Në një intervistë me DW, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, flet për pandeminë, marrëdhëniet me Shqipërinë, SHBA dhe Bashkimin Evropian dhe pritshmëritë e saj nga Gjermania.
Vjosa Osmani: Nuk do të thoja që kjo ka të bëjë me javët e fundit. Është diçka që po ndodh për vite me radhë, megjithatë, ne si institucione të reja të Kosovë nuk kemi dhënë asnjë arsye të vetme që do të nxiste Shqipërinë të ftohte marrëdhëniet me Kosovën apo të mos përkrahte Kosovën. Ne çfarë kemi bërë, është mbrojtja e interesave të vendit tonë sovran. Dhe pikërisht kjo ndodh, kur ne refuzojmë iniciativën Open Balkans, e njohur si iniciativa e Novi Sadit, për shkak se aty nuk mund t’i shtyjmë përpara interesat e Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur, përderisa Serbia vazhdon të mohojë ekzistencën tonë si shtet. Iniciativa të tjera rajonale, të cilat na shtyjnë pozitivisht drejt Bashkimit Evropian, ekzistojnë. Ai është Procesi i Berlinit dhe ne atë e shohim si atë kulmin e përbashkët ku rajoni ynë ulet dhe mund të arrijë sukses.
Pyetje: Këtë të javë, Gjykata speciale për krime lufte fnisi procesin e parë ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së. Presidenti Hashim Thaçi dhe të tjerët nga rangu i lartë në Komandën e UÇK-së përballen gjithashtu me akuzua si të përfshirë në krime lufte. Çfarë prisni ju nga Gjykata Speciale, në aspektin jo vetëm juridik, të drejtësisë, por edhe në aspektin e pajtimit të brendshëm të shoqërisë dhe të paqes në rajon.
Vjosa Osmani: Mendoj që është e domosdoshme që të ketë procese të pavarura, të paanshme dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet e Kosovës. Sepse është pikërisht Kushtetuta jonë dhe këto ligje, që e kanë themeluar këtë gjykatë apo Dhomat e Spezializuara, siç njihen dhe janë themeluar, me përkrahjen e madhe të Parlamentit të Kosovës në atë kohë, me më shumë se dy të tretat. Dhe ky ka qenë një akt ku Kosova ka dëshmuar se, jo vetëm që nuk i frikësohet drejtësisë ndërkombëtare, por bashkëpunon me drejtësinë ndërkombëtare, sepse e vërteta e Kosovës ka ndodhur para syve të të gjithë botës.
Pyetje: Presidente Osmani, pas Gjermanisë ju do të udhëtoni për SHBA. Ish-presidenti i Kosovës dhe qeveria e tij mbështeteshin më shumë nga SHBA-ja se sa nga Europa. Tash, marrëdhëniet me administratën e re amerikane duken mjaft interesante, pak më ndryshe. Ndoshta pak edhe më të ftohta. Ku e sheh veten Kosova në pozicionin politik, ndërmjet SHBA-së dhe BE-së?Vjosa Osmani: Unë, në fakt, nuk e di se nga është krijuar përshtypja që marrëdhëniet tani me SHBA-në janë më të ftohta. Është pikërisht e kundërta. Kosova, është në një pikë të raporteve të shkëlqyeshme dhe të avancuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo rikonfirmohet çdo ditë nga kontaktet që i kemi me zyrtarët më të lartë amerikanë. Para disa ditësh unë kisha një telefonatë me zëvendës-presidenten amerikane, zonjën Kamala Harris. Kryeministri Kurti kishte telefonatë me sekretarin e shtetit, zotin Blinken. Ne, që nga zgjedhja jonë, kemi pasur vazhdimisht edhe shkëmbim letrash me presidentin Biden, edhe kontakte gati ditore me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, të National Security Council edhe të tjerë. Kjo dëshmon, jo vetëm vlerësimin e lartë që e kanë ata, që Kosova po luan rol të rëndësishëm, jo vetëm në raportet bilaterale, por edhe për problemet globale, siç ishte gatishmëria jonë, si shteti i parë, për të marrë refugjatë afganë, si aleatë të Shteteve të Bashkuara, por edhe me rolin që po e luajmë në rajon dhe gjetiu.
Vjosa Osmani: Jo nuk mund të them që ka refuzim. Thjesht, ka studim të ekspertëve dhe të ministrive përkatëse, të cilat janë në diskutim të përditshëm me shtetin amerikan, në mënyrë që e gjitha të sqarohet. Mirëpo asnjëherë deri tani unë nuk kam dëgjuar ndonjë refuzim nga ana e qeverisë së Kosovës. Megjithatë ka kohë për përgjigje. Sepse afatet kohore për përgjigje janë të qarta nga ana e MCC në këtë rast. Unë kam folur personalisht me MCC dhe po ashtu me përfaqësues të shtetit amerikan, ku personalisht si presidente kam dhënë përkrahjen time nga aspekti gjeostrategjik dhe gjeopolitik, pa hyrë në detaje të implementimit, sepse ato i bëjnë ministritë përkatëse dhe jo presidentja e vendit. Pra, ata duhet të merren me çështjen e ndërtimit të pipeline-it me çështjen e çmimit, me çështjen e shumave të ndryshme, se sa saktësisht do të blihet, kur pritet të vijë, cilat do të jenë loans që do t’i marrë, etj.
