Seanca e së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur me debate në foltore mes kreut të PDIU dhe ministrit të Punëve të Jashtme.
Në fjalën e tij, Shpëtim Idrizi ka kërkuar që të merret parasysh nga qeveria kërkesa e Shoqatës ‘Çamëria’ për ngritjen e varrezave shqiptare në Greqi. Sipas tij, ndërkohë që Greqia ka në vendin tonë varreza të ushtarëve të saj dhe shkolla në gjuhën greke, Shqipëria nga ana tjetër nuk gëzon asnjë të drejtë të tillë.
Por Ditmir Bushati tha se marrëdhëniet me Greqinë janë gjetur të ngrira në vitin 2013.
“Në 2013 kur kjo qeveri erdhi marrëdhëniet me Greqinë ishin të ngrira. Shqiptarët ndesheshin me vështirësi të panumërta për të kryer disa shërbime esenciale në shtetin grek. Cfarë bëmë ne. Ne grupuam cështjet në disa linja, të karakterit praktik, historik dhe në cështje që e drejta ndërkombëtare mund të aplikohet drejtpërdrejt. Nuk ka asnjë të vertetë sa u tha në lidhje me ekzagjerimet për vendin e lindjes. Edhe certifikata zyrtare e vendlindjes është e përkthyer në dy gjuhë. Ekziston një ligj i mohuar për disa vite nga pala greke, sot është fakt që Greqia jo vetëm e pranon, por arrin deri në një përfundim për të gjetur rrugëdalje për ta shfuqizuar ligjin e luftës. Kjo do të kishte efekt të ndjeshëm për faktin se pronat e shqiptarëve janë sekuestruar. Nuk është rasti i parë që Greqia organizon konferenca. Edhe Ministria e Jashtme Shqiptare ka organizuar konferenca për çështjen çame. Prandaj më habit ky shqetësim për një konferencë nga pala greke” – tha Bushati.