Për herë të parë është zhvilluar pranë ambienteve të Hotel Tirana, konferenca e nivelit të lartë për reformimin e inspektimeve në Ballkanin Perëndimor, sipas standardeve të Bashkimit Evropian. E organizuar nga Inspektorati Qendror i Shqipërisë. Të pranishëm ishin drejtues të inspektorateve qendrore nga Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Së bashku me stafet e tyre. Po ashtu, Drejtues të Bankës Botërore, të BERZH, të USAID; si edhe drejtues të dhomave të tregtisë dhe industrisë të huaja dhe vendase.
Konferenca është hapur me mbajtjen e një minutë heshtje në nderim të viktimave nga tërmeti i 26 nëntorit. Ekspertë të delegacionit të BE-së që punojnë pranë qeverisë shqiptare për reformën e inspektimeve.
Drejtuesi i Inspektoratit Qendror, Shkëlqim Hajdari, theksoi teknologjinë e lartë dhe ndryshimet rrënjësore që ka pësuar procesi i inspektimit. Duke mundësuar veprimtari më të lehtë të bizneseve të ndershme, sigurimin e konkurrencës, uljen e korrupsionit dhe barrierave administrative.
“Pas 6 muaj përgatitjesh Inspektorati Qendror mbledh nivelet më të larta teknike dhe profesionale të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar, shkëmbyer përvojat më të mira në fushën e enteve rregullatore dhe posaçërisht inspektimit. Inspektoratet të mos kujtojnë se janë ato që kanë në dorë jetën e biznesit dhe nëpërmjet veprimeve korruptive të shkatërrojnë biznesin e ndershëm në Shqipëri. Jam munduar ta kryej deri më tani këtë detyrë duke qenë në mes, nga njëra anë duke ec me reformën e inspektorateve dhe nga ana tjetër duke mbështetur biznesin e ndershëm dhe duke bashkëpunuar me të, me qëllim që nëpërmjet trupave të inspektimit jo të rritet barra e biznesit por të ulet barra ndaj tij. Trupat e inspektimit nuk mund të vazhdonin të ishin barrë ndaj biznesit, duke i shkuar ditën e natën pa asnjë lloj procedure. Duke i hyrë kur gjenin derën mbyllur nga dritarja, duke bërë korrupsion të hapur, duke goditur biznesin e ndershëm dhe duke mbajtur në lojë atë të pandershëm. Sot situata ka ndryshuar, kryerja e inspektimeve mbi bazën e analizës së riskut me dokumente standarde, me check-lista me tableta, pranë biznesit me njoftim paraprak, me sistem GPS dhe me kamera, ka gjetur përkrahjen e biznesit të ndershëm, ka ulur korrupsionin dhe i ka formalizuar inspektoratet shtetërore”, tha ai.
Pjesë e konferencës po ashtu ishte edhe ish-zëvendëse kryeministrja Senida Mesi. E cila ka udhëhequr reformën e institucioneve të varësisë. Përfshirë edhe atë që ka të bëjë me fushën e inspektimeve.
“Së bashku me z.Hajdari dhe me ekspertë të fushës dhe me pjesën e biznesit ne kemi qëndruar shumë herë në tryeza, për të përcaktuar cili do të ishte një model që do i përshtatej më së miri Shqipërisë, legjislacionit në fuqi, por edhe nevojave të biznesit. Ne arritëm të krijonim një model i cili në një farë mënyre kishte një funksion matricor nëse mund ta quaj kështu, ku inspektimi duhet të jetë në 7 linja kryesore. Pra të grupohet sipas funksionalitetit, ku nga njëra anë strategjitë, misionin dhe orientimin për standardin duhet t’i marrë nga Ministria e linjës, por nga ana tjetër për të implementuar edhe parimin e famshëm të kontrollit dyfish, ne të kishim monitorimin, kontrollin e procesit, pra mënyra se si bëhet inspektimi nga Inspektorati i Përgjithshëm. Reforma e parë që u punua me Inspektoratin e Përgjithshëm ishte pikërisht rishikimi i metodologjisë së inspektimit, duke filluar nga inspektimi online. Detyrim për të gjithë inspektorët dhe inspektoratet që kur të shkoni në biznes të plotësoni direkt online inspektimin, përmirësimi i check-listave, ku një pjesë e tyre u dakordësua që të ishte e përgjithshme për të gjithë bizneset”, tha ajo.
