Nga Ylli Pata
Tashmë në përplasjen që po ndodh brenda Partisë Demokratike maskat kanë rënë plotësisht, e po e pohon çdokush, e nuk ka më fshehje pas atuve apo slloganëve për statut e demokraci.
Siç e thotë shpesh Arian Çani, jemi në një fazë ku rëndësi ka raporti i forcës dhe jo i idesë dhe suksesit politik.
E në një raport forcash, PD është ndarë në pjesën që e mbështet Sali Berishën në objektivin e tij për të marrë kreun e Partisë Demokratike dhe një pjesë që jo vetëm nuk e mbështet, por kërkon që Berisha të largohet nga andej dhe të lejojë një mjedis për tu bashkuar dy frontet.
Nëse deri përpara dorëheqjes së Lulzim Bashës, ishte pjesa e foltores që bënte thirrje për bashkim, sot Berisha as nuk mendon për bashkimin por kërkon që grupi i tij thjesht të marrë drejtimin e kontrollin e PD-së.
Ky fenomen nuk se është një gjë e re në politikën e këtij fraksioni politik shqiptar, pra qendrës së djathtë. Prej vitit 1990 ka pasur në këtë krah zëra të ndryshëm, madje shumë të ndryshëm forcash që nuk janë identifikuar vetëm me Sali Berishën.
Por ky i fundit, ka bërë çmos që këto grupime t’i izolonte politikisht e t’i priste rrënjën me partinë e madhe pra me PD-në.
I pari grupim kritik real ndaj Sali Berishës, ishin udhëheqësit e PD-së, të cilët u mënjanuan kur partia e parë opozitar në vend erdhi pranë pushtetit apo edhe mori pushtetin.
Neritan Ceka, nënkryetar i PD-së dhe kryetar i grupit parlamentar, Arben Imami, nënkryetar i PD-së, Gramoz Pashko, anëtar kryesie dhe kryeidologu i politikës ekonomike të PD-së, Preç Zogaj, Shahin Kadare, Ridvan Peshkëpia, Perikli Teta ishin të parët politikanë të lartë-themelues të Partisë Demokratike që tentuan të demokratizonin partinë, duke paraqitur Mocionin e tyre për zhvillimet politike. Ata u lanë jashtë pjesës së përgjegjësisë së pushtetit pas fitores së 22 marsit, me një gjest krejt sektar e të pamerituar, pasi ishin një grup intelektual dhe me ndikim në publik.
Berisha i përjashtoi ata nga PD dhe të gjithë këta intelektualë së bashku me të tjerë, ku mund të përmendet edhe avokat Ngjela, Gjergj Zefi etj, themeluan Aleancën Demokratike. Një parti liberal demokrate, që kundështonte fort dhe qartë devijimin autoritar dhe demokratik të Sali Berishës. Ky grupim u angazhua në opozitë të fortë ndaj Berishës, duke u bashkuar me PS-në, më pas me PSD-në e grupime të tjera që përbënë kundërshtarët politik të Sali Berishës.
Grupimi i PAD-së i dha opozitës ndaj Berishës një fuqi edhe thelb të rëndësishëm legjitimiteti dhe përmbajtjeje. Asnjëherë një PS e vetme, sado e hapur e demokratike të ishte ajo nuk do të kishte pasur mundësinë që të krijonte një opinion publik “antiberishë” që edhe sot e kësaj dite është shumë i fortë në elektoratin gri. Humbja e Sali Berishës në Tiranë në zgjedhjet e 1997-s është pikërisht pasojë e ngjizjes së antiberishizmit në elektoratin qytetar.
Por kjo pjesë e opozitës liberaldemokrate që vinte nga PD nuk u bë asnjëherë një parti apo lëvizje kompakte. Në mosngjizjen e kësaj pjese politike ka ndikuar natyrisht polarizimi që dy forcat e mëdha- PS e PD ka shtyrë në shoqëri. Shpesh herë, pozitat e forta anti-Berishë të PAD zgjonin simpatinë e militantëve të flaktë të PS-së që i konsideronin politikanët e Aleancës si më të mirë se udhëheqësit e PS-së. Por në zgjedhje, siç dihet socialistët votuan partinë e tyre e nuk e bënë faktor partinë më të zëshme anti-Berishë.
E kështu me kalimin e viteve PAD u shpërbë në një metamorfozë mjaft dëshpëruese. Arben Imami, Gramoz Pashko, Preç Zogaj, e më pas Neritan Ceka, një nga një e jot ë gjithë bashkë ju bashkuan Sali Berishës në operacionin “perfekt” të marketingut që ky i fundit bëri në vitin 2005-n për të “bashkuar PD e vjetër”. Berisha nuk i thirri të gjithë bashkë, por veç e veç, duke i ndarë nga tufa. Asnjërit nuk i dha një fuqi politike të madhe në qeverinë e tij të vitit 2005, por i vendosi në poste të niveleve të dyta e të treta.
