Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku dhe ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel, janë shprehur të vendosur për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Izraelit. Në takimin e tyre të enjten në Tiranë, dy ministrat diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë pushtetin vendor dhe zhvillimin ekonomik.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri Mazniku solli në fokus marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe hebrenjve, të cilat kanë një histori të gjatë dhe të veçantë, që kulmon gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur mijëra hebrenj gjetën strehim dhe mbrojtje në Shqipëri.
“Me krenari diskutuam për këtë histori të përbashkët me ministrin e Brendshëm të Izraelit, Moshe Arbel, në vizitën e tij në Shqipëri. Gjithashtu, folëm për mundësinë e bashkëpunimit në rrafshin e pushtetit vendor, si dhe për të shkëmbyer eksperiencat midis qyteteve tona në fusha ekonomike,” theksoi ministri Mazniku.
Marrëdhëniet Shqipëri-Izrael po forcohen gjithnjë e më shumë në aspektin ekonomik dhe jo vetëm. Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Izraelit shtrihet në shumë fusha, duke nisur nga buqësia, energjia, inovacioni, kultura etj.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte një nga vendet e pakta që ofroi strehim për hebrenjtë, duke i mbrojtur ata nga persekutimi nazist. Kjo trashëgimi e mikpritjes dhe mbështetjes ka vazhduar të forcohet me kalimin e viteve, duke krijuar një bazë të fortë për bashkëpunim në të gjitha fushat.
/a.r