Nga Mero Baze/
Ka nisur një fushatë denigruese ndaj deputetëve të opozitës, të cilët po pranojnë të marrin mandatet që u takojnë ligjërisht në Kuvend. Me ritmin e nisur LSI thuajse mund ta riplotësoj grupin parlamentar, ndërsa PD duket se po ashtu mund ta kaloj gjysmën.
Ky nuk është ndonjë bilanc që vlen për qeverinë. Nuk vlen as për të konsideruar të zgjidhur krizën politike në të cilën ka marrë zvarrë Sali Berisha opozitën. Por vlen shumë për të kuptuar, se si opozita e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, kanë gjashtë vite që nuk japin llogari askund, për atë që bëjnë, duke fajësuar për çdo humbje kundërshtarin. Njësoj siç sillen me humbjet në zgjedhje, ata po sillen dhe me humbjen e integritetit të listës së tyre në raport me Kuvendin.
Gjëja e parë që po bëjnë, është që po denigrojnë kandidatët si injorant, trafikant, të dënuar , budallenj , etj epitete dhe I thonë këto në kontekstin, sikur këta ua ka zgjedhur Edi Rama.
Së pari nuk besoj se janë kështu shumica. Disa prej tyre që njoh janë njerëz normal dhe ndonjëherë mbi nivelin e atyre idjotëve që Basha nxjerr në mitingje. Por nëse do ishte e vërtet kjo që thotë Basha në ofensivën e tij kundër tyre, kjo është një arsye që ai të ik nga drejtimi I PD dhe jo të konsideroj veten, si viktimë të listës së tij.
Ky rast tregon më së miri, se si ky njeri nuk pranon kurrë të marrë përgjegjësi për çfardo gjëje që bën, përfshi dhe listën që e ka mbrojtur me aq fanatizëm këto dy vjet.
Së dyti ka një pafytyrësi në trajtimin që u bën disa kryetarëve apo individëve të partive të vogla, apo ish deputetëve të partive të tjera, të futur në listat e Partisë Demokratike, duke I quajtur dhe ata tradhëtarë.
Për të gjithë ata që kanë harruar, pika më e fort e Lulzim Bashës ndaj kundërshtarëve brenda partisë, në kohën e çadrës, ishin pikërisht kryetarët e partive të vogla dhe individë të shquar të këtyre partive, që erreshin e gdhiheshin me të në çadër.
Duke mbajtur në krah një listë me mbi 10 kryetarë partish të vogla, përfshi dhe partitë joparlamentare, Lulzim Basha fuqizoi veten dhe flaku nga Partia Demokratike, gjithë kundërshtarët e vet, duke bërë aleancë me partitë e koalicionit. Ai I garantoi të gjithë aleatët se do ti fuste në listat e PD, vetëm që ata të mos e tradhëtonin tek çadra , që ishte projekti I tij politik. Dhe ata nuk e tradhëtuan.
Kur Lulzim Basha bëri listat në mesnatë, bazuar tek kontributet në llogarinë e Kunatit, natyrisht që i la shumicën e individëve dhe partive jashtë parlamentare në fund të listave, duke I tallur ata dhe duke i konsideruar mbushës topi. Ata I duheshin vetëm si fasadë në çadër, për të mos thënë që ishte braktisur nga emrat e njohur të partisë së vet.
Sapo mabroi punë me çadrën dhe bëri pazar me Edi Ramën, Lulzim Basha I flaku ata dhe me një cinizëm të pashoq, I ka futur në lista përtej numurit maksimal që ka parlamenti për një qark. Fjala vjen nëse në Tiranë, Lulzim Basha duhet të paraqiste 34 deputetë ka paraqitur 50 , duke u tallur me këta aleatë , disa prej të cilëve janë pas numurit 34 në listë.
Kështu ka bërë dhe në qarqe të tjera.
Ndërkohë votat e partisë së tyre, aq pak sa janë, kanë shkuar për Lulzim Bashën. Fasada e tyre në krah të tij në çadër, ishte një lëvizje makiaveliste për të eleminuar me fytyrat e tyre, emrat e njohur në PD.
Tani çfarë morali u kërkon këtyre kryetarëve apo indivdëve që ka futur në lista?
I përdori, I gënjeu, I poshtëroi dhe tani u thotë:- “Mos më shisni, siç u shita”.
Së fundmi ka dhe një keqkuptim të madh për rolin e atyre që po hyjnë në parlament. Ata nuk po hyjnë për të vazhduar rrugën e Lulzim Bashës. Luzlim Basha e ka marrë vendimin e tij politik bashkë me Kryemadhin dhe është e qart se e duan ekipin e tyre jashtë parlamentit. Kjo është kauza e tyre politike. Ata që hyjnë në parlament, janë bilanci I besueshmërisë, që Basha ka tek rradhët e veta, dhe jo ndonjë akt tradhëtie. Fakti që opozitës po I plotësohet lista në Kuvend, me një ritëm që e dëshpëron atë, do të thotë se aksioni politik I Luzlim Bashës, nuk ngjalli besim tek vet opozita.
Pas kësaj është e qart që ata nuk kanë më punë me Luzlim Bashën , por mund të ritakohen me një PD të re, pasi Lulzim Basha të marrë përgjegjësi për këtë masakër që po I bën asaj.
Ndaj nëse është dikush për tu denigruar për këtë që ndodh, nuk janë ata, por Lulzim Basha. Ai provoi dhe me këtë akt, se nuk e besojnë as ata që kanë kaluar nga duartë e kunatit të vet dhe jo ta besojnë të tjerët në rrugë. Kur të zgjidhet kjo papërgjegjësi e Bashës ndaj PD, mund të flitet për përgjegjësitë e tjerëve ndaj saj.