Gjykata Kushtetuese ka marrë një tjetër kërkesë nga Partia Demokratike në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë për çështjen e emigrantëve të paligjshëm.
Përmes një letër të dërguar nga Gazment Bardhi, por që mban firmat e grupit të PD, demokratët kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që seanca për çështjen e marrëveshjes Rama-Meloni të mbahet me dyer të hapura.
Demokratët arsyetojnë se qeveria nuk ishte aspak transparente gjatë fazës së negocimit dhe nënshkrimit të kësaj marrëveshje qoftë me aktorë vendas apo të huaj.
Kërkesa e Grupit të PD për Kushtetuesen
OBJEKTI:
Kërkesë për shqyrtimin e çështjes në seancë plenare publike.
BAZA LIGJORE:
Neni 21, pika 1, e Ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”; Neni 5, pikat 1, 2 dhe 4, neni 26, pika 2, neni 33, pika 3, 37, pika 1, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
GJYKATËS KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
E Nderuar Znj. Kryetare, Të Nderuar Gjyqtarë.
(i) Shfuqizimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”.
(ii) Pezullimin e procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”.
Me shkresën Nr. 2 (Nj) Regj. Them., datë 13.12.2023, jemi informuar se Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e mbledhur në datën 13.12.2023, ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh dhe zhvillimin e seancës në datën 18 janar 2024, ora 10:00. Në përmbajtje të kësaj shkrese nuk jepet ndonjë arsye lidhur me shqyrtimin e çështjes mbi bazë dokumentesh, ndërkohë që në praktikën e konsoliduar të Gjykatës të gjitha çështjet me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve janë zhvilluar në seancë plenare publike për shkak se mbarin një interes të veçantë publik.
Neni 21, pika 1, e Ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar (në vijim “Ligji nr. 8577/2000”), përcaktohet se shqyrtimi i çështjeve nga Gjykata Kushtetuese bëhet në seancë plenare publike ose mbi bazë të dokumenteve. Në çdo rast vendos Kolegji ose Mbledhja e Gjyqtarëve. Ligji nuk ka parashikuar ndonjë kusht apo kriter specifik sa i përket shqyrtimit të çështjeve në seancë plenare publike ose mbi bazë dokumentesh, por ato mund të gjenden në Rregulloren për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, miratuar me vendimin nr. 9, datë 22.12.2021 të Mbledhjes së Gjyqtarëve, ndryshuar me vendimin nr. 13, datë 31.10.2023 (në vijim “Rregullorja”).
Konkretisht, neni 5, i Rregullores, përcakton se gjykimi i çështjeve nga Gjykata bëhet në seancë plenare publike ose mbi bazë të dokumenteve. Për mënyrën e zhvillimit të seancës vendos Kolegji, pas shqyrtimit paraprak të kërkesës, ose Mbledhja e Gjyqtarëve, në rast se çështja i ka kaluar asaj për shqyrtim paraprak (shih pikën 1). Veprimtaria e Gjykatës është transparente dhe e hapur për publikun dhe realizohet, ndër të tjera, me praninë e publikut dhe të gazetarëve në seancat plenare publike (shih pikën 2). Nëse Gjykata e vlerëson të nevojshme, në çështje me interes të veçantë publik ajo përgatit njoftime për shtyp, përmbajtja e të cilave miratohet nga Kryetari, ose mban konferenca për shtyp nga Kryetari apo një gjyqtar i caktuar prej tij (shih pikën 4).
Më tej, në nenin 26, pika 2, të Rregullores, përcaktohet se në procesverbalin e votimit përcaktohet nëse shqyrtimi i çështjes do të bëhet në seancë plenare publike ose mbi bazë dokumenteve, bazuar në interesin e gjykimit kushtetues dhe natyrën e çështjes. Në nenin 33, pika 3, parashikohet se seanca plenare publike zhvillohet, si rregull, me praninë e palëve dhe të publikut, përveçse për arsye të mbrojtjes së moralit publik, të rendit publik, të sigurisë kombëtare, të së drejtës së jetës private ose të të drejtave vetjake. Së fundmi, neni 37, pika 1, përcakton se seancat plenare publike regjistrohen audio dhe kur është e mundur transmetohen livestream.
