Provimet e Maturës Shtetërore 2019 nisin zyrtarisht me datën 7 qershor. Në këtë datë është planifikuar të zhvillohet provimi i parë i detyruar që i përket lëndës së gjuhës së huaj. Provimet e detyruara do të vijojnë më tej me lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë përkatësisht në datën 12 qershor, për të përfunduar në datën 17 qershor me testin e lëndës së matematikës.
Ndryshe nga sa ka ndodhur në maturat e shkuara, për 2019-n, maturantët do të japin vetëm një provim me zgjedhje, i cili do të zhvillohet në datën 24 qershor. Çka do të thotë se maturantët e vitit të ardhshëm do të japin vetëm katër provime, nga pesë që ka qenë deri në maturën e këtij viti.
Dy ditë më parë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka miratuar dy udhëzimet përkatëse me datat dhe rregullat se si do të zhvillohen provimet e detyruara dhe ai me zgjedhje për shkollat e mesme të përgjithshme dhe ato profesionale përgjatë 2019-s. Çdo maturant që fiton provimet e detyruara dhe atë me zgjedhje pajiset me diplomën e maturë, e cila është vendimtare për të qenë pjesë e garës për studimet e larta, si në institucionet e arsimit të lartë publik, ashtu dhe në ato private.
Organizimi i provimeve
Sipas kushteve të përcaktuara, provimet e detyruara dhe provimi me zgjedhje do të fillojnë në orën 10:00. Për plotësimin e testeve maturantët do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta. Testet e provimeve të detyruara dhe atij me zgjedhje do të administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit.
Një tjetër ndryshim që do të pasojë maturën e ardhshme është edhe skema e vlerësimit me pikë të secilit provim. Dikasteri i Arsimit ka përcaktuar se testi i secilit provim, qoftë ky i detyruar, apo me zgjedhje do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë.
Institucionet arsimore vendore që janë përgjegjëse për arsimin parauniversitar do të marrin nga shkollat listat e maturantëve mbetës të vitit shkollor dhe brenda datës 5 qershor duhet që t’i pasqyrojnë ato në sistemin elektronik “matura online”, sipas udhëzimit përkatës.
Më pas drejtoritë e shkollave duhet të informojnë mbetësit që të mos paraqiten në ditët e përcaktuara për zhvillimin e provimeve. Gjithashtu, është vendosur edhe për grafikun e konsultimeve që mësuesit e secilës lëndë duhet të zhvillojuni me nxënësit e tyre.
Struktura e testit të gjuhës së huaj
Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Teza e provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm përkatës.
Gjuha e huaj si provim i detyruar përzgjidhet gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z. Kandidatët e maturave 2014-2018 që kanë rezultuar mbetës në këtë provim, duhet që ta japin atë sërish.
Ndërsa kandidatët e maturave para 2014 që aplikojnë me A1Z nuk do të rijpain më provimin e detyruar të gjuhës së huaj. Po sipas udhëzimit, testi i provimit gjuhë dhe letërsi italiane për seksionet 2-gjuheshe shqiptaro-italiane do të përgatitet nga dikasteri italian i arsimit, dhe provimi do të zhvillohet në datën 24 maj në ambientet e shkollave përkatëse.
Testi i provimit të të detyruar të gjuhës frënge për seksionet 2-gjuheshe shqiptaro-frënge do hartohet nga Ambasada Franceze dhe provimi do të zhvillohet po në datën 24 maj.
Tërheqja testeve
Në udhëzim saktësohet se tërheqja e testeve të provimeve do të bëhet sipas një grafiku të përcaktuar nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit. Përfaqësuesit e postës do të tërheqin materialet e provimit një ditë para datës së përcaktuara për secilën lëndë. Materialet paketohen për secilën qendër më vete.
Rregullat për maturantët e viteve të shkuara
Autoritetet e MASR bëjnë me dije se kandidatët që janë pajisur me Dëftesë Pjekurie përpara vitit 2011, dhe që dëshirojnë të aplikojnë për studime në institucionet e arsimit të lartë do t’u njihen provimet e detyruara dhe me zgjedhje, ose provimet e njëvlershme me to, të njehsuara nga njësitë arsimore vendore përkatëse.
