Diego Maradona, Ariel Ortega, Javier Zanetti, Gabriel Batistuta, Hernan Crespo, Riquelme, Diego Simeone e Sebastian Veron janë disa nga legjendat e Argjentinës që gjatë këtij viti mund të shkelin në Kosovë.
Legjendat e përfaqësueses së Argjentinës gjatë këtij viti pritet të luajnë ndeshje miqësore me përzgjedhjen e veteranëve të Kosovës e Shqipërisë.
Kjo ndeshje miqësore e veteranëve parashikohet të organizohet gjatë verës në Kosovë.
Zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës, kanë konfirmuar se po punojnë për këtë ndeshje, ndërkohë që iniciativa për sjelljen e yjve argjentinas në Kosovë është konfirmuar edhe nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sporteve.
Ndeshja shumë lehtë mund të zhvillohet, por problem paraqiten vetëm financat.
Ekipi argjentinas ka kërkuar 300 mijë euro për një ndeshje miqësore në Kosovë. Megjithatë, janë duke u shqyrtuar disa mundësi që të grumbullohen mjetet financiare për të zhvilluar këtë ndeshje që vlerësohet të jetë një reklamë e madhe para pranimit të FFK-së në UEFA e FIFA.