Vjosa Osmani: Unë mendoj që në aspektin gjeostrategjik ky është vendimi që duhet të marrë Kosova. Por nuk pretendoj të jem eksperte e çështjeve të energjisë, prandaj po e pres vlerësimin nga ana e ministrive përkatëse rreth çështjeve të tjera të implementimit, sepse nganjëherë nuk mjafton vetëm vendimi politik, duhet patjetër ta dimë edhe se si implementohet ai vendim dhe të kërkojmë përkrahje edhe më të lartë, dhe financiare nga ana e partnerëve tanë, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara në mënyrë që implementime të tilla të jenë të suksesshme. Por, nga aspekti gjeostrategjik, Kosova s’ka pse të shikoj tjetërkund. Shikimin duhet ta mbaj nga Shtetet e Bashkuara.
Pyetje: Si është pozicioni juaj. A duhet përfshirë SHBA-ja më shumë dhe drejtpërdrejt në dialogun Kosovë-Serbi?
Vjosa Osmani: Kosova ka fatin që ka pasur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara historikisht, por në veçanti në procesin e Dialogut. Tani mund të them që ka një interesim të madh në këtë proces nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara. Formati, se si ata përfaqësohen aty, është çështje që duhet ta vendosin ata. Mirëpo interesimi është jashtëzakonisht i lartë, dhe ne jemi vazhdimisht në kontakt për të koordinuar edhe me ta…
Pyetje: Edhe me BE-në?
Vjosa Osmani: Natyrisht, edhe me BE-në, sepse BE-në po e marr si të mirëqenë duke qenë se ata janë aty në udhëheqje të procesit. Por, sa do të jenë fizikisht prezentë Shtetet e Bashkuara, do të jetë vendimi i tyre, për ne është me rëndësi që çdo veprim, çdo hap tonin ta koordinojmë edhe me shtete të caktuara të BE-së, sepse nuk do të thoja me të gjitha, sepse ka shtete, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por me shtete të caktuara, si Gjermania, në veçanti, dhe pastaj me Shtetet e Bashkuara është me rëndësi, që ne t’i koordinojmë hapat. Se kështu është i garantuar suksesi, si në dialog, ashtu edhe në procese të tjera.
Pyetje: Zonja presidente, Gjermania pas disa ditësh do të ketë zgjedhjet federale. Çfarë prisni ju nga qeveria e re në lidhje me Kosovën dhe në lidhje edhe me Ballkanin Perëndimor?
Vjosa Osmani: Presim në radhë të parë që përkrahja të vazhdojë. Gjermania është partneri kryesor tregtar i Kosovës, nga radhët e Bashkimit Evropian dhe në këtë vit ka 95 për qind rritje të shkëmbimit tregtar me Gjermaninë. Dhe për këtë kontribuon në masë të madhe edhe mërgata jonë, e jashtëzakonshme dhe e suksesshme në Gjermani. Presim që me qeverinë e re ta intensifikojmë këtë bashkëpunim ekonomik e tregtar sepse është në interes të të dyja vendeve. Nuk ka destinacion më ideal, sesa Kosova për investimet gjermane, duke pasur parasysh legjislacionin e jashtëzakonshëm, reformat që po bëhen në fushën e sundimit të ligjit, sigurinë dhe përkrahjen e investimeve që sigurojnë institucionet e reja. Faktin që kemi popullatën më të re në Evropë, numrin më të madh të gjermanofolësve, dhe të gjitha këto, bashkuar me faktin, që kemi një fuqi punëtore shumë të lirë, por shumë të shkolluar, e të jashtëzakonshme në fushën e teknologjisë informative, kjo e bën Kosovën vërtet vendin ideal për një shtet si Gjermania, për të rritur dhe zgjeruar investimet e veta. Kjo është e para.
E dyta, natyrisht presim përkrahje në fuqizimin e subjektivitetit tonë kombëtar, sepse suksesi i Kosovës në këtë drejtim është edhe sukses i Gjermanisë, sepse shteti ynë është rezultat i bashkëpunimit me shtetet si Gjermania e Amerika, dhe në këtë drejtim presim përkrahje për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
E treta, shpresoj që Gjermania do të jetë e zëshme për ta thënë të vërtetën rreth Serbisë. E vërteta rreth Serbisë është që ai shtet po e destabilizon rajonin dhe Bashkimi Europian nuk do të duhej të pranonte të hapte asnjë kapitull të ri, në qoftë se Serbia nuk e njeh Kosovën, sepse njohja është parakusht për paqe dhe stabilitetin në rajonin tonë.
Dhe e fundit: Pres që Gjermania të luajë rol lideri në Bashkimin Evropian për të shtyrë përpara vendet tona drejt anëtarësimit në BE. Por gjithnjë bazuar në kriteret që i plotësojmë. Sepse një vend autokratik ta zëmë si Serbia nuk e ka vendin në BE. Ata duhet të ndryshojnë shumë, nga pranimi i krimeve dhe drejtësia, e deri te reformat e tyre të brendshme në sundimin e ligjit, liria e mediave dhe e shoqërisë civile e të tjera, në mënyrë që të pranoheshin atje. Pra, nuk duhet të jetë një logjikë, ku t’i fusim të gjithë, pavarësisht, se a kanë plotësuar kritere a jo. Natyrisht, që është me rëndësi që të futemi në të njëjtën kohë, e pse jo , e jo të lejohet Serbia të hyjë, e pastaj të bllokojë shtetet e tjera megjithatë, gjithnjë duke u bazuar në plotësimin e kritereve, sidomos ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe me demokracinë.
Pyetje: Shumë kërkesa, të shohim se çfarë do të na sjellë vota e popullit në fund të këtij muaji në Gjermani. Shumë falemnderit, zonja Presidente.