Këta kandidatë në rastet kur nuk kanë dhënë provime me zgjedhje, ose i kanë dhënë dhe nuk kanë rezultuar kalues, kanë të drejtë të japin një provim me zgjedhje vetëm në rastet kur e kanë të nevojshme për plotësimin e kritereve të pranimit të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë.
Ndërsa për kandidatët të cilët në maturat e viteve 2013-2018 kanë zgjedhur për të dhënë dy provime me zgjedhje, udhëzimi saktëson se kur kanë: “Mbetur në dy provime, në Maturën e 2019-s, do të japin vetëm një provim me zgjedhje të përcaktuar në listën e lëndëve të miratuara”. Më tej bëhet e ditur se për rastet kur rezultojnë kalues në një prej tyre, do të pajisen me diplomë të maturës, çka do të thotë se nuk janë të detyruar që të japin më provime me zgjedhje.
Po sipas udhëzimit, kandidatët që në Maturën Shtetërore 2013 kanë zgjedhur për të dhënë tre provime me zgjedhje dhe kanë mbetur në dy, ose tre, në maturën e vitit që vjen duhet të japin si provim me zgjedhje vetëm një lëndë, të cilën do të përcaktojnë nga lista e miratuar. Në rastet kur rezultojnë kalues në 2, ose më shumë prej tyre do të pajisen direkt me diplomën e Maturës, duke mos qenë më të detyruar për të dhënë provim tjetër me zgjedhje.
Penalizimet
Maturanti/kandidati përjashtohet nga provimi kur: “Ndryshon vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë të tjerë, kur bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, kur mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, si dhe kur refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit”.
Po sipas rregullores maturantit nuk i njihet rezultati nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED, si dhe në rastet kur është marrë masa e përjashtimit nga provimi.
Provimet e Maturës 2019 do zhvillohen në këto data:
- Testi i gjuhës së huaj (D3) do të zhvillohet më 7 qershor.
- Testi i gjuhës shqipe dhe letërsisë (D1) do të zhvillohet me 12 qershor.
- Testi i matematikës (D2) do të zhvillohet në datën 17 qershor.
- Testet e i provimit me zgjedhje do të zhvillohet me 24 qershor.
Lista e lëndëve për provimin me zgjedhje përfshin:
- Kimi
- Fizikë
- Biologji
- Histori
- Gjeografi
- Qytetari dhe Psikologji
- Filozofi dhe Sociologji
- Ekonomi
- Histori Baleti
- Histori Arti
- Histori Muzike
Udhëzimi i Maturës Shtetërore për shkollat profesionale
Për shkollat profesionale shtohet edhe provimi i detyruar i Teorisë Profesionale të Integruar që do të zhvillohet sipas drejtimit, apo profilit që maturanti ka ndjekur në shkollën e mesme. Ky provim do të zhvillohet në datën 24 qershor.
Në total janë 35 drejtimet në të cilat do të zhvillohet ky provim për këtë kategori maturantësh, listën e të cilave e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Kandidati që rezulton mbetës në një nga provimet e detyruara të maturës profesionale duhet që ta rijapë atë sërish në vjeshtë që më pas të pajiset me diplomën përkatëse të maturës.
Për kandidatët e 2013-2016 bëhet e ditur se kur kanë dhënë Teorinë Profesionale të Integruar dhe kanë rezultuar kalues do të pajisen me diplomën e maturës, pavarësisht faktit nëse kanë qenë kalues në një, apo dy provime të tjera me zgjedhje. Në rastet kur kandidati ka zgjedhur Teorinë Profesionale të Integruar dhe ka rezultuar mbetës duhet që ta rijapë atë sërish në maturën e 2019-s, pavarësisht rezultateve që mund të ketë marrë në provimet me zgjedhje.
Ndërsa në rastet kur ka zgjedhur dy, apo tre lëndë ku nuk përfshihet Teoria Profesionale e Integruar duhet që në maturën e 2019 të rijapë provimin e kësaj lënde pavarësisht rezultateve të marra në provimet e tjera me zgjedhje që ka dhënë. Ndërsa kandidatët që kanë marrë dëftese pjekurie para 2011 dhe duan të aplikojnë për pranimet në shkollat e larta u njihen provimet e detyruara, si dhe ai i teorisë.
a.cupaj