhovana Bala, anëtarja më e re e Kuvendit Kombëtar, së bashku me kryetarin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.
7. Flet kryetari i PD, Lulzim Basha
8. Pas fjalimeve Arben Ristani, Sekretar i Përgjithshëm prezanton stautin e ri dhe pastaj nisin dikutimet mbi të.