Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka komentuar në emisionin 45 minuta në report tv, largimin e ministrit Tahiri duke bërë përgjegjës kryeministrin Rama.
Sipas Manjanit kryeministri Rama është nervoz dhe i paqartë ndërsa përjashtoi mundësinë që largimi i Tahirit të ketë ardhur si një kërkesë e kreut të LSI Meta.
Përsa i përket vazhdimit të koalicionit me PS anëtari i kryesisë së LSI-së tha se ende nuk ka një vendimmarrje te forumeve për këtë çështje.
Manjani theksoi se preferonte që LSI të dilte e vetme por shtoi se sistemi aktual bazohet mbi koalicionet.
Në lidhje me një kërkesë të disa eksponentëve të lartë të LSI për Metën kryeministër Manjani tha se postin e kryeministrit e vendos vota e njerëzve dhe jo tryeza.
Do doja ta nisja me ndryshimet në qeveri, e kam parë qeverinë Rama-Meta me një tufë ministrash pa zë, po ju dhe Tahiri ndoshta keni qenë ministrat e vërtetë por sot të dy jashtë kabinetit , si e mendoni këtë zhvillim?
Nuk dua ta mendoj në fakt, po si unë që fola pa leje si Saimir me leje jemi të dy jashtë. Kjo tregon lojën me disa standarde që ka kryeministri. Rama është krejtësisht nervoz, aspak i qetë, aspak i qartë. Ai është nervoz nga pasiguria për të ardhmen që i vjen nga disa pyetje që nuk u përgjigjet dot, siç është kanabizimi i Shqipërisë.
Mund të jetë shkarkimi i Tahirit një përgjigje ?
Nuk është i vetmi përgjegjës Ministri i Brendshëm. Ai ka bërë maksimumin. Kryeministri e mohonte se ekzistonte droga. Kjo ka qenë beteja ime, të paktën diçka u arrit, qeveria jonë nuk donte ta dinte. Tahiri nuk është përgjegjëses ekskluziv, unë mendoj se mënyra e drejtimit të kryeministrit është konfuze. Nuk ka disa përgjigje të pyetjeve. Një pyetje tjetër është përse vendi nuk është gati të hyjë ne zgjedhje. Organizimi i zgjedhjeve është detyrë e mazhorancës, kur fillon zbatimi është 50 me 50. Në këtë periudhë kaq të shkurtër para zgjedhjeve vështirë të gjejmë precedent të këtyre viteve që të jemi në këtë gjendje. Mendoj se opozita ka të drejtë.
Rama bëri një argumentim që nuk bindi askënd përsa i përket largimit të Tahirit, por ka dy hipoteza, një që është kërkuar nga Meta ashtu si Rama kërkoi largimin tuaj, si mendoni?
Rama për arsye personale ka kërkuar jo thjesht largimin e Ylli Manjanit. Ministri nuk duhet të marrë leje për të folur. Nuk kam pasur asnjë intervistë ku kam folur kundër linjës së Qeverisë. Problemi është te kryeministri.
A e ke tejkaluar në intervista linjën e qeverisë?
Aty ka folur ministri i drejtësisë, me përgjegjshmëri dhe standart zyrtar. E quaj veten me fat që kam treguar si duhet të sillet një ministër në kushte normale. Në kushte anormale kjo qeveri ka ministra plot.
Rama kërkoi largimin tuaj, Meta nuk u mbrojti?
Unë nuk u vetëzgjodha ministër. Mbaja një funksion te LSI. LSI-së i kam borxhe në kuptimin moral. Shenja e barazisë që ishte një këmbim, në gjithë dijeninë time ju siguroj që nuk është kjo.
Sipas jush Meta nuk ka kërkuar kokën e Tahirit?
Jo, Meta nuk merret me çështje kokash. Meta ka pranuar që kryeministër është Rama dhe i takon atij. Meta ka pranuar të goditet ministri i LSI nëse Rama e ka kërkuar.
Po hipoteza e ndërkombëtarëve?
Disa shenja i kam hedhur ditën që u largova nga ministria. Arsyeja themelore është kjo: konfuzioni dhe nervoziteti i kryeministrit. Vendi është pa qeveri se Rama është nervoz.
Kush e bën nervoz Ramën, LSI e bën?
Edhe LSI mund ta bëjë nervoz, besoj se në marrëdhënie me LSI Edi Rama nuk ka qenë i sinqertë. Rama e do LSI vetëm për zgjedhjet. Meta e di këtë. Rama është deficitar në marrëdhënie me LSI dhe kur afrohet data e zgjedhjeve shtohen tensionet.
Pse e thoni këtë, janë 5 ministra të LSI?
