Kryeministrja britanike, Theresa Maj u akuzua sot se po përpiqet tu servirë informacione të pasakta parlamentarëve mbi marrëveshjen e Brexit, duke refuzuar fillimisht publikimin e një qëndrimi ligjor pasi mund të çonte në kundërshtimin ndaj tekstit.
Gjatë seancës së pyetjeve drejtuar qeverisë, Ian Blackford, deputet i partisë Nacionaliste skoceze tha se kryeministrja po kërkon të fshehë faktet dhe të mashtronte Dhomën e Komunëve duke kundërshtuar publikimin e qëndrimit të përpiluar nga Prokurori i Përgjithshëm, Geoffrey Cox (Ministri përgjegjës për këshillimin ligjor të qeverisë) në lidhje me përmbajtjen e marrëveshjes.
Një ditë më parë deputetët dhanë verdiktin e tyre me 311 vota pro dhe 293 vota kundër, pasi sipas tyre qeveria kishte shpërfillur rolin e parlamentit duke botuar një përmbledhje të qëndrimit, në vend të versionit të plotë që ata kërkonin.
Qeveria më në fund publikoi sot versionin e plotë. Geoffrey Cox thekson në këtë dokument se për arritjen e një marrëveshje të re që përcakton marrëdhënien e ardhshme midis Britanisë së Madhe dhe BE-së, Londra mund ti nënshtrohet raundeve shumë të gjatë dhe të vazhdueshme të bisedimeve.
Ai paralajmëroi mbi faktin se dispozitat specifike për Irlandën e Veriut, të cilat parashikojnë një standartizim rregullator të krahinës me BE-në për të shmangur një kufi fizik me Republikën e Irlandës, mund të zgjasin pafundësisht në pritje të përfundimeve të marrëveshjes së re.
Këto dispozita, të përcaktuara si “rrjeti i sigurisë” ushqejnë pakënaqësinë e deputetëve euroskeptikë, të cilët kërkojnë një shkëputje të plotë me BE-në, dhe partisë DUP të Irlandës së Veriut aleate me ekzekutivin e cila refuzon çdo trajtim specifik për Irlandën e Veriut, duke e konsideruar si një cënim ndaj integritetit të Britanisë së Madhe.
/A.Rada