Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skender Brataj ka lënë të hapur mundësinë për shtrëngim masash nëse do të jetë e nevojshme. I ftuar në “Kjo Jave” me Nisida Tufën, Brataj u shpreh se Green Pas është mënyra më efikase dhe nëse merret si masë duhet të monitorohet.
Më tej Brataj tha se mbi 90% e të shtruarve në spitale janë të pavakisnuar ndërsa tha se nga vaksinat nuk ka pasur asnjë komplikacion apo efekt anësor.
“Komiteti i Ekspertëve monitoron situatën epidemiologjike dhe bëhet vlerësimi i masave lehtësuese dhe shtrënguese. Ne bëmë një rikujtesë të masave që janë në fuqi, ora policore, distanca etj për të ardhur tek vaksinimi nga personeli mjekësor, edukatorët, shërbimet publike. Vaksinimi do kohën e vet. Personat që kanë role publike duhet të vaksinohen. Shtetet e tjera kanë ndërprerje nga puna, detyrim i atyre profesioneve për vaksinën. Nëse do të jetë e nevojshme do të shtrëngojmë masat. Nëse vendoset Green Pass duhet të monitorohet. Green Pass është një nga masat më efikase. Nuk ka pasur asnjë kompikacion nga vaksinat. Mbi 90% e të shtruarve janë të pavaksinuar”- tha ai. Shqipëria ka mbyllur dyert me Afrikën e Jugut pas alarmit të përhapjes së variantit të rrezikshëm të Covid19, Omicron. Por, masat e tjera kufizuese kanë mbetur të pandryshueshme. Në vendin tonë nuk është identifikuar asnjë me Omicron.