Nga Mero Baze
Dy ish- aleatët e shumicës në pushtet, Edi Rama dhe Ilir Meta, po përleshen publikisht reth Vetting-ut, duke e cilësuar atë si shkakun ku janë ndarë një vit më parë realisht dy partitë në qeverisje.
Pamvarësisht se debati më tej po degjeneron në sharje dhe etiketime, Ilir Meta nuk e ka përgënjeshtruar faktin që ndarja ka nisur nga Vetting-u, por bashkohet me Berishën, që thotë se Rama ka dashur ta përdorë Vetting-un.
Në këto akuza mund të ketë nga pak të vërteta dhe gënjeshtra nga gjithë palët, por një e vërtetë nuk mund të mohohet dhe që ka të bëjë me faktin se Vettingu ka prodhuar më shumë politikë se sa drejtësi në Shqipëri.
Një vit më pare, në qershorin e vitit të kaluar, kur po negociohej dora e fundit për reformën në drejtësi, tensionet mes PS dhe LSI ishin reale. Biles ato u shtrinë dhe mes LSI dhe diplomatëve të huaj në Tiranë, çka krijuan një distancë reale mes ambasadorit Lu dhe kreut të LSI për këtë çështje. Edhe pse shumë i kujdesshëm në publik, ambasadori Lu nuk e fsheh dot faktin që ka qenë i padëshirueshëm në zyrën e Ilir Metës dhe nuk mund të shkonte aty vetëm, siç e pat thënë dhe Ilir Meta publikisht.
E vërteta është se një vit më pare, Vettingu formoi një koalicion politik të ri, mes Berishës e Metës nga një anë, dhe Ramës e ndërkombëtarëve nga ana tjetër, koalicion që tentoi të jetësohej gjatë verës dhe në parlament për të rrëzuar qeverinë.
Kjo betejë u përsërit së paku tre herë gjatë gjithë vitit, si në votimin e reformës, ashtu dhe në votimin e shtatë ligjeve.
E vetmja gjë që ka ndryshuar në këtë produkt politik të Vetting-ut, është ajo që ka ndryshuar marrëveshja Rama Basha.
Pas marrëveshjes me Ramën, Basha është shumë më bashkëpunues për reformën dhe Vetting-un. Kjo u pa dhe në ankimimin e ligjit që u bë nga dy shoqatat e gjyqtarëve dhe që do të gjykohet pasnesër në Gjykatën Kushtetuese, ku Basha dhe Rama reaguan menjëherë ashpër kundër ankimimit dhe e quajtën atë punë të mbyllur, ndërsa Berisha e Meta e kanë injoruar si ngjarje.
Kjo është një shenjë se aleanca që vettingu prodhoi një vit më parë duket ende funksionale, por marrëveshja Rama- Basha, ka tërhequr nga kjo aleancë një aktor, Lulzim Bashën.
Aleanca që prodhoi Vetting-u nuk ishte aq shumë e lidhur me frikën që Berisha apo Meta kanë nga drejtësia, se sa nga fakti që Rama e përdori mjeshtërisht këtë proces si sfidë ndaj tyre për të marrë mbështetje ndërkombëtare, po kundër tyre.
Edhe fakti që Lulzim Basha i ka ikur kësaj aleance, tregon se realisht si kryetar i PD, ka pas problem meritat e reformës dhe faktin që Rama po e përdorte atë si fitore politike. Marreveshja me Ramën duket se e ka qetësuar në këtë pikë dhe e ka zhvlerësuar personalizimin e Ramës.
Dhe kjo duhet kuptuar më shumë si çështje pushteti mbi drejtësinë, se sa si makth nga drejtësia.
Debati publik mes Ramës dhe Metës, po tregon qartë se drejtësia ka qenë ajo që ka ndarë palët dhe vazhdonë t’i mbajë ndarë. Lehtësia me të cilin Basha iku nga kjo llogore, tregon se askush nuk ka problem Vettingu-n, por meritat dhe pushtetin mbi të.