Nën Kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua sot në Tiranë “Konferenca Vjetore Rajonale e Grave Parlamentare”.
Të pranishëm në aktivitetin e zhvilluar në Sallën e Seancës Plenare, ishin Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Florian Raunig, Ambasadorja e Holandës, Dewi van de Weerd, Koordinatori i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara Brian Williams, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, deputete nga Parlamentet e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Kroacisë, Turqisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë. Gjithashtu të pranishëm në aktivitet ishin përfaqësuese të Këshillit të Ministrave dhe kryetarë të Njësive të Qeverisjes Vendore dhe të shoqërisë civile.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit tha se është një privilegj i veçantë pjesëmarrja në këtë konferencë rajonale me një prani kaq domethënëse të grave parlamentare nga i gjithë rajoni ynë.
“Barazia gjinore është një sfidë, jo vetëm për vendet e rajonit tonë, por është edhe për shoqëritë më të zhvilluara. Asnjë vend në botë apo edhe në Evropë nuk mund të pretendojë se ka arritur një barazi të plotë gjinore në përfaqësimin politik, por edhe në mbrojtjen në mënyrë të plotë të barabartë e pa diskriminim të të drejtave të grave në shoqëritë respektive. Çështja e barazisë gjinore është tepër komplekse. Ne sot flasim kryesisht për përfaqësimin politik, por besoj se eliminimi i hendekut të përgjithshëm gjinor që ekziston në shoqërinë tonë kërkon një adresim më të gjerë, duke vlerësuar mjaft indikatorë, që kanë të bëjnë me arsimimin, që kanë të bëjnë me tregun e punës, me sistemin e pagave, me shëndetësinë dhe mjaft faktorë të tjerë social. Por besoj se të gjithë këta indikatorë mund të adresohen shumë më mirë, duke rritur përfaqësimin e grave në politikë dhe në vendimmarrje, si në atë qendrore ashtu edhe në atë vendore”, tha Meta.
Në vijim të fjalës së tij, Kryetari i Kuvendit tha se sipas Organizatës Botërore të Gruas, gjatë 20 viteve të fundit numri i grave parlamentare është rritur ndjeshëm në botë dhe padyshim edhe në vendin tonë janë bërë mjaft hapa domethënës përpara.
“Ne sot kemi 32 gra deputete. Kemi 3 komisione mjaft të rëndësishme që drejtohen nga zonja të nderuara, nga znj. Arta Dade që drejton Komisionin për Politikën e Jashtme; nga znj. Majlinda Bregu që drejton edhe Këshillin Kombëtar të Integrimit, përveç Komisionit për Integrimin, dhe nga znj. Vokshi që drejton një komision mjaft të rëndësishëm, atë të Çështjeve Sociale. Pa përmendur këtu shumë zonja të tjera të nderuara të cilat janë jashtëzakonisht aktive, duke drejtuar shumë nënkomisione, dhe në mënyrë të veçantë do të përshëndesja angazhimin e tyre për të drejtat e fëmijëve, që është një angazhim mjaft serioz dhe i vazhdueshëm”, – theksoi z. Meta, duke shtuar se ngjarja më pozitive gjatë kësaj legjislature për Kuvendin e Shqipërisë, që mund të konsiderohet edhe historike, jo thjesht në kuptimin simbolik, është krijimi i Aleancës së Grave Deputet.
“Mbi të gjitha do të thosha se ka arritur disa suksese të rëndësishme ku më i rëndësishmi, i dukshëm dhe që do të mbetet është pikërisht ndryshimi në Kodin Elektoral përsa i takon zgjedhjeve vendore ku u vendos që në listën për këshilltarët një në dy anëtar në mënyrë të njëpasnjëshme të detyrueshme të jetë patjetër grua. Kjo ka bërë të mund që në Këshillin e Bashkisë së Tiranës për herë të parë të kemi një shumicë gjinore në favor të grave dhe që është mjaft pozitive dhe kështu shpresojmë të jetë gjithë Shqipëria në zgjedhjet e tjera vendore”, – u shpreh Kryetari i Kuvendit.
Krahas kësaj, z. Meta tha se fuqizimi i gruas nuk është çështje përfaqësimi, por angazhimi i përbashkët i grave parlamentare ka sjell në vëmendje mjaft çështje të rëndësishme në shoqëri.
