Me rastin e përgatitjeve për 400-vjetorin e themelimit të Propaganda Fides, pranë Universitetit Papnor Urban të Romës u zhvillua Kuvendi albanologjik “L’Albania nell’Archivio di Propaganda Fide”/”Shqipëria në Arkivin Propaganda Fide”, organizuar me iniciativë të Ardian Ndrecës, Profesor i filozofisë pranë këtij Universiteti.
Kongregacioni Propaganda Fide (sot Kongregacioni për Evangjelizimin e Popujve) nis me Letrën e Papës Gregori XV Inscrutabili Divinae (22/06/1622), fill pas së cilës u themelua Kongregacioni si mision i Kishës për të çuar fjalën e Zotit në të gjithë botën.
Në 1626 u themelua tipografia historikë e Propagandës, e quajtur “Polyglotta”, një nga më të përparuarat për epokën, e aftë të shtypte libra në të gjitha gjuhët ku ekzistonin misione katolike.
Në 1627 Papa Urbani VIII themeloi Ateneun Papnor “Propaganda Fide”, ku kanë studiuar në shekuj të rinjtë që vinin nga vendet e misioneve. Qysh nga fillimi Propaganda ka pranuar seminaristë nga Shqipëria, dhe për shekuj me rradhë ka qenë nxitëse e përhapjes dhe ruajtjes së fesë së Krishterë në Dalmaci dhe në Ballkan.
Veç detyrës për përhapjen e fesë, misionarët e Propagandës ndihmuan popullin shqiptar në shekujt e pushtimit turk për të mbajtur gjallë identitetin e tyre kombëtar dhe përkatësinë perëndimore.
Në Arkivin Historik të Propaganda Fide-s ruhen dokumenta të çmuara që dëshmojnë aktivitetin e kishës katolike në Shqipëri, mjaft të nevojshme si burime parësore dhe të drejtpërdrejta për historiografinë shqiptare.
Mes figurave të shquara të kombit shqiptar, prej atyre që studiuan në Ateneun e Propagandës do të përmenden Frang Bardhi, Pjetër Bogdani.
Në kolanat e tipografisë “Polyglotta” kanë dalë në shekuj vepra themelore për historinë, gjuhën dhe letërsinë shqiptare, si : Fjalori Latinisht-shqip (Dictionarum latino-epiroticum 1635) i F. Bardhit, botimi i dytë i “Doktrinës së Krishterë” të Budit (Dottrina Christiana, 1636), Këshilli i Arbnit (Concilim Albanum, 1706), “Vëzhgime gramatikore në gjuhën shqipe” të Da Leçes (Osservazioni Grammaticali nella lingua albanese, 1716).
Prof. Alberto Trevisol, Rektor i Universitetit, pasi përshëndeti pjesmarrësit dhe autoritetet Arqipeshkvin e Shkodrës Imzot Massafra, kryetaren e bashkisë së Shkodres dhe autoritetet qeveritare të pranishme në sallë, theksoi lidhjen domethënënëse shpirtërore të universitetit me Shqipërinë nëpërmjet pranisë së një sërë figurash që studiuan dhe u kthyen në Shqipëri për të kryer misionin e tyre, një pjesë e të cilëve u martirizuan. Duke e vënë universitetin jo vetëm në rolin e objektit por dhe të subjektit të Propagandës për shekuj, ai theksoi se rëndësia e rindërtimit të kujtesës historike mbi këto figura është e dyfishtë, si për krijimin e një identiteti të kujtesës, për shqiptarët, ashtu dhe për përvijimin e dinamizmit të misionit, për universitetin.
Koordinatori, Prof. Ardian Ndreca, para fillimit të punimeve shpalli qëllimin e organizuesve për ta lidhur përmasën dhe tipologjinë e këtij Kuvendi me traditën e studimeve të Justin Rrotës, Injac Zamputti-t, Peter Bartl-it, të Konferencave të Koliqit kur drejtonte Institutin e Studimeve shqiptare në Romës, traditë për fat të keq e humbur këto dhjetvjeçarët e fundit në jetën akademike të albanologjisë. Gjithashtu, theksoi Ndreca, ky kuvend do t’i shërbejë nxitjes së interesit për kërkimet burimore arkivore siç është ai i Propaganda Fide-s i cili ruan një material të jashtëzakonshëm në fondin e tij për Shqipërinë, i dyti për nga madhësia pas fondit të Kinës.
Gjashtë seksione të ngjeshura shpalosën para dëgjuesve (në gjuhën italiane dhe me përkthim simultan në gjuhën shqipe) rezultatet kërkimore nëpër arkiva dhe biblioteka të Romës dhe Italisë, të 14 studiuesve dhe akademikëve në fusha të ndryshme të cilët rindëruan segmente të rëndësishmë të historisë kulturore dhe gjuhësore të shqiptarëve nga shekulli XVI deri në shekullin XX.
Kumtesat me prerje historike hapën dritare interesante informimi mbi historinë kulturore shqiptare rindërtuar nëpërmjet përditshmërisë së jetës së klerit, përshkruar në relacionet, letrat që ata dërgonin nga Ballkani drejt Romës: studiuesi Italo Sarro që hapi seksionin e parë, foli për “Veprën misionare të Propaganda Fide-s në Shqipërinë e shekujve XVII-XVIII”; Peter Bartl i universitetit të Mynihut për “Dioqezën e Pulatit në shekujt e pushtimit turk sipas relacioneve ekleziastike”.
