Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përshëndet marrëveshjen e arritur me Kosovën në Bruksel lidhur me targat. Ai tha se pala serbe pranoi propozimin e kompromisit për uljen e tensioneve në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
“Personalisht, jam shumë i kënaqur dhe kjo është shumë e rëndësishme për palën tonë”, është shprehur Vuçiç. Presidenti serb konfirmon se palët ranë dakord që forcat speciale të Kosovës të tërhiqen nga Jarinja dhe Bërnjaku në të njëjtën kohë me heqjen e barrikadave më 2 tetor.
Duke e quajtur historike vizitën e presidentes së Komisionit Europian në Beograd, Vuçiç tha se gjetja e një zgjidhjeje përfundimtare për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë do të hapë edhe dyert e Bashkimit Europian për vendin e tij. “Serbia nuk do të jetë anëtare e BE-së derisa të zgjidhë marrëdhëniet me Prishtinën, por do të luftojmë për t’i zgjidhur ato”, tha Vuçiç.
/b.h