Me një fjalë i poshtëroi pak a shumë. Avokat Ngjela, i cili u largua nga PAD më herët, 1997-a e kapi si përfaqësues i legalistëve në qeverinë e Pajtimit Kombëtar të Bashkim Finos në vitin 1997. Pas daljes së PD-së në opozitë, avokat Ngjela ju bashkua PD-së edhe si pjesë e koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike dhe Partisë së Legalitetit. i hyrë në udhëheqjen e lartë të PD-së, Ngjela qëndroi deri në vitin 2005, madje u bë kandidat për bashkinë e Tiranës, ku zhvilloi një garë të fortë. Në zgjedhjet e 2001 dhe 2005, avokat Ngjela arriti të fitojë në përballjen direkte si deputet në sy zona të ndryshme të Tiranës: Njësinë 1 dhe njësinë 9.
Kur Berisha u bë kryeministër, Ngjela nuk u përfshi siç dhe aleancistët në qeverinë e re. Avokati, si kryetar i Komisionit të Ligjeve, tentoi të bëhet digë e vendimeve antiligjore dhe autoritariste të Berishës. Përpjekja e tij u bë kryelajm në vitin 2006, kur përballë i tha Sali Berishës se ai ishte punist dhe nuk do ta lejonte të shkelej kushtetuta. Berisha e “ngriu” nga funksionet drejtuese duke e larguar nga PD.
Po ashtu edhe Genc Ruli e Dashamir Shehi në vitin 1997 u bënë kritikë të Berishës e formuan një parti të re politike. Në vitin 2005 Ruli u kthye në PD, ku u bë 2 herë ministër, kurse Dashamir Shehi tentoi edhe në vitin 2009 të sfidonte PD-në në pushtet me një pol të qendrës së djathtë me Aleksandër Meksin dhe Nard Ndokën. Një përpjekje që ju dha vota, por nuk i futi dot në Kuvend, si pasojë e sistemit të rreptë që ofron modeli aktual rajonal-proporcional.
Gjithashtu, gjatë viteve të para të pushtetit të Sali Berishës pra nga 1992-1997, pati edhe një grup brenda PD-së që vinte nga e djathta që u konfliktua me “liderin maximus”.
Ky grup përbëhej nga Petrit Kalakula, Abdi Baleta, Tomor Dosti etj, të cilët u përplasën me Berishën për ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave, duke e akuzuar atë për një devijim majtas të partisë. Edhe ky grup ka kundërshtuar autoritarizmin dhe mungesën e demokracisë së brendshme. Sigurisht edhe këta u larguan dhe nuk u afruan asnjëherë më në PD.
Këto janë shembuj e raste që patën ngjizur në publik për vite një qasje politike nga e djathta ndryshe nga Sali Berisha. Të gjithë këto grupime, edhe pse nuk patën një sukses elektoral e nuk u bashkuan asnjëherë mes vetes, ata krijuan, denoncuan dhe frymuan një politikë që nuk është lineare me berishizmin.
Por suksesi më i madh politik i një të djathte ka ndodhur në qendrën nevralgjike të së djathtës shqiptare: në Shkodër e Kavajë. Në vitin 1996 dhe 1997. Kur Partia Demokratike e Sali Berisha ishte në kulmin e pushtetit, por edhe e ndëshkuar egër nga SHBA dhe BE pra Perëndimi si armik i demokracisë pas zgjedhjeve të manipuluara të 26 majit 1996.
Në zgjedhjet vendore të tetorit 1996, në Shkodër, një grupim i quajtur “E Djathta e Bashkueme Shkorana”, që në përbërje kishte të djathtën klasike e tradicionale, pra: Ballin Kombëtar, Legalitetin dhe Shoqatën e të Përndjekurve Politikë, mundi Sali Berishën bindshëm.
E drejtuar në mënyrë brilante nga Mentor Quku, kreu i Ballit për Shkodrën, një studiues i apasionuar i Ndre Mjedës, DBSH pa kompleksin më të vogël kërkoi votat e votuesve të Partisë Socialiste në raundin e dytë. Të cilat i mori cik më cik. E çka shënoi edhe zhvillimin më të rëndësishëm politik pas 50 vjetëve në Shqipëri- një koalicion mes ballistëve dhe ish-komunistëve, e që natyrisht ishte një premisë për një paqtim e pajtim të gjeneratave të reja politike në vend.
Ndërkaq, në vitin 1997, në Kavajë, në zonën ku Sali Berisha ishte zgjedhur deputetë në 1991 dhe 1992, fitoi një kandidat i DBSH-kësaj herë një formacion më i zgjedhur kombëtar: E djathta e Bashkuar Shqiptare, ku përveç Ballit e Legalitetit, u bashkua edhe Partia Republikane e Sabri Godos.
Por këto faktorë nuk qëndruan në koherencë e me konseguencë në politikë, por humbën durimin e u ndanë duke bërë marrëveshje të veçanta me Berishën në 2001 e 2005, që solli shkërmoqjen e shkrirjen e këtyre formacioneve të suksesshme, që për herë të parë fituan zgjedhjet pa Sali Berishën. Madje, duke marrë edhe vota jashtë basenit të së djathtës. Dikush mund të thotë se janë përralla të së shkuarës, po mirë, këto dinosaurët e politikës sonë, i përkasin së ardhmes?!