Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ka paralajmëruar se do ta vizitojë Kosovën për festen e pashkëve ortodokse, njofton Klan Kosova.
Gjuriç ka njoftuar se do të marrë pjesë në liturgjinë e mesnatës në manastirin e Graçanicës, por do të vizitojë edhe një fshat në Gjilan.
Por, ende nuk dihet nëse për këtë vizitë Gjuriç ka kërkuar leje nga organet e Kosovës, ashtu siç i ishte thënë të bëjë edhe në vizitat e kaluara, thirrje të cilën njëherë e pati shmangur.
Kurse, Besim Hoti, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, ka thënë për KlanKosova se ata nuk kanë pranuar kurrfarë urdhër-ndalese për Gjuriç, nëse ai futet nga pika kufitare në Jarinje.
“Nuk kemi ndonjë urdhër-ndalese për Gjuriç dhe as ndonjë informatë se ai do të futet nga pika kufitare në Jarinje në Kosovë”, ka shpjeguar Hoti.
Disa nga vizitat e politikanëve serbë kohëve të fundit, sidomos para zgjedhjeve në Serbi, ishin ndaluar nga organet e rendit në Kosovë. (B.an)