Unitarizmi i aplikuar në Maqedoninë e Veriut nuk përfaqëson një formë moderne të organizimit shtetëror, por një mbetje të logjikës centraliste që bie ndesh me frymën e integrimit evropian. Për shqiptarët, përvoja me unitarizmin ka qenë e shënuar nga një kontrast i vazhdueshëm ndërmjet barazisë formale dhe përjashtimit real.
Nga Prof.dr. Skender ASANI
Debati mbi unitarizmin në shtetet me përbërje të theksuar multietnike nuk përbën thjesht një çështje kushtetuese apo organizative, por një problem themelor të filozofisë politike, të legjitimitetit shtetëror dhe të qëndrueshmërisë demokratike. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, ky debat merr një dimension të veçantë për shkak të ndërthurjes së trashëgimisë së konfliktit, procesit të papërfunduar të ndërtimit të shtetit dhe sfidave të integrimit evropian. Brenda këtij konteksti, unitarizmi ka kaluar nga një koncept juridik në një dogmë politike, e cila përdoret selektivisht për të ruajtur status quo-në dhe për të delegjitimuar çdo përpjekje reformuese që cenon strukturat ekzistuese të pushtetit. Në këtë mënyrë, ai ka pushuar së qeni instrument funksional i shtetit dhe është shndërruar në mekanizëm vetëmbrojtës të një rendi politik të mbyllur.
Një analizë e thelluar kërkon dallimin e qartë midis unitarizmit territorial dhe atij institucional. Ndërsa i pari përfaqëson një realitet të konsoliduar dhe të garantuar ndërkombëtarisht, i dyti mbetet burim tensionesh të brendshme dhe pengesë serioze për demokratizimin e shtetit. Integriteti territorial i Maqedonisë së Veriut nuk përbën më një çështje reale politike apo juridike, pasi ai është i mbrojtur nga rendi ndërkombëtar dhe nga anëtarësimi në NATO. Në këtë kuptim, instrumentalizimi i frikës nga rrezikimi i kufijve shfaqet si narrativë artificiale, e ndërtuar për konsum të brendshëm dhe për të shmangur debatin mbi reformimin e brendshëm institucional.
Problemi thelbësor shfaqet në dimensionin e unitarizmit institucional, i cili në praktikë ka prodhuar centralizim të tepruar, uniformizim politik dhe dobësim të mekanizmave të përfaqësimit. Ky model bie në kundërshtim të hapur me parimet mbi të cilat ndërtohet Bashkimi Evropian, i cili promovon qeverisje shumënivelëshe, decentralizim funksional, ndarje të pushteteve dhe përfshirje gjithëpërfshirëse. Në këtë kuadër, unitarizmi i aplikuar në Maqedoninë e Veriut nuk përfaqëson një formë moderne të organizimit shtetëror, por një mbetje të logjikës centraliste që bie ndesh me frymën e integrimit evropian.
Rezistenca ndaj reformimit të këtij modeli nuk është pasojë e shqetësimit për stabilitetin e shtetit, por reflektim i interesave të një oligarkie politike dhe ekonomike, e cila funksionon më së miri brenda një sistemi të mbyllur dhe të kontrolluar. Integrimi evropian, me kërkesat e tij për transparencë, sundim të ligjit, kontroll të kapitalit dhe institucione të pavarura, perceptohet nga kjo elitë si kërcënim ekzistencial. Për këtë arsye, ruajtja e unitarizmit institucional shndërrohet në strategji mbijetese politike dhe ekonomike, ndërsa retorika për mbrojtjen e shtetit shërben si mbulesë ideologjike.
Historia politike e Maqedonisë së Veriut dëshmon se ideja e ndarjes territoriale nuk ka qenë vetëm spekulim periferik. Akademia e Shkencave kishte ofruar projekte konkrete për ndarjen e shtetit, gjë që është konfirmuar publikisht edhe nga Ali Ahmeti, i cili ka deklaruar se një projekt i tillë i ishte ofruar personalisht. Refuzimi i këtij projekti nga lidershipi i atëhershëm i UÇK-së ishte një akt politik për ruajtjen e stabilitetit dhe shmangien e konfliktit.