LSi nuk punon me ministra. Rama nuk ka fytyrë të ulet dhe të kërkojë program politik për bashkimin e të majtës. Unë nuk e kam uruar prishjen e koalicionit dhe nuk e uroj, jo si koalicion numrash por bashkim i së majtës. E majta nuk mund të penalizohet se Rama është konfuz dhe që mbi 6 muaj nuk qeveris.
Këto raporte të vështira me Ramën i keni parashtruar në mbledhje të qeverisë, sepse ka një perceptim që vetëm pas largimit keni reaguar?
Unë u largova sepse fola. Sepse kryeministri sëmuret kur dëgjon dikë që flet. Për mua Edi Rama u bëftë mbret, por Shqipërisë nuk i bëhet mirë me një kryeministër që ka problem fjalën e lirë. Pse normale është që kryeministri të shajë me libër shtëpie gjyqtarët dhe prokurorët?
Pas largimit të Tahirit erdhi mesazhi i Vasilit për zyrtarët e LSI ku thuhej nuk duhet të përdorët “Duam Metën kryeministër” a ishte largimi i Tahirit për të negociuar marrëveshjen e dytë të qeverisjes?
E di Rama.
Po LSI, ç’mendim ka?
Nuk e di çmendim ka. Unë mund të jap mendimin tim por jo të LSI.
Ju ka ardhur mesazhi i Vasilit?
Po, më ka ardhur. Partia ka planin e vet mediatik.
Ju do ta respektoni këtë udhëzim partiak, që të mos përdorni “Meta kryeministër”?
Kur bëj analizë jam njeri i lirë, pastaj reagimi është politik.
Si mundet një ministër që e ka kryeministrin në detyrë por do një kryeministër tjetër?
Ministri mundet që ç’ke më të se është figurë politike. Nëse ka një vendim qeverie ministri duhet të qepë gojën. Po për të bërë politikë ministri është i lirë. Rama është i bindur që ministrat të mos flasin pa lejen e Fugës. Rama më ka dhënë një detyrë “Fol çikë me Fugën që të flasësh”. Nuk kam qenë zëdhënës i askujt dhe nuk e kam ndërmend
Rama është i bindur që ka Metën në krahun e tij, po ju jeni të bindur?
Mendoj se kjo mënyrë qeverisje nuk mund të zgjasë më në Shqipëri. Ashtu siç jam i bindur që e majta shqiptare nuk ka pse penalizohet se kryeministri është nervoz dhe nuk qeveris. Si po bëjmë shtet kur kryetari i Bashkisë së Durrësit nuk zbaton vendimin e gjykatës? Ti mendon se Rama do vettingun? Unë mendoj se kjo është tema numër një sot: zgjedhjet. Vendi nuk është gati për zgjedhje, kjo është ulëritëse. Vettingu edhe sikur të ishte situatë normale do të bëhej pas zgjedhjeve. Vettingu nuk fillon dhe nuk mbaron në Parlament. Politika është e acaruar si asnjëherë tjetër më parë, për arsye kodi dhe krejt të menaxhueshme. Nervoziteti i kryeministrit sjell arrogancë,
Çfarë duhet të tolerojë shumica?
Ftesën për dialog. Kanabisi rrezikon realisht votën, sepse është një sistem kapilar i shtirë në territor.
Si anëtar kryesie mendoni se LSI duhet ta zgjasë koalicionin apo jo?
Do preferoja ulje të numrit të qarqeve ku secila parti të konkurronte në vete. Koalicionet parazgjedhore duhen ndaluar me ligj. Partitë duhet të masin veten sa vlejnë dhe më pas të bëjnë koalicione. Kryeministri duhet të dalë nga populli.
Pse Meta nuk po i jep përgjigje Ramës?
Nuk e di, pyesni Metën. Në dijeninë time Meta nuk ka një përgjigje për të dhënë pasi forumet e partisë nuk e kanë diskutuar këtë çështje,
Kur do të mblidhen forumet?
Nuk e di, kur të mblidhen do na thërrasin, do shkojmë e do themi mendimet tona.
Mendimi juaj është i qartë, ju jeni që të dilni vetëm?
Unë them që kjo është situatë ideale. Nuk e di a dalim vetëm apo nuk dalim vetëm, por në sistemin aktual kjo që them unë nuk e mundëson sepse sistemi aktual bazohet mbi koalicione, duhet ta pranojmë këtë gjë.
Dalja vetëm do i kushtonte LSI?
Cilado të jetë rezultati ka peshën e vet specifike. LSI ka qenë dhe është e fortë.
Jeni dakord me dëshirat e eksponentëve të LSI që Meta të jetë kryeministër?
E kam thënë edhe më parë, Meta në natyrën e tij ka talent për çështje ekzekutive por preferoj të them që kjo duhet të jetë një çështje që e vendosin shqiptarët, vota jep mandatin e kryeministrit.