Në konferencë ishin të ftuar edhe disa nga drejtuesit më të lartë të institucioneve evropiane. Si inspektori i përgjithshëm i administratës publike franceze, Jean Pierre Dalle. Përfaqësuesi i OECD, Florentin Blank., etj. Si edhe ekspertë të delegacionit të BE-së që punojnë pranë qeverisë shqiptare për reformën e inspektimeve.
Inspektori i Përgjithshëm i Administratës në Republikën Franceze, Jean Pierre Dalle:
“Prej dy vjetësh, Inspektorati i Përgjithshëm i Administratës Publike Franceze, bashkëpunon me Inspektoratin Qendror të Rep. Shqipërisë. Shumë specialistë tanë kanë ardhur në Tiranë dhe janë përfshirë në diskutime, studime. Dhe ka dhënë asistencë për reformën në fushën e inspektimeve dhe jemi të kënaqur që reforma online është në majat evropiane, praktika më e mirë. Reforma duhet të vazhdoj me përmirësime ligjore. Që të sigurojnë organizim eficent të inspektorateve, ndërtimin e sistemit të rekrutimit, karrierës dhe profesionalizmit. Me qëllim që inspektimi të jetë i ndershëm, i drejtë, parandalues, të ulë korrupsionin dhe barrën ndaj biznesit të ndershëm”.
Përfaqësuesi i OECD-së, Florentin Blank u shpreh se:
“OECD, është përfshirë dhe ka dhënë asistencën e saj në reformën e inspektorateve, nëpërmjet ekspertëve të saj. Jemi shumë të kënaqur me inspektimet online, por reforma duhet të vazhdojë për ngritjen e strukturave inspektuese, profesionale, të pavarura, të pa ndikuara nga politika”.
Ndërsa Presidentja e Këshillit të Inspektorateve të Maqedonisë së Veriut, Magdalena Filipovska Graskoska, vlerësoi punën e Inspektoratit Qendror të Shqipërisë.
“Kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Inspektoratin Qendror të Shqipërisë prej 1 viti dhe po punojmë që këtë reformë ta implementojmë në vendin tonë”.
Drejtori për Reformën e Inspektimit në Serbi, Dragan Pusara tha:
“Arritjet e Inspektoratit Qendror të Shqipërisë, na gëzojnë dhe na e lehtësojnë punën, për të bërë dhe ne një reformë në Serbi, sipas standardeve të BE-së”.
Drejtori i Administratës Federale për Çështjet e Inspektimit, Republika e Bosnje Hercegovinës, Anis AJDINOVIĆ:
“Jam i surprizuar nga reforma që ka Inspektorati Qendror i Shqipërisë, për sa i përket kryerjes së inspektimeve, bazuar në metodologjinë e analizës së riskut, me dokumente standarde dhe check lista( listë verifikimi). Me tableta të inkorporuar brenda tyre sistemin e GPS dhe video-kamera, online. Që nga fillimi i procesit të inspektimit dhe deri te përfundimi. Ju siguroj të nderuar pjesëmarrës se kjo teknologji e kryerjes së inspektimit nuk është e implementuar në asnjë vend të Ballkanit Perëndimor dhe në asnjë nga vendet anëtare të BE-së”.
Pjesë e konferencës ishin edhe përfaqësues të biznesit dhe tregtisë, vendas por edhe nga vende të rajonit. Ku si rrallë herë i gjithë Ballkani Perëndimor u ul në një tryezë të përbashkët.
Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Ines Mucostepa u shpreh:
“Ky model inspektimi ka përmirësuar ndjeshëm klimën e biznesit duke ulur barrierat administrative, si dhe duke minimizuar nivelin e lartë të korrupsionit në vendin tonë. Këtë përvojë do të donim ta sugjeronim pikërisht edhe për implementim në vendet e tjera të Ballkanit. Kjo konferencë sot duhet të ndihmojë në unifikimin e procedurave inspektuese sipas këtij modeli: Rritjen e ndërveprimit midis vendeve tona, përmirësimin, formalizimin e klimës në ekonomi, uljen e barrierave administrative dhe korrupsionin në vendet e Ballkanit. Më lejoni të vlerësoj edhe iniciativën e themelimit të shoqatës së inspektorëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Jam e bindur që kjo shoqatë do të jetë një organizim i ri, me veprim të drejtpërdrejtë edhe në përmirësimin e klimës të të bërit biznes në rajon”.
Kryetari i Forumit të Përbashkët të Prodhuesve Shqiptarë, Nagib Fejzi:
“Organizmi i kësaj konference ballkanike të nivelit të lartë e çon në një nivel më të lartë bashkëpunimin e ngushtë rajonal, duke unifikuar procedurat ligjore teknike të inspektimit sipas standardeve të Komunitetit Evropian. Janë për t’u vlerësuar standardet e ngritura nga Inspektorati Qendror i Republikës së Shqipërisë. Kjo konferencë ka pikërisht qëllimin e reformimit të inspektimeve në Ballkanin Perëndimor sipas standardeve të BE-së. Duke bërë të mundur formalizimin e ekonomive të vendeve tona dhe lëvizjes së lirë të mallrave brenda këtij rajoni. Duke lehtësuar kështu edhe barrierat që sipërmarrësit hasin në ushtrimin e aktiviteteve të tyre eksportuese”.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka:
“Është momenti i duhur që ne të ulemi në tryezë jo vetëm për të diskutuar me njëri-tjetrin, por edhe për të hartuar një platformë të përbashkët. Unë ndjehem prapë i lumtur që në fund të axhendës shohim që inspektoratet do bëjnë edhe do krijojnë shoqatën e tyre, që do jetë edhe një organizim që mundëson dhe stimulon komunikimin dhe implementimin e metodave më të mira të implementuara në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor”.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha:
“Tregjet e hapura mes shteteve të Ballkanit Perëndimor do të sjellin mirëqenie të qëndrueshme ekonomike në vendet e lartpërmendura. Për ta arritur këtë duhet që të ndërmarrim hapa konkretë rreth realizimeve të synimeve që i kemi të përbashkëta për t’u kyçur në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye duhet të jemi unik, të jemi në komunikim dhe bashkëpunim të shpeshtë që të mund të identifikojmë problemet dhe ngecjet e shumta, të cilat mund të ndodhin gjatë eksportit dhe të gjejmë mënyra të reja dhe efikase për t’i minimizuar apo eliminuar ato. Shpresoj që kjo konference do të japë mesazhin e vet në qeveritë tona, të cilat duhet të jenë edhe ata që në fund të japin mundësinë që këto institucione të modernizohen dhe ne si biznese të kemi qarkullim sa më të shpejtë dhe më të lirë të produkteve tona”.
Presidenti i ‘Biznes Albania’, Luan Bregasi përfundoi fjalën duke thënë që:
“Ne e kemi mbështetur si sipërmarrje iniciativën e inspektoratit shtetëror për të bërë reformën e inspektoratit. Të gjitha inspektoratet që janë këtu dhe shoh shumë inspektorë këtu kanë ndryshuar, sepse kanë ndryshuar këta vetë që ka ndryshuar trupat e inspektimit. Kanë reflektuar në ndërmarrje kur vijnë për kontrolle d.m.th nuk vijnë më si policë, si xhandarë por vijnë si njerëz që komunikojnë me biznesin, që paraqesin planin e kontrollit, që i lënë një afat 1 mujor apo 2 javor sipas rregullit. Edhe për të bërë ndonjë vetërregullim siç e ka sot ligji p.sh i Tatimeve etj”.