Zëvendës rektori i Universitetit, Prof. Lorella Congiunti i dorëzoi prof Bardhyl Demirajt të Universitetit të Munihut Medaljen e Artë që Universiteti Urbanian iVatikanit i dha Prof. Peter Bartl-it për kontributin pesëdhjetëvjeçar në studimeve arkivore për Shqipërinë.
Shkalla e intensitetit të veprimit dhe të qëndresës së Kongregacionit dhe detaje të rëndësishme në fragmente të caktuara historike vijnë prej kumtesave të ndryshme: të studiueses Lucia Nadin, Venezia, me titull “Letrat e Ipeshkv Pjetër Bogdani drejtuar Proveditoratit të Seernisima-s dhe Propaganda Fide-s; të studimit të thelluar të teksteve të dy “Këshillave” të Arbnit (Concilium Albanum Secundum, 1871; Concilium Albanum Tertium, 1895 në kumtesën e Dr. Marian Palokës me titull “Reforma e jetës së krishterë në Shqipëri nëpërmjet Këshillit të Dytë (1871) dhe Këshillit Të tretë (1895)”; analizës së detajuar të historisë së misionit në shekullin XIX në kumtesën prof. Ardian Ndrecës me titull “Historia kishtare e Shqipërisë së shekullit XIX në letërkëmbimin emisionarëve françeskanë”; në përshkrimin e shkallëve të delegjitimimit të kishës katolike gjatë komunizmit, në kumtesën e Prof. Roberto Morozzo della Rocca, të Universitetit “Roma Tre”, me titull “Kisha katolike në Shqipëri gjatë viteve të Enver Hoxhës”.
Konteksti shqiptar i periudhës së pushtimit turk u zgjerua në këndvështrim ballkanik dhe më gjerë në kumtesat e prof. Marco Jačov të Universitetit të Salentos me titull “Lindja e Kongregacionit të Shenjtë Propaganda Fide (1598-99) në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare të epokës”, të prof. Marco Moroni, të Universitetint Politeknik në Marke, me titull “Propaganda Fide, Kolegji Ilirik dhe Shqipëria në shekujt XVII-XVIII”.
Pjesa tjetër e studimeve bartën, veç kontekstit historiko-kulturor, të dhëna më specifikisht filologjike dhe gjuhësore: prof Bardhyl Demiraj i”L.M.U. Munchen”, në kumtesën me titull “Enciklika (letra përbotnore) “Inter omnigenas” e Papës Benedikti XIV (2 shkurt 1744) dhe pasojat e saj në provincat kishtare të Shqipërisë dhe Serbisë”; Prof. Matteo Mandala i Universitetit të Palermos në kumtesën me titull “Arkivat kishtare dhe kujtesa historiko-kulturore e Arbëreshëve. Një bilanc i tridhjetë viteve kërkime”; Prof. Evalda Paci e Q.S.A Tiranë në kumtesën “Doktrina e Krishterë e Belarminos në një veersion të At Gualiatës, të urdhërit Jezuit”; prof. Blerina Suta e Universitetit të Elbasanit në kumtesën “Roli themelor i bibliotekave dhe arkivave ekleziastike për filologjinë shqiptare: rasti i “Doktrinës së Krishterë” të Budit; Prof. Monica Genesin e Universitetit të Salentos dhe Joachim Matzinger i Universitetit të Salzburgut në kumtesën “Propaganda Fide dhe botimi i teksteve ne shqipen antike”, Prof. Gëzim Gurga i Universitetit të Palermos në kumtesën “Vepra e Françesko Maria da Leçes në dritën e të dhënave të Arkivit Propaganda Fide”.
Me interes të veçantë u prit zbulimi i bërë prej Blerina Sutës e cila paraqiti një ekzemplar të panjohur të Doktrinës së Krishterë të Budit të 1618 e cila ndryshon prej kopjes së njohur të Bibliotekës së Vatikanit me një fashikull editorial. Falë këtij zbulimi vihen në dispozicion të historianëve të gjuhës 24 faqe krejt të reja materiali gjuhësor të variantit gegë të shqipes së fillimit të shekullit XVII.
Në pushimet midis Seksioneve u shfaq Mostra e artit të shenjtë “Fede e pittura in Lin Delija (1926-1994), si dhe u bë promovimi i dy librave të botuar nga “Biblioteka Françeskane” e Shkodres, “Kontribut për historinë kishtare të Shqipnisë së Epërme shek. XVII-XIX” të historianit Italo Sarro, si dhe “Kuvendi II (1871) dhe Kuvendi III i Arbnit (1895), Botim anastatik.
Aktiviteti u mbyll me një koncert nga kuarteti për flaut dhe harqe me artistët Jozefina Negri, (flaut); Elvin Dhimitri (violinë); Ilo Kanani (violë); Valentino Maria Ferraro (violonçel) të cilët sollën një program me muzikë të Mozart, Pjetër Gaci, J. S. Bach, P. Martin Gjoka.
Në përfundim të punimeve u lexua një dokument, për përmbajtjen e të cilit ranë dakord të gjithë pjesëmarrësit, drejtuar qeverisë shqiptare dhe në veçanti Kryeministrit Edi Rama, në të cilin, pasi i bëhet me dije rezultati shkencor i Kuvendit, i propozohet hapja e një institucioni kulturor në Romë, që të jetë baza e koordinimit të studimeve historiko-albanologjike në arkivat dhe bibliotekat e Italisë dhe Vatikanit. Rezultatet e këtyre kërkimeve janë të domosdoshme për rindërtimin, nëpërmjet burimeve të para, të historisë identitare të shqiptarëve.
Miranda Kola