Ka zëra se LSI mund të vendosë veto ndaj emrit të Xhafajt…
Nuk e di, po nuk besoj se ka arsye të veçantë që të ketë veto.
Ka një insistim të LSI përmes Vasilit kundër ONM, pse kaq rezerva?
Nuk besoj se është rezervë e LSI. Ka një tendencë që njerëz pranë kryeministrit e kanë fryrë që LSI është kundër.
Letrat shkuan deri në Bruksel dhe habitën Hanh?
Nuk është çështja te letrat apo sasia e letrave, tema është kjo që ONM duhet të ishte ftuar pas një vendimi të Këshillit të Ministrave, vendim që nuk është marrë. Ky është problem i brendshëm. Është një shkelje shumë e rëndë kushtetuese. ONM duhet të bënte krehje të listës. Në dijeninë time ka ende njerëz në atë listë që janë në konflikt interesi. Përveç 8 duhet të hiqen edhe 6 emra të tjerë.
Pse ka kaq pak transparencë?
Prandaj u vu ONM në kushtetutë pavarësisht se nuk është diçka normale. Ata po bëhen pjesë e gabimit.
Duke pasur parasysh se ju u larguat Tahiri po, Llala është drejt largimit, tre emra që u lidhën me Balilin, duket sikur Balili po ha koka ministrash…
Një shtet që është anëtar i Interpolit ka detyrë të zbatojë urdhrat e Interpolit. Edhe ne kemi pasur persona që i ka arrestuar Greqia në interesin tonë. Policia e Shtetit Shqiptar që prej 17 majit nuk e ka arrestuar këtë person të superkërkuar, pikë. Për fat të keq në 3 e gjysmë vitet e fundit nuk është rasti i parë që abuzojmë me Interpolin.
Si i keni pasur marrëdhëniet me Tahirin?
Kemi qenë kontribuues politik. Ishim kolegë, kemi punuar bashkë edhe në PS.
Largimi i Tahirit a e bën rival të Ramës, duke qenë që nuk ka rivalë?
Ministri është personalitet politik që zhvillon karrierën e tij. Ai konkurron në skena politike për t’u promovuar më shumë. Rama është ende personazh i fortë në PS pavarësisht se me filozofinë e tij s’e ka përfaqësuar të majtën shqiptare.
Po ju jeni ndjerë i pambrojtur nga Meta?
Unë kam pasur detyrë të bëj ministrin e drejtësisë. Me dijeninë time e kamë bërë me korrektesë. Pjesa tjetër është stil politik…
Stili juaj i pëlqen Metës?
Nuk është problem im.
Do jeni pjesë e listave të LSI?
E vendosin forumet. Nëse duan të më japin detyrë politike, patjetër që do ta vlerësoj. Nuk bëhet vetëm asgjë në këtë jetë, njeriu ka nevojë për miq dhe shokë.
Ka pasur zëra se ju zëvendësuat Naçon për t’i thënë Ramës po të vjen njeriu që nuk e doje?
Rama që në fillim e mori si lojë të Metës. Isha zv/ministër. Sa herë Rama kishte çështje ligjore për të konsultuar kam qenë në grupet e punës. Rama nuk e priti mirë kur u bëra ministër dhe nuk pati një tendencë për të më lexuar në atë që thoja unë por në atë që thonin analistët për mua. S’kam bërë kurrë deklaratë me urdhër të dikujt.
Duket se ka një paranojë mes Ramës e Metës, do vazhdojë gjatë?
Nuk besoj se është paranojë ka një mungesë besimi. Kriza reale në Shqipëri është kriza e besimit. Prandaj vendi është në kaos, s’ka qeveri vetëm propagandë. Prandaj është polarizuar tensioni politik pozitë-opozitë, duhet dialog.
U fol për disa kontenierë mbetjesh, keni një koment për këtë ngjarje?
Që prej viti 2013 e në vijim në Shqipëri nuk lejohet importi i mbetjeve nga asnjë vend. Asnjë gram mbetje nga asnjë shtet tjetër nuk mund të vijë në Shqipëri për asnjë arsye. Lejohet që ligjërisht Shqipëria të shërbejë si vend tranzit për kalimin e mbetjeve. Praprakisht merret leje mjedisore në Shqipëri për kalimin e mbetjeve tranzit. Nëse një kategori mbetjesh tenton të hyjë në Shqipëri është e ndaluar. Siç është bërë edhe publike deklarata tranzit për mbetjet në këto 3,5 vite ka pasur 10 raste dhe janë nga Kosova. Ndërsa për pjesën e importit në media e pashë dhe u skandalizove. Gomat e përdorura janë të ndaluara të futen në Shqipëri, fakti që kanë hyrë kemi një vepër penale. Kemi shkelje ligji dhe nuk kemi asnjë doganier të arrestuar. Nëse vërtetohet qeveria duhet të ishte e gjitha në burg.