Analisti politik Martin Leka, i ftuar në emisionin “Tirana Live”, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike, duke u ndalur veçanërisht te përjashtimi i Dash Sulës nga gara elektorale dhe situata e përgjithshme e opozitës.
Sipas Lekës, mënyra se si PD ka trajtuar figura të votuara dhe me mbështetje në bazë përbën një “tragjedi-komedi” për partinë, në një kohë kur ajo nuk ka luksin të mënjanojë vlera të tilla. Ai theksoi se kryeministri Rama po tregohet më largpamës politikisht, ndërsa opozita, e drejtuar nga Sali Berisha, ndodhet në krizë të thellë dhe e përçarë, duke mos arritur të trondisë mazhorancën. Leka vlerësoi gjithashtu takimet e Ervin Salianjit si pozitive, duke nënvizuar se ato kanë ekspozuar ndarjet e forta në bazën e PD-së.
“Nuk e kuptuam asnjëherë se për çfarë arsye Dash Sula u shmang nga PD. Unë ende nuk e di se për çfarë u përjashtua si kandidat edhe nga listat e mbyllura, por edhe të hapura edhe pse mori një shumë votash dhe doli më i votuari në qarkun e Elbasanit. Një gjë e tillë, është një tragjedi-komedi për PD. Në këtë situatë ku ndodhet PD nuk e ka aspak luksin që të tilla vlera në PD t’i mënjanojë dhe të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Rama po luan politikë, është më largpamës se kundërshtari. Duhen parë me kujdes partitë e vogla. Ne jemi në kushtet që kemi një hall më të madh se sa qeverisja, kemi hallin e opozitës, ku në krye është Sali Berisha, një ‘non grata’. Opozita normale mund të kushte tronditur mazhorancën. Duhet të kthehemi pas në kohë dhe të kuptojmë se si është një parti nën drejtimin e Sali Berishës, një parti brutaliteti dhe dhune. Mund të kenë shumë gjëra në PD, përveç “kalit të Trojës”, Berisha. Takimet e Salianjit janë një akt për t’u përshëndetur, mbledh njerëz kudo ku shkon. Baza e PD-së është shumë e ndarë në këtë periudhë. Salianji ka prekur thembrën e Akilit në PD”, tha Leka.