“Angazhimi i përbashkët i zonjave deputete këtu në Kuvendin e Shqipërisë pa dallim partiake, ka ndihmuar për të sjellë një plan të parë mjaft çështje të rëndësishme sociale të cilat shpesh eklipsohen për arsye të retorikës konfliktuale politike, për çështje shterpë do t’i quaja unë. Dhe kjo është njëkohësisht shumë e rëndësishme mendoj unë sepse lidh parlamentin me problemet reale të njerëzve, të grave, të fëmijëve, të familjeve, dhe e bën këtë lidhje jo në mënyrë partiake, por në një mënyrë shumë njerëzore duke i dhënë një dimension më njerëzor edhe vetë politikës, gjë për të cilën unë i falënderoj të gjitha zonjat deputete. Jo vetëm kaq, por edhe në drejtim të etikës, solidariteti i tyre shpeshherë ka qenë mjaft pozitiv dhe unë i inkurajoj që sa herë që shkelet etika në këtë Kuvend ato të reagojnë së bashku. Sepse kështu mbrojnë jo vetëm dinjitetin e njëra-tjetrës, por mendoj që mbrojnë edhe dinjitetin, etikën dhe standardin që duhet të përfaqësojë Parlamenti në raport me opinionin publik”,- nënvizoi z. Ilir Meta.
Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit u ndal edhe te reforma administrative-territoriale, duke e cilësuar si mjaft të rëndësishme për Shqipërinë. “Dhe kjo u shoqërua përveçse me përfaqësimin e jashtëzakonshëm të grave në këshillat e reja bashkiake, të cilat për herë të parë marrin realisht rolin e parlamenteve vendore, edhe me zgjedhjen e shumë zonjave të nderuare si kryebashkiake, duke drejtuar njësi shumë herë më të rëndësishme se në të kaluarën të qeverisjes vendore. Besoj se drejtimi i tyre me sukses për të cilën edhe duhet t’i mbështesim më shumë do të hapin rrugën që edhe në zgjedhjet e tjera roli i tyre në drejtimin e bashkive dhe të pushtetit vendor të fuqizohet akoma më tej. Njëkohësisht besoj se duke qenë se jemi në procesin e reformës zgjedhore, në prag të zgjedhjeve të ardhshme, të shtohet bashkëpunimi midis zonjave deputete këtu në Kuvendin e Shqipërisë, por jo vetëm atyre. Ne kemi edhe mjaft organizata të shoqërisë civile mjaft aktive, që merren me të drejtat e gruas, që merren me promovimin e barazisë gjinore, për luftën kundër diskriminimit me problemet e familjes, në mënyrë që të realizojmë një hop shumë më cilësor për përfaqësimin e gruas në Kuvendin e Shqipërisë”, – deklaroi Kryetari i Kuvendit.
Z. Meta gjithashtu shprehu bindjen se reforma që u bë për zgjedhjet vendore duhet bërë edhe për zgjedhjet parlamentare, duke vlerësuar mbështetjen e ndërkombëtarëve.
“Besoj se ka ardhur koha që ne atë hap që ndërmorëm në zgjedhjet vendore për përfaqësimin e grave ta ndërmarrim edhe në zgjedhjet parlamentare. Kjo mendoj që do t’i bëjë nder Kuvendit, jo thjesht do t’i japë një pamje të re, jo vetëm do t’i japë një imazh dhe një integritet të ri, por jam i bindur që do t’i japë edhe një përmbajtje të re shumë cilësore dhe ajo që është më e rëndësishmja, shumë më njerëzore dhe më sociale se sa deri tani. Dua t’iu siguroj për mbështetjen time si Kryetar i Kuvendit në të gjitha nismat tuaja, që synojnë rritjen e fuqizimit të gruas, jo thjesht të rolit të saj në Kuvend dhe në vendimmarrje, por në gjithë shoqërinë tonë, për të mbështetur të gjitha iniciativat për përmirësimin e legjislacionit në këtë drejtim”, – u shpreh Kryetari i Kuvendit.
