Më 3 mars, Orbán zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus Putin, e cila zyrtarisht u përqendrua në çështje energjetike. Por zhvillimet që pasuan treguan një dimension shumë më të gjerë politik.
Ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, udhëtoi drejt Moskës dhe u kthye me dy robër lufte të liruar, shtetas me dy nënshtetësi, ukrainase dhe hungareze. Ky veprim u interpretua si një gjest i drejtpërdrejtë mbështetjeje nga Kremlini për rizgjedhjen e Orbánit më 12 prill.
Raportimet sugjerojnë për një përfshirje më të thellë ruse nga ndihma në fushatë, te premtimet për energji të lirë dhe fushata dezinformimi kundër opozitës. Madje, shërbimi i inteligjencës së jashtme ruse ka sinjalizuar hapur preferencën e tij për Orbánin.
Por Orbán nuk po merr mbështetje vetëm nga lindja. Nga përtej Atlantikut, ai po gëzon një mbështetje po aq të dukshme.
Orbán po përfiton edhe nga mbështetja e kampit konservator amerikan. Senatori Marco Rubio e përshkroi marrëdhënien SHBA-Hungari si një “epokë të artë”, duke theksuar lidhjet personale mes Trump dhe Orbán.
Rrjetet konservatore amerikane janë bërë gjithnjë e më aktive brenda Hungarisë. Thuhet se konsulentët e fushatës po këshillojnë ekipin e Orbán, JD Vance pritet në Budapest përpara votimit dhe vetë Trump ka sinjalizuar mbështetjen e tij. Organizimi i fundit në Hungari i konferencës të së djathtës globale (CPAC) nënvizoi më tej aleancat transatlantike të Orbán.
Rrallë herë zgjedhjet në Evropën Qendrore dhe Lindore është parë një situatë ku Rusia dhe një pjesë e elitës politike amerikane mbështesin të njëjtin kandidat. Oreksi i fortë i Orbán-it për pengim brenda BE-së është tërheqës si për Putinin, për të cilin BE-ja është një armik që mbështet Ukrainën, ashtu edhe për Trumpin, i cili e konsideron si një rival.
Orbán ka nevojë për vëmendjen globale. Pas 16 vitesh në pushtet, fushatës së tij i mungojnë arritjet e brendshme për t’u shfaqur. Ajo është ndërtuar kryesisht mbi narrativat e politikës së jashtme. Ukraina, në veçanti, është riformuluar si një kërcënim ekzistencial për Hungarinë. Sloganet qeveritare sugjerojnë se Kievi kërkon të “kolonizojë” Hungarinë, një pretendim që bie ndesh me mesazhet e mëparshme qeveritare rreth Ukrainës si një shtet i dështuar.

Orbán e paraqet veten si “zgjedhja e sigurt”, udhëheqësi që mund të garantojë paqen përmes lidhjeve të tij me fuqitë e mëdha. Rivali i tij, Péter Magyar portretizohet si i paqëndrueshëm, pa përvojë dhe një kukull e Kievit, Berlinit dhe Brukselit.
Megjithatë, pavarësisht mbështetjes ndërkombëtare dhe fushatës informative orwelliane, strategjia, deri më tani, nuk duket se po funksionon. Sondazhet e besueshme sugjerojnë se Orbán është në prag të dështimit, me një hendek në rritje, deri në 15 pikë përqindjeje, midis partisë qeverisëse dhe opozitës. Edhe në sistemin zgjedhor të shtrembëruar të Hungarisë, ky është një deficit sondazhesh që do të jetë i vështirë për t’u kapërcyer. Sondazhet tregojnë gjithashtu se votuesit janë shumë më të shqetësuar për temat e brendshme (inflacioni, korrupsioni, kujdesi shëndetësor) në të cilat është përqendruar opozita sesa për betejat gjeopolitike për të cilat flet Orbán.
Mbështetja e jashtme, me sa duket, mund të jetë një shpatë me dy tehe. Mund të përforcojë imazhin e Orbán-it si një lojtar global, ppor njëkohësisht mund të krijojë dyshime tek votuesit për ndërhyrje të jashtme. Lufta në Iran është kontraverse në Hungari, duke ekspozuar tensionet brenda qeverisë për shkak të qëndrimit të saj të vetëshpallur “pro-paqes”. Në këtë kontekst, vizita e pritur e Vance vjen në një moment të ndjeshëm. Çdo gjë përveç një vizite të drejtpërdrejtë nga Trump, diçka që Orbán e ka shpresuar prej kohësh, mund të jetë e pamjaftueshme për të tërhequr votuesit e pavendosur drejt partisë së Orbán-it, Fidesz.
Qeveritë evropiane, të alarmuara gjithnjë e më shumë nga obstruksionizmi i Hungarisë brenda BE-së dhe NATO-s, kanë hyrë gjithashtu në lojë. Raportet e medias, shpesh duke cituar informacione nga shërbime të inteligjencës evropiane të paidentifikuara, kanë detajuar operacionet e dyshuara të ndikimit rus, praninë e operativëve të GRU-së (shërbimi i inteligjencës ushtarake të Rusisë) dhe madje edhe një komplot të dyshuar për një vrasje të inskenuar . Zbulime të tilla kanë një efekt të dyfishtë, ato informojnë publikun, por gjithashtu prishin operacionet e fshehta.
Është interesante se edhe mbështetësit më të fuqishëm të Orbán duket se kanë dyshime rreth perspektivave të tij. Raportimet e Washington Post sugjeruan se inteligjenca ruse kishte konsideruar masa drastike për të anuar votën në favor të Orbán pikërisht sepse kishin frikë se ai mund të humbiste. Trump, nga ana e tij, mund të ngurrojë të shpenzojë kapital politik duke ardhur në Budapest për të promovuar një kandidat që duket se është gati për humbje, pavarësisht ftesave të vazhdueshme të Orbán dhe aludimeve të mëparshme se presidenti i SHBA-ve do të fluturonte.
Në dy javët e mbetura, fushata mund të marrë kthesa ende më të errëta. Nuk përjashtohen kompromatet e rrjedhura që synojnë hungarezët, kërcënimet e intensifikuara të votuesve , dezinformimi në një shkallë të paparë dhe përpjekjet më agresive për blerjen e votave.
Në vend që të përsërisë një narrativë të vetme koherente, strategjia e komunikimit të qeverisë tani gjeneron një rrjedhë të pandërprerë mesazhesh kontradiktore, duke krijuar konfuzion dhe mbingarkesë informacioni, me sa duket në një përpjekje për t’i shtyrë votuesit drejt presidentit në detyrë si opsioni më i mirë në një botë kaosi.
Kjo i bën zgjedhjet të paprecedentë në BE, por gjithashtu e bën më të vështirë parashikimin e qëllimit të votuesve në javët e fundit, edhe nëse pjesëmarrja pritet të jetë më e lartë se kurrë më parë.
Që nga rënia e komunizmit dhe ardhja e zgjedhjeve të lira, nuk kemi parë një fushatë në Hungari kaq të mbushur me gënjeshtra, truke të pista dhe frikë. Por as rreziqet ndërkombëtare nuk kanë qenë kurrë më të larta, me Hungarinë që përballet me një vendim historik, të qëndrojë në Evropën demokratike ose të bashkohet me sferën e ndikimit të Rusisë. Hungaria është bërë një fushë beteje gjeopolitike.
/Opinion për The Guardian nga Péter Krekó











