Zgjedhësit në Maqedoninë e veriut do të rikthehen në qendrat e votimit të dielën, për të vendosur se kush do të jetë presidenti i tyre i ardhshëm. Nga mesnata, fillon heshtja zgjedhore për raundin e dytë, që ka vendosur përballë njëri tjetrit kandidatin pro perëndimore, Stevo Pendarovski dhe rivalen Gordana Siljanovska Davkova, që u renditën të parët të raundin e parë. Të dy kandidatët patën një diferencë të vogël votash, me Pendarovskin që mori 42.8 për qind të votave ndërsa kandidatja e VMRO-DPMNE me 42.2 për qind.
Në raundin e parë, marrëveshja e Prespës me Greqinë, që e shndërroi ish republikën jugosllave të Maqedonisë në Maqedoninë e Veriut, ishte tema kryesore. Ndryshimi i emrit ka ringjallur aspiratat evropiane ndërsa nacionalistët thonë se vendit i është cënuar dinjiteti.
“Kundërshtarja ime nuk ka si qëllim ta çojë vendin në Evropë. Ajo përfaqëson interesat e familjes së saj dhe VMRO-DPMNE, dhe ka thënë se do të rishikojë gjërat e mira që kemi bërë, që do të ndryshojë, anuloje dhe rifillojë negociatat sërish”, tha Pendarovski.
Ai vjen me mesazhe pro evropiane, por kundërshtohet nga Siljanovska Davkova që ka kërkuar që marrëveshja e Prespës të ndryshojë duke e quajtur atë degraduese.
“Si presidente dhe personalisht nuk do të mund të përdor emrin republika e Maqedonisë së Veriut. Unë mendoj se ky është një dhunim i procesit, i të drejtës ndërkombëtare, i kushtetutës së republikës së Maqedonisë. Ndaj unë do të përdor emrin republika e Maqedonisë”, tha Gordana Siljanovska-Davkova.
Roli i presidentit në Maqedoninë e Veriut, është kryesisht ceremonial. Ai apo ajo është komandant suprem i forcave të armatosura dhe nënshkruan legjislacionin parlamentar.
/a.meta