Si thuajse çdo vit, gjatë kësaj jave u përsërit fenomeni i bllokimit të perimeve shqiptare nga shteti maqedonas. Në kufirin fqinj, me justifikimin e analizave fitosanitare, u bllokuan dy ngarkesa me një vlerë prej 25 mijë eurosh.
Për Ministrin e Bujqësisë, Edmond Panariti, veprimi i përsëritur është krejtësisht i papërgjegshëm pa baza, dhe për qëllime të dukshme proteksioniste.
Ministri Panariti thotë në një intervistë ekskluzive për Report Tv se ai vetë dhe strukturat e shtetit shqiptar kanë ezauruar tashmë çdo përpjekje për të gjetur gjuhën e përbashkët me palën maqedonase.
Në këtë mënyrë shtetit shqiptar i mbetet vetëm të përgjigjet me të njëjtën monedhë, pavarësisht se kjo është një zgjidhje aspak logjike në kontekstin evropian dhe të marrëveshjeve ku janë të përfshira dy vendet.
Panariti thotë se tashmë shteti shqiptar ka hedhur hapa zyrtare në mënyrë që çdo rast bllokimi nga ana e Maqedonisë të merret në shqyrtim nga një strukturë evropiane, vendimi i së cilës të zbatohet nga të dyja palët./a.k