Ndërtimi i linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit do të bëhet nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me Bankën Europiane të Investimeve.
Marrëveshja është nënshkruar ditën e sotme, teksa ministrja e Transportit, njëherazi edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku u shpreh se ky investim do të jetë një vlerë e shtuar për Shqipërinë, por edhe rajonin.
“Nënshkruam marrëveshjen me Bankën Europiane të Investimeve, një tjetër partner me Qeverinë Shqiptare në projektin tonë madhor të ndërtimit të linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit. Një linjë me gjatësi 120 kilometra, me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe rajonin, i cili do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, por edhe të mallrave. Pas Tiranë-Durrës me degëzim në Rinas, Vorë-Hani i Hotit është projekti i dytë madhor i Qeverisë Shqiptare në transportin hekurudhor. Banka Europiane e Investimeve mbetet një nga partnerët tanë më të rëndësishëm për jetësimin e disa projekteve strategjike të infrastrukturës rrugore e hekurudhore”, shkruan Balluku.
Hekurudha Vorë-Hani Hotit kalon në shtatë bashki dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga Jugu në Veri. Hekurudha lidh qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut.
/f.s