Tri javë pas masakrës së ndodhur në Krastë të Elbasanit ku mbetën të vrarë 50-vjeçari Agron Çapja, nipi i tij 27-vjeçar, Ardit Sinakoli dhe miku i tyre 38-vjeçar Eno Bedalli si edhe u plagosën tetë persona të tjerë, policia dhe prokuroria nuk kanë mundur të sigurojnë prova të vlefshme që mund të çojnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje, shkruan Gazeta Shqiptare. Pavarësisht hetimeve intensive, gjithçka në lidhje me sulmin e përgjakshëm të mbrëmjes së 3 shkurtit vazhdon të jetë e paqartë. Kjo dhe për faktin se viktimat dhe të plagosurit, në pjesën më të madhe rezultojnë me precedentë penalë dhe të implikuar në veprimtari të paligjshme. Ndërkohë, mësohet se është zbardhur ekspertiza balistike e armëve të gjetura në lokalin ku u sulmuan pjesëtarët e familjes Çapja dhe të afërmit e tyre. Burime pranë grupit hetimor, dje bënë me dije se autorët e krimit kanë përdorur tre automatikë kallashnikovë, të cilët u gjetën dhe u sekuestruan në vendin e ngjarjes. Të njëjtat burime sqaruan se nga këto armë nuk janë përfituar elementë të vlefshëm që mund t’i çojnë ekspertët e çështjes drejt identifikimit të ekzekutorëve. Ekspertët thanë se në këto tri armë nuk janë gjetur gjurmë gishtash (dyshohet që autorët të kenë përdorur doreza) apo dhe informacione se mund të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale. Prokuroria ka dyshime të arsyeshme se personat që kanë kryer vrasjen të jenë profesionistë. Pavarësisht se kanë lënë armët në vendin e krimit, ata nuk kanë lënë asnjë gjurmë që mund t’i çojë hetuesit drejt tyre. Ndërsa më parë janë kaluar në “sitë” edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë, të cilat rezultuan të paqarta. Mungesa e provave tregon se policia dhe prokuroria e Elbasanit janë ende larg zbardhjes së një prej ngjarjeve më të rënda të ndodhura në këtë qytet gjatë viteve të fundit.
Burime pranë grupit hetimor u shprehën se zona ku ndodhi masakra vazhdon të mbahet non-stop nën vëzhgimin e plotë të policisë dhe se po punohet të gjendet ndonjë element tjetër që mund të çojë në zbardhjen e ngjarjes. Sipas hetuesve, i gjithë vendi është i rrethuar me rrjetë dhe se po vlerësohet në detaje çdo lloj elementi apo prove sado e vogël qoftë. Vetëm pak ditë më parë, hetuesit e çështjes deklaruan se ka pak gjasa që ngjarja e përgjakshme të ketë ndodhur për shkak të hakmarrjes (përplasjeve të fisit Çapja me fise të tjera në Elbasan). Policia tashmë është fokusuar më së shumti te pista e trafikimit të drogës. Sipas bluve, hetimet kanë në fokus tri viktimat, pasi dyshohet (kanë qenë në shë-njestër të autorëve të krimit) se janë marrë me trafik droge me banda të ndryshme që operojnë në qytetin e Elbasanit. Burimet e mësipërme pohuan se po punohet për të bërë të mundur identifikimin e një mjeti të dytë, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në masakrën e ndodhur mbrëmjen e 3 shkurtit. Mësohet se pas sekuestrimit të kamerave të lokaleve që ndodheshin përgjatë rrugës ku ndodhi vrasja, është identifikuar një mjet me targa të huaja i cili ka kaluar disa herë në këtë zonë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se mjeti kur kalonte pranë lokalit ulte shpejtësinë, saqë nga pamjet duket se drejtuesi dhe pasagjerët njiheshin më mirë me terrenin, vendin dhe pozicionin se si do të planifikonin për të qëlluar në drejtim të lokalit.
BW