Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha të premten se propozimi i tij për pezullimin e përkohshëm të tarifave ndaj mallrave serbe, ka për qëllim mbajtjen afër të partnerëve strategjikë të Kosovës, ndërsa platforma për bisedimet me Serbinë do të sqarojë shumë gjëra.
Ai i bëri këto komente pasi që delegacioni shtetëror për bisedime me Serbinë i dorëzoi tekstin e platformës për “dialogun për marrëveshjen përfundimtare ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.
Zoti Veseli tha se platforma do të ndihmojë edhe në tejkalimin e situatës së krijuar me tarifat ndaj mallrave serbe.
“Do të thotë kështu, vendimmarrja te platforma do ta ketë drejtimin e vet dhe kjo do të ndihmojë procesin. Ka pasur disa shqetësime të cilat i dimë publikisht për kufirin dhe Asociacionin e komunave serbe dhe njerëzit janë traumatizuar, jemi duke shkuar drejt largimit të çdo keqkuptimi, tani jemi bashkë edhe si qeveri e Kosovës që të kemi vendimmarrje në interes të shtetit dhe sovranitetit dhe natyrisht ky interes është edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha zoti Veseli.
Bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj tha se tarifat janë vendim shtetëror dhe se Kosova do të tregojë urtësi kundruall interesave të saj.
“Unë jam i bindur dhe nuk kam asnjë dilemë që edhe për taksën do të ketë një vendim unik shtetëror i cili do t’i jap mundësi dhe hapësirë dialogut të ardhshëm për njohje nga Serbia. Në kapacitetin e bashkëdrejtuesit të delegacionit shtetëror, ne kemi ftuar vazhdimisht drejtuesit e institucioneve, kolegët tanë partiak që të punojmë të gjithë bashkë për t’i dhënë hapësirë që delegacioni shtetëror të kryej punën për çka është zgjedhur, të shkojmë drejt në dialog dhe ajo është tema kryesore. Unë besoj që do të kemi qëndrimin unik i cili përfundimisht do t’i jep mundësi dialogut me Serbinë dhe ruajtjes së partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi nevojë më shumë se kurrë që partnerët tanë të na përcjellin në çdo hap drejt arritjes së mundshme të asaj marrëveshjeje për njohjen e Kosovës“, tha zoti Limaj.
Kërkesat e vendosura amerikane për heqjen tarifave ndaj mallrave serbe dhe refuzimi i qeverisë për të bërë një gjë të tillë, kanë lëkundur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe kanë ashpërsuar gjuhën e komunikimit ndërmjet udhëheqësve të Kosovës.
Kryeministri Ramush Haradinaj, ngulë këmbë që tarifat të mbeten deri në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ndërsa presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, kërkojnë që të dëgjohen aleatët dhe ato të pezullohen.
Vëzhguesit thonë se mundësitë për një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë ku do të mund të përfshihej edhe ndryshimi i kufijve ka shtyrë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, të ngulë këmbë në mbajtjen e tarifave, në mënyrë që të bllokojë bisedimet.
Bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror, Shpend Ahmeti thotë se me platformën që pritet të votohet në parlament, u jepet fund spekulimeve për rrezik pasi që sipas tij çdo gjë bazohet në kushtetutën e vendit.
“E para është se platforma bazohet e gjitha në Kushtetutën e Kosovës duke cituar edhe nene nga kushtetuta sa i përket sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës të cilat janë të pacenueshme ashtu siç e thotë edhe kushtetuta dhe është obligim i të gjitha organeve të Kosovës që atë kushtetutë ta mbrojmë në çdo forum përfshirë këtu edhe në dialogun me Serbinë. Nuk ka rend të tretë të qeverisjes në Kosovë përveç qendror dhe lokal. Në pakon e (Martti) Ahtisaarit Kosova ka bërë mjaftueshëm kompromise të cilat janë kërkuar nga ne, në mënyrë që të shtyjmë pavarësinë dhe të kemi njohjen nga shtetet mike të cilat i kemi edhe partner si Kosovë. Po ashtu në platformë si parim është potencuar që resurset që janë në Kosovë janë e drejtë ekskluzive e Kosovës dhe është vendim sovran shfrytëzimi i tyre”, tha zoti Ahmeti.
Në muajin nëntor Kosova vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia për shkak të, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi ndërkaq e ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, duke bërë që procesi të mbetet i pezulluar.
Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar në vazhdimësi Kosovës që të pezullojë tarifat ndaj mallrave serbe, për t’i hapur rrugë procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
E.XH./