Brilant Martinaj, vetëm 23 vjeç, i vrarë të dielën e 17 korrikut, njihej për rekorde të shumta kriminale. Por në muajt e fundit kishte arritur ti mbyllte punët me organet e drejtësisë. Pavarësisht kësaj, i riu përveçse ishte mjaft aktiv në rrjetet sociale dhe njihej për miqësitë me njerëz të njohur, përpiqej të këshillonte të afërm e miq më të ri, që të ecnin në rrugë të drejtë.
“Mos u merrni me këto punë, se edhe unë që jam marrë nuk dalë dot më nga kjo rrugë”,citohet të ketë thënë Brilant Martinaj pak kohë para se të vritej, me njerëzit e tij të njohur raporton Shqiptarja.com.
Si ndodhi ekzkekutimi i trefishtë?
Mesditën e të dielës, në rrugën kryesore që lidh Fushë-Krujën me Tiranën, një pritë iu bë makinës ku po udhëtonin tre të rinj, Besmir Hoxha, Brilant Martinaj dhe Dikler Vata. Disa persona, një skuadër e identifikuar deri më tani si me 5 anëtarë ka ekzekutuar në mënyrë makabre 3 të rinjtë duke djegur edhe makinën ku ata po udhëtonin. Njëri prej tyre, Dikler Vata zbriti nga mjeti i plagosur duke tentuar të shpëtonte por autorët u kthyen dhe e qëlluan përsëri duke u siguruar që e vranë.
Shënjestra e atentatit sipas burimeve nga grupi hetimor është Brilant Martinaj, kushëri i parë me biznesmenin e përfshirë në disa ngjarje kriminale, Ervis Martinaj. Sot janë zbuluar edhe të dyshuarit e parë të ngjarjes së rëndë. Në pyetje pritet të merren Endrit Dokle dhe Ramazan Rraja, e po ashtu edhe Gentian Reci, Fation Murati, Alesio Dobrozi dhe Rohan Brahimi. Këta persona janë të dyshuarit kryesorë të masakrës së Fushë Krujës, një ngjarje makabre që lidhet me përplasjen e bandave në zonën e Kurbinit./m.j