Presidenti Bajram Begaj është pyetur në emisionin Opinion edhe për marrëdhëniet mes dy kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti. Begaj u shpreh se komunikimi mes dy qeverisë është. Sa i përket komunikimit mes dy krerëve të qeverive, ai tha se “ka keqkuptime që ne si shqiptarë duhet të ulemi dhe t’i zgjidhim”.
Blendi Fevziu: Zoti President, duket se ka një ftohje në raportet midis Shqipërisë dhe Kosovës, në ditët e fundit, kjo ftohje reflektohet në raportet personale të Kryeministrit Kurti me Kryeministrin Rama, për shumë gjëra të tjera, por një gjë është e sigurt, këtë mund ta themi, në ditët e fundit, kjo është situata më e keqe, flas ndoshta në 24 vitet e fundit së çlirimit të Kosovës, është situata më e keqe kur dy krerë të dy qeverive thuajse nuk kanë komunikim midis tyre. Nuk po them që kryeministri i Kosovës nuk priti kryeministrin e Shqipërisë gjatë, një vizite në një tur ballkanik në Prishtinë e të tjera, por në përgjithësi për të mos u marrë me detajet ne e dimë shumë mirë që ka një ftohje. A e ndjeni edhe ju këtë ftohje?
Bajram Begaj: Unë nuk mendoj që është realisht kështu, mendoj që komunikimi është, dhe komunikimi midis dy qeverive apo dy drejtuesve të qeverive është.
Blendi Fevziu: Por praktikisht është komunikimi, por duket që është një ngurtësi që s’duhet të ishte në këto rrethana.
Bajram Begaj: Ka keqkuptime që ne si shqiptarë duhet të ulemi t’i zgjidhim.
Blendi Fevziu: Dhe shqiptarët pavarësisht keqkuptimeve nuk i zgjidhin asnjëherë duke u ulur.
Bajram Begaj: Jo patjetër që ne kemi mësuar që do t’i zgjidhim gjërat që kemi brenda shtëpisë.
/a.r