Maqedonia e Veriut i ka ofruar Ukrainës avionë luftarakë Su-25, të cilët ia kishte blerë Kievit në vitin 2001. Më konkretisht, mediat e rajonit raportojnë se bëhet fjalë për katër avionë Sukhoi Su-25 të cilët ishin në përdorimin e Forcave Ajrore të Maqedonisë së Veriut.
Siç raportohet, Ukraina i ka marrë tashmë mjetet fluturuese, por lajmi është konfirmuar më 14 mars nga Slavjanka Petrovska, ministrja e Mbrojtjes.
Shkupi ka heshtur për një kohë të gjatë për dërgimin e avionëve edhe pse informacionet qarkullojnë që nga gushti i vitit të shkuar. Autoritetet maqedonase as nuk i mohuan zërat aso kohe, por as nuk i konfirmuan raportimet e mediave.
Megjithatë, thuhet se avionët avionët luftarakë të Maqedonisë së Veriut janë të papërshtatshëm për fluturim dhe besohet se forcat e armatosura të Ukrainës mund të jenë duke i përdorur për pjesë zëvendësuese për avionët e tyre Su-25.
Përveç avionëve Sukhoi, Petrovska konfirmoi se Shkupi ka dërguar në Kiev ndihmë ushtarake si sisteme artilerie, tanke, raketa-hedhëse antitanke dhe raketa kundërajrore, si dhe pajisje dhe municione për avionët e Forcave Ajrore të Ukrainës.
/a.r