Viti 2025 është mbyllur me më shumë se 1.6 miliardë euro investime të huaja direkte. Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vlera e investimeve është rritur me 55 milionë euro në raport me 2024-ën.
I pandryshuar mbetet sektori që po rrëmben miliona euro investime të huaja. Afro 561 milionë euro para të huaja janë përdorur për blerje pasurish të paluajtshme ose rreth 34% e totalit të investimeve të bëra vjet në Shqipëri. Në krahasim me vitin e kaluar investimet në sektorin e pasurive të paluajtshme u rritën me 182 milionë euro.
Për ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme, Shqipëria është ende një treg me leverdi për të huajt, pasi çmimet e pronave për ata janë të përballueshme. Ndërsa vala e blerjeve të apartamenteve nga shtetas jo rezidentë, po vijon të shtrenjtojë pronat në vend.
Tregu i pronave ndiqet pas nga aktivitetet financiare 291 milionë euro, më pas tregtia me pakicë dhe shumicë prej 162 milionë euro, ndjekur nga industria nxjerrëse me 161 milionë euro investime dhe më pas energjia elektrike që ka përfituar me 132 milionë euro.
Sa i takon hartës gjeografike se nga po vijnë investimet e huaja, referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë lista kryesohet nga Holanda, Italia, Kosova, Turqia dhe Austria me vlerën më të madhe të investimeve në Shqipëri.