Ndërsa drejtuesja e konferencës, znj. Arta Dade në fjalën e saj shprehu bindjen forcimi i rolit të gruas në politikë sjell një përmirësim të jetës për vetë qytetarët pasi dinte të shmangin konfliktet politike.
“Angazhimi ynë politik nuk është vetëm tregues i realizimit tonë vetjak, por ai merr kuptim kur vihet në shërbim të shoqërisë e komuniteteve tona, kur ne bëhemi katalizatorë bashkëpunimi përtej politikes partiake të ditës për angazhime të përbashkëta në dobi të njerëzve, por edhe përtej vendeve tona në bashkëpunime dypalëshe apo rajonale. Gjithashtu, edhe në strukturat globale në linjë me angazhimet e konventat që vendet tona kanë nënshkruar e ratifikuar për të krijuar mundësi jo vetëm ligjore për një pjesëmarrje më të madhe, më të spikatur e cilësore të grave e vajzave në jetën politike e publike, por edhe shanse të barabarta për të gjitha zonjat që vendosin të nisin një karrierë politike. Gratë në parlament dinë si të bëjnë aleanca e të dëgjojnë me vëmendje përfaqësues të segmenteve të shoqërisë e komuniteteve për më shumë drejtësi sociale e shanse te barabarta për qytetaret, për më shumë zgjidhje të ngërçeve politike përmes kompromiseve”,- tha znj. Dade.
Në fjalën e tij, ambasadori i prezencës së OSBE-së në Tiranë, z. Florian Rauning theksoi se fuqizimin i gruas do të sjell një zhvillim të shoqërisë shqiptare duke vlerësuar nismën e ndërmarrë nga Kuvendi për ngritjen e Aleancës së Grave Deputete. “Kam kënaqësinë që shoh një numër kaq të madh deputetesh nga Ballkani deri në Turqi. Në OSBE ne besojmë me pasion në rëndësinë e pjesëmarrjen e grave në jetën politike dhe publike. Ka pasur progres për pjesëmarrjen e grave në jetën publike. Megjithatë është ende larg objektivi i barazisë gjinore. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prej kohës e ka inkujaruar përfaqësimin e grave dhe forcimin e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike dhe ka pasur shumë suksese. 8 nga 21 anëtaret e qeverisë së Shqipëri dhe 32 nga 140 deputet janë femra. Në 2013 aleanca e grave parlamentare u ringrit me ndihmën e OSBE-së. Aleanca është një model i veprimeve ndërpartiake që ndihmon për të fuqizuar gratë ekonomikisht dhe politikisht. Anëtaret e Aleancës kanë vërtetuar që gratë jo vetëm që mund të kenë zërin e tyre si politikane, por mund të jenë edhe efikase, udhëheqëse shumë të respektuara dhe të ngushtojnë hendeqet politike”, – u shpreh z. Rauning.
Koordinatori i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Tiranë, z. Brian Williams duke folur gjatë konferencës deklaroi se Shqipëria ka pasur një zgjerim të përfaqësimit të grave në politikë. “Promovimi i udhëheqëseve femra është vendimtare, jo vetëm në Shqipëri dhe në rajon për të tërë globin. Pjesëmarrja e barabartë dhe e qenësishme e grave në jetën publike dhe politike, siç tha edhe parafolësi, është thelbësore për nj demokraci funksionale. Beteja për fuqizimin e grave ka nj histori të gjatë dhe nga perspektiva e OKB-së. Fuqizimi i grave mund të përshpejtohet dhe pjesëmarrja e tyre është thelbësore për arritjen e 17 objektivave për zhvillimin e qëndrueshëm qoftë në fushën e ekonomisë, në barazinë gjinore, në shteti ne të drejtës apo në fushën e mjedisit. Edhe pse progresi ka qenë konsistent, ka qenë i ngadaltë. Në Shqipëria ka pasur një zgjerim të përfaqësimit të grave në politikë. Ka një kuotë 30% në Kod që është miratuar dhe ka një avokati të fuqishme nga të gjithë partnerët dhe falë këtij bashkëpunimi janë arritur këto rezultate”, – tha z. Williams.
