Një ngjarje tronditëse është zbuluar në lindje të Francës, ku një burrë është vënë nën akuzë se mbajti djalin e tij 9-vjeçar të izoluar në një furgon që prej vitit 2024.
Sipas prokurorisë franceze, fëmija u gjet në gjendje të rënduar fizike pasi policia ndërhyri në një fshat të quajtur Hagenbach, pranë kufijve me Zvicrën dhe Gjermaninë. Alarmi u dha nga një fqinj, i cili raportoi se dëgjonte “zëra të një fëmije” që vinin nga një automjet i parkuar.
Forcat e rendit hapën me forcë furgonin të hënën, ku gjetën djalin të shtrirë në pozicion fetal, të zhveshur dhe të mbuluar me një batanije, mbi një grumbull mbeturinash dhe pranë mbetjeve fekale. Prokurori i çështjes, Nicolas Heitz, deklaroi se fëmija ishte i kequshqyer dhe nuk ishte më në gjendje të ecte për shkak të qëndrimit të zgjatur ulur.
Babai, 43 vjeç, u ka thënë autoriteteve se e kishte mbajtur të birin në automjet që nga nëntori i vitit 2024, duke pretenduar se vepronte për ta mbrojtur nga partnerja e tij, e cila sipas tij “donte ta dërgonte fëmijën në trajtim psikiatrik”.
Ndërkohë, familja jetonte në një apartament së bashku me dy vajza të tjera, motra 12-vjeçare dhe gjysmë-motra 10-vjeçare e djalit. Sipas raportimit të Le Parisien, fëmija ka deklaruar se babai i sillte ushqim dy herë në ditë dhe i linte shishe me ujë.
Ai gjithashtu ka treguar se detyrohej të urinonte në shishe plastike dhe të kryente nevojat personale në qese mbeturinash, ndërsa dushi i fundit ka qenë në fund të vitit 2024.
Babai ka pretenduar se partnerja e tij nuk ishte në dijeni të faktit që fëmija ndodhej në furgon. Megjithatë, autoritetet kanë ngritur akuza ndaj tij për “mbajtje të paligjshme dhe arbitrare të një të mituri”, si dhe për privim nga ushqimi dhe kujdesi mjekësor. Ai është lënë në paraburgim.
Partnerja e tij përballet gjithashtu me akuza për “mos denoncim të keqtrajtimit”, por është lënë e lirë me kusht.
Banorët e zonës kanë deklaruar se djali dukej se ishte zhdukur papritur në fund të vitit 2024, por kishin besuar shpjegimin e familjes se ai ishte vendosur në një institucion kujdesi. Disa fqinjë kanë raportuar se kishin dëgjuar herë pas here zhurma nga furgoni, por u ishte thënë se bëhej fjalë për një mace.