Dispozitat e sipërcituara të Ligjit nr. 8577/2000 dhe Rregullores për Procedurat Gjyqësore janë materializim i parimit të transparencës. Kriteri që mund të deduktohet nga dispozitat e mësipërme sa i përket zhvillimit të seancave plenare publike është nëse çështja në shqyrtim mbart një interes të veçantë publik. Transparenca e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese realizohet, ndër të tjera, nëpërmjet pjesëmarrjes së medias dhe publikut në seanca, regjistrimit audio dhe transmetimit livestream të seancave. Këto mjete iu japin mundësi të gjitha palëve të interesuara, por veçanërisht mediave, shoqërisë civile dhe qytetarëve që informohen mbi mënyrën e shqyrtimit dhe vendimmarrjet e Gjykatës mbi një çështje konkrete.
Duke u kthyer në rastin konkret, është e qartë se shqyrtimi i kushtetutshmërisë të Protokollit ndërmjet qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” (në vijim “Protokolli”), mbart një interes të veçantë publik, madje jo vetëm për publikun shqiptar, por edhe më gjërë për publikun italian dhe atë evropian. Interesi i veçantë publik i kësaj çështjeje është konfirmuar edhe nga vetë Gjykata, e cila në përputhje me nenin 5, pika 4, të Rregullores, doli në konferencë për shtyp dhe përgatiti njoftim për median lidhur me vendimin për pezullimin e procedurave parlamentare për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
Për më tepër, në përmbajtje të kërkesës, kërkuesit kanë arsyetuar gjërësisht se Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë veproi në mungesë konsultimi dhe transparence në fazën e negocimit dhe nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje qoftë me aktorët institucionalë vendas dhe ndërkombëtarë (Presidenti i Republikës, Kuvendi i Shqipërisë, Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut), ashtu edhe me median, shoqërinë civile dhe qytetarët. Në këto kushte, shqyrtimi i çështjes nga Gjykata Kushtetuese është një mundësi për të bërë transparencë të plotë mbi procedurën e ndjekur dhe përmbajtjen e këtij Protokolli. Kjo transparencë mund të realizohej vetëm në kushtet kur shqyrtimi i çështjes do të bëhej në seancë plenare publike.
Pra, transparenca e munguar nga Këshilli i Ministrave gjatë negocimit dhe nënshkrimit të këtij Protokolli, duket se vazhdon edhe gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese, për sa kohë që publiku dhe mediat nuk kanë mundësi që të njihen me materialet e çështjes dhe të dëgjojnë qëndrimet e palëve, pyetjet e Gjykatës dhe përgjigjet e tyre, si dhe debatin gjyqësor. Po ashtu, sjellim në vëmendje se të gjitha kërkesat e paraqitura nga subjekti kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve gjatë kësaj legjislature janë shqyrtuar në seanca plenare publike pikërisht nga interes i veçantë publik që mbartin. Për më tepër, edhe po t’i referohemi precedentit të vendimit nr. 15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, konstatojmë se shqyrtimi i çështjes është bërë me dyer të hapura (shih preambulën e vendimít).
Prandaj, duke pasur parasysh interesin e veçantë publik që mbart shqyrtimi i kushtetutshmërisë së Protokollit, pretendimet e kërkuesit lidhur me mungesën e transparencës dhe konsultimit në fazat e negocimit dhe nënshkrimit, praktikën e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, si dhe parimin e transparencës mbi të cilën e kryen veprimtarinë e saj Gjykata, në mbështetje të nenit 21, pika 1, të Ligjit nr. 8577/2000, nenit 5, pikat 1, 2 dhe 4, nenit 26, pika 2, nenit 33, pika 3, nenit 37, pika 1, të Rregullores, përfundimisht,
KËRKOJMË:
Shqyrtimin e çështjes në seancë plenare publike.
KRYETARI
Gazment BARDHI
/f.s