Megjithatë, ajo që nuk u realizua si ndarje e drejtpërdrejtë territoriale, u rikonceptua në formë inxhinierie zgjedhore, përmes ndarjes së vendit në gjashtë njësi zgjedhore. Kjo ndarje nuk ishte neutrale teknikisht, por e dizajnuar me logjikë politike afatgjatë. Njësia e gjashtë zgjedhore u ndërtua pothuajse identikisht me kufijtë e projektit të ndarjes territoriale, duke prodhuar shumicën e deputetëve shqiptarë pikërisht nga ajo zonë.
Ky dizajnim krijon një precedent të rrezikshëm: deputetët e kësaj njësie mund të instrumentalizohen politikisht për të legjitimuar ndarje të ardhshme, duke e paraqitur atë si rezultat të “vullnetit demokratik”.
Në këtë kontekst duhet lexuar propozimi i VMRO-DPMNE-së në programin zgjedhor të vitit 2024 për uljen e numrit të deputetëve nga 120 në 90 dhe shpalljen e vendit si një njësi e vetme zgjedhore. Ky propozim nuk përfaqëson reformë demokratike, por strategji të qartë për reduktimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve, duke synuar reduktimin e tyre nga 5 deri në 10 mandate parlamentare.
Kjo iniciativë vjen pas një procesi të qëllimshëm të dobësimit dhe deatomizimit të subjektit politik shqiptar, proces i cili u intensifikua nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 e deri te zgjedhjet lokale. Vetëm pasi u krijua ky disbalancim politik, u artikulua hapur ideja e një njësie zgjedhore, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me projekt pushteti, jo me reformë sistemike.
Nëse synohet stabilitet i qëndrueshëm dhe perspektivë reale evropiane, ndarja zgjedhore rajonale në tetë njësi zgjedhore paraqitet si alternativa më racionale dhe më përfshirëse. Ky model do të siguronte përfaqësim të drejtë për të gjitha komunitetet etnike, do të zvogëlonte polarizimin etnik dhe do të krijonte kushte për zhvillim ekonomik rajonal.
Një sistem i tillë do ta zhvendoste konkurrencën politike nga identiteti etnik drejt programeve zhvillimore, duke e harmonizuar Maqedoninë e Veriut me praktikat evropiane të demokracisë funksionale.
Në shoqëri multietnike, demokracia konsensuale nuk është alternativë fakultative, por domosdoshmëri strukturore. Ajo nuk e mohon unitaritetin e shtetit, por e bën atë funksional dhe legjitim përmes barazisë reale dhe përfshirjes. Marrëveshja e Ohrit dhe parimi i Badenterit përfaqësojnë pikërisht këtë logjikë të balancimit demokratik, duke garantuar që vendimmarrja për çështje vitale të mos bëhet në dëm të komuniteteve joshumicë. Çdo tentativë për t’i relativizuar këto mekanizma në emër të efikasitetit shtetëror përbën në thelb rikthim drejt një unitarizmi përjashtues.
Për shqiptarët, përvoja me unitarizmin ka qenë e shënuar nga një kontrast i vazhdueshëm ndërmjet barazisë formale dhe përjashtimit real. Përballë kësaj gjendjeje, përgjigjja nuk mund të jetë as refuzimi i shtetit dhe as radikalizimi politik, por ndërtimi i një projekti shtetformues të bazuar në demokraci konsensuale, barazi substanciale, përfaqësim real dhe orientim të qartë euroatlantik. Vetëm një qasje e tillë mund ta shndërrojë faktorin shqiptar nga objekt politik në subjekt aktiv të ndërtimit të shtetit.
Unitarizmi në një shtet multietnik nuk mund të mbijetojë si koncept i ngurtë dhe ekskluziv. Ai ose reformohet në funksion të barazisë, pluralizmit dhe konsensusit, ose shndërrohet në burim përçarjeje dhe destabiliteti. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, sfida reale nuk është ruajtja e kufijve, por demokratizimi i brendshëm i shtetit. Pa këtë transformim, integrimi evropian mbetet një projekt deklarativ, ndërsa shteti rrezikon të mbetet peng i një elite që i frikësohet së ardhmes. Vetëm një unitarizëm i reformuar, gjithëpërfshirës dhe i ndërtuar mbi barazi reale mund të garantojë stabilitet afatgjatë, kohezion shoqëror dhe perspektivë evropiane të qëndrueshme.
Shkup, 26 janar 2026












Ky lexon veten se nuk besoj e lexo kush