Mashtrimi me kreditë e buta, si shpëtuan nga hetimi Noka, Ksera e zyrtarë të tjerë
Shtatë zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë shtetërorë i kanë shpëtuar ndjekjes penale nga prokuroria, për çështjen e marrjes së kredive të buta. Njësia Task Forcë po verifikonte procedurat e marrjes së kredive të rreth 150 shtetarëve, pas një denoncimi të Ministrisë së Zhvillimit Urban. Hetimet konstatuan se nga lista e dorëzuar në prokurori vetëm 7 praktika marrje kredish ishin me probleme, kryesisht të disa ministrave, deputetëve apo zyrtarëve të tjerë. Megjithatë, mësohet se zyrtarët në fjalë, përfshirë Flamur Nokën, Visho Ajazin, Oerd Bylykbashin apo Brikena Kasmi, i kthyen kreditë në tregtare, që përkthehet se paguan diferencat e interesave. Kështu, nëse këta zyrtarë i kishin marrë kreditë me 0-3%, kanë shkuar pranë bankave në fjalë dhe i kanë kthyer në kredi të zakonshme, duke paguar aktualisht një interes që shkon nga 5-7%.
Hetimet për këtë çështje kanë filluar prej gati dy vitesh, pas një auditi të Ministrisë së Zhvillimit Urban. Më pas erdhi kallëzimi penal në prokurori, për institucionet apo personat që kanë përfituar kredi të buta. Një listë prej 150 personash u dorëzua në prokurori, ndërsa hetuesit kanë verifikuar rastet një e nga një. Përfituesit kanë qenë që nga Visho Ajazi i SHISH-it e deri te deputeti apo ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, apo edhe zyrtarë të tjerë të lartë, që dyshohet se kanë pasur edhe prona të tjera. Ministria kërkonte nga prokuroria të hetonte se si zyrtarë të lartë, nga ministra, deputetë dhe gjyqtarë apo prokurorë, kanë përfituar nga 5 milionë lekë kredi për blerje shtëpie me interesa të ulëta. Kallëzimi penal mban datën 22 janar të vitit 2014 dhe është depozituar nga ministrja Eglantina Gjermeni. Në kallëzim thuhet se i është kërkuar informacion kryeregjistruesit Ilirian Muho, por nga Hipoteka ka munguar një përgjigje. Ministrja Gjermeni ka kërkuar nga prokuroria të hetojë mbi këta zyrtarë, pasi ka tagrin e institucionit që mund të bëjë hetime.
Në listën e përfituesve bën pjesë dhe Spiro Ksera, asokohe ministër i Punës, ndjekur nga zv.ministrja e Jashtme, Edit Harxhi, ajo e Drejtësisë, Brikena Kasmi, shefi i kabinetit të Kryeministrit Berisha, Oerd Bylykbashi, si dhe juristi i PD-së, Ivi Kaso. Sipas kallëzimit të ministres Gjermeni, rezulton se nga Enti Kombëtar i Banesave dhe institucionet përgjegjëse për miratimin e kredisë së butë nuk janë respektuar kërkesat ligjore. Dosjet me shkelje, sipas kallëzimit janë dhe ato të gjyqtarëve përfshi Metush Saraçin në Apelin e Tiranës apo Ervin Metallën.
Nga hetimet, pohojnë burimet nga akuza e kryeqytetit, vetëm 7 raste kanë pasur probleme me dokumentet, pasi ka rezultuar se zyrtarët kanë pasur pasuri të tjera. “Kemi verifikuar këto raste dhe rezultoi se në 6 raste, zyrtarët i kanë kthyer kreditë në tregtare, pra me interesa të bankës”,- pohojnë burimet nga akuza e kryeqytetit, të cilat saktësojnë se me këto lëvizje, ata shpresojnë që t’i shpëtojnë ndjekjes penale. Prokuroria shton se në një rast, personi që ka përfituar kredi të butë, është në gjyq me Ministrinë e Zhvillimit Urban. Akuza thotë se ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me këtë çështje, ndërsa saktëson se është në fazën e vendimmarrjes, ku nuk përjashtohet as pushimi i këtij procedimi penal.









