Policia Rrugore e Elbasanit ka ndërmarrë një aksion masiv dhe monitorim intensiv në të gjitha akset rrugore të qarkut, duke përdorur teknologjinë më të fundit si dronë, radarë dhe mjete inteligjente për të rritur sigurinë dhe për të parandaluar aksidentet me pasoja të rënda.
Gjatë muajit shkurt, fokusi kryesor i efektivëve ka qenë goditja e rasteve të drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit ose pa leje drejtimi, shkelje këto që konsiderohen si burimet parësore të rrezikut në rrugë, ku si rezultat i këtyre kontrolleve janë arrestuar në flagrancë 19 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 15 të tjerë.
Përveç këtyre shkeljeve, vëmendje u është kushtuar edhe detajeve të tjera që cenojnë sigurinë apo rregulloren rrugore, duke ndëshkuar 654 drejtues mjetesh për përdorim të celularit gjatë timonit, 365 raste për përdorim të alkoolit, si dhe 354 masa për xhama të zinj në kundërshtim me ligjin.
Kontrollet e rrepta kanë vijuar edhe për drejtuesit e motomjeteve ku janë regjistruar 324 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, ndërsa pjesa tjetër e penaliteteve lidhet me ndalime të gabuara dhe shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.