Sakaq, Nënkryetarja e Kuvendit znj. Valentina Leskaj çmoi nismën e ndërmarrë, duke shtuar se gratë mund të luaj një rol të rëndësishëm në demokratizimin e partive politike. “E çmoj nismën si për temën, dimensionin e për kohën. Vjen në kohë jemi një vit para zgjedhjeve parlamentare kemi nevojë për një vlerësim të çfarë kemi bërë e përcaktimin e disa piketave, na jep mundësi të ndajmë eksperiencat e rritim bashkëpunimin në rajon. Hapja e partive politike ndaj grave dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile ka qenë një tjetër faktor shumë pozitiv. Si rrjedhojë në Parlament ka një rritje të ndjeshme të numrit të grave deputete ajo që vlen të theksohet është se prirja e rritjes ka qenë e qëndrueshme. Në dekadën e fundit, ky numër është më shumë se trefishuar nga 6.4 % (9 gra) në 2005, në 16.4% (23) ne 2009 në 22.14% (31) në 2013. Natyrisht që çështja e rolit të grave në vendimmarrje nuk është thjesht çështje numrash, ndryshe prezenca e tyre do ishte përdoruese. Sfida jonë e parë, është të krijojmë një qëndrueshmëri të arritjeve për gratë në vendimmarrje dhe të avancojmë progresin e bërë. Unë besoj se gratë mund të luajnë rol të rëndësishëm në demokratizimin e vet partive politike. Ndërkohë që kontributi i grave në politikë duhet parë jo vetëm si një e drejtë po si nevojë e shoqërisë për kontributin e tyre”,- tha znj. Leskaj.
Ndërsa, Kryetarja e Aleancës së Grave Deputete, znj. Mesila Doda theksoi se bashkëpunimi që kanë dëshmuar gratë nga parlamentet e rajonit në këtë konferencë janë një shembull i mirë për të kaluar të gjitha ndasitë politike që ka Parlamenti i Shqipërisë. “Kemi diskutuar për qasje të ndryshme nga deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, por edhe nga zonjat e ftuara nga Parlamenti i Serbisë, Turqisë, Prishtinës, Maqedonisë dhe secila prej tyre ka sjell sfidat që ka patur, problemet që ka kaluar dhe mënyrën se si e ka konceptuar të bërit politikë. Jam e lumtur të them që janë mendime që tejkalojnë seriozitetin dhe të burrave shtetarë nga më të mirët që kam parë në këtë seancë plenare. Dhe jam e lumtur të them diçka tjetër, kjo seancë plenare është një model për atë që zhvillohet çdo të enjte në Parlamentin e Shqipërisë, që janë malet me baltë që palët i hedhin njëri-tjetrit. Për mua ky i sotmi është jo vetëm një model i bashkëpunimit të grave të cilat shumë herë kanë probleme shumë të vështira siç ishin edhe rastet e parlamenteve të Kosovës, Serbisë, Maqedonisë. Por tejkalohen ndasitë dhe armiqësitë e shumë viteve, e pra në këtë parlament nuk kemi arritur t’i kalojmë ndarjet tona si shqiptarë, të majtë dhe të djathtë dhe vazhdojmë të godasim me topa balte pafund njëri tjetrin”, – tha ndër të tjerash znj. Mesila Doda.
Deputetja e LSI-së, znj. Monika Kryemadhi theksoi se përparimi i një shteti lidhet me fuqizimin gruas. “Është një nga çështjet më të rëndësishme debatuara në botën ku jetojmë. Kushtet e trajtimit të figurës së gruas kanë pësuar ndryshime të dukshme në harkun e viteve duke u bindur edhe faktorëve që lidhen me zhvillimin social të një populli me faktorët gjeografik, historik dhe kombëtar. Ajo që ne kemi mësuar gjatë të gjithë kësaj kohe në takimet me gratë është se një vend mund të përparojë, përsa i përket nëse gruaja është e përparuar. Një vend mund të përparojë nëse gruaja është e arsimuar, nëse gruaja është e edukuar, e punësuar dhe e fortë ekonomikisht. E drejta e gruas për të qenë e përfaqësuar denjësisht në shoqëri është thelbësore për zhvillimin e kësaj shoqërie dhe të gjithë ne kemi përgjegjësitë tona për ndërtimin dhe vizionin e një familjeje të madhe, të mirë, për secilin nga vendet tona përkatëse”, – tha znj. Kryemadhi.