Nga Jordan Daci/
Politika është politik, por në fund çdo gjë fillon dhe mbaron me ligjin
(Shenim: s’kam bere politik dhe s’dua te debatoj per politike.)
Situata aktuale në Kuvendin e Shqipërisë, ngre një seri pikëpyetjes dhe mbi të gjitha vë ne dukje shume absurditete dhe vërteton iligjimitetin e sistemit ligjor zgjedhor aktual. Konkretisht:
Sistemi aktual parashikon si zona zgjedhore rajonale, 12 qarqet e vendit të cilët kanë një numër shpërpjestimisht të pabarabartë popullsie. Në këto kushte, pa një korrigjim kombëtar, ky system shkel parimin themelore kushtetues të barazisë së votës. Sepse vota e disa qytetarëve vlen nga 1,5 në 2 e më shumë vota. Në shifra në nivel kombëtar, kjo situatë, shprehet si vijon:
LSI ka marr gjithsesj në shkallë vendi 225.901 ose 14.28 % vota dhe ka përfituar 19 mandate. Pra ka marr një mandat për 11889.52 vota.
PS ka marr gjithsesj në shkallë vendi 764750 vota ose 48.34 % dhe ka përfituar 74 mandate. Pra ka marr një mandat për 10334.45 vota.
PD ka marr gjithsesj në shkallë vendi 456.413 ose 28.85 % vota dhe ka përfituar 43 mandate. Pra ka marr një mandat për 10614.25 vota.
PDIU ka marr gjithsesj në shkallë vendi 76.069 vota ose 4,81 % dhe ka përfituar 3 mandate. Pra ka marr një mandat për 25356.33 vota.
LIBRA ka marr gjithsesj në shkallë vendi 19806 vota ose 1,25 % dhe s’ka përfituar asnjë mandat.
Në këto kushte, pesha e votave paraqitet afërsisht si vijon:
– Një votë e PS dhe thuajse po aty edhe e PD, vlen rreth 0,15 herë ose ka rreth 15% më shumë sesa vota e LSI.
– Një votë e PS dhe thuajse po aty edhe e PD, vlen afersisht sa 2,5 herë vota ose ka 245,35 % më shumë vlerës sesa vota e PDIU.
– Ndërsa në rastin e LIBRA, ky raport e shprehur në përqindje duke qenë se s’ka marrë asnjë mandat, një votë e PS dhe thuajsë po aty edhe e PD, vlen afersisht sa 2 herë më shumë sesa vota e LIBRA ose ka rreth 192 % vlerë më shumë. Në fakt fakti që ska marrë asnjë mandat i bie që vlera të jetë më e madhe se 2.
Problematika pasqyrohet në të njëjtat raporte edhe përsa i përket pragut prej 3% dhe 5 % për parti dhe koalicione në kushtet kur numri i votuesve është ekstremisht i pabarabartë. Psh. Tirana ka pasur vota të 423728 vota, ndërsa Kukësi 42.837 vota ose 989 % më shumë ose 1 votë në Kukës vlen rreth 10 vota në Tiranë.
Nisur nga shifrat e mësipërme vërtetohet se sistemi është krejtësisht i deformuar dhe në funksion të dy ose 3 partive kryesore dhe është një sistem i cili bie ndesh me Kushtetutën e RSH.
Lidhur me mandatet e dorëhequra të opozitës, duhet theksuar se mandati si nocion nuk është i djegshëm sepse mandati nuk i takon partisë ose deputetit përkatës, por popullit i cili e delegon tek përfaqësuesi, i cili nuk është mandat detyrues në kuptim që nuk lidhet me partinë që e ka vendosur në listë kandidatin. Mandati lidhet me të drejtën për të qenë i përfaqësuar të një pjesë të popullsisë nga e cila buron ai. Në këtë kuptim, mandati nuk mund të humb edhe nëse e gjithë lista e partive aktuale parlamentare dorehiqen. Madje, në këtë rast si pasojë e pabarazisë së votës, sipas parimit të drejtpeshimit ose proporcionalitetit që është parim themelor kushtetues duhet t’i kalojnë 2 mandate partisë Libra dhe PDIU të marr afërsisht edhe 4 mandate të tjera. Ky do ishte rezultati nëse do të kishim korrigjim kombëtar dhe se korrigjimi kombëtar ndonëse nuk parashikohet në Kod Zgjedhor është një e drejtë kushtetuese që buron nga parimi themelor kushtetues i barazisë së votës.
Absurditeti tjetër është që nëse nga listat e partive që kanë dorëhequr deputetet aktual, 5 deputetë e më shumë e pranojnë mandatit, ato mund të krijojnë një grup parlamentar i cili do të ishte formalisht i partisë që i ka propozuar në listë ndonëse partia vetë në fjalë nuk është de fakto pjesë e parlamentit dhe asnjë vendim i kësaj partie nuk do të mund të zhbënte përkatësinë politike të këtij grupi tek kjo parti. Kjo do të bënte që ky grup parlamentar të përfitonte edhe fondet që i takojnë Grupit Parlmentar përkatës. Një situatë që juridikisht është normale dhe politikisht është absurde.
Pikëpyetja e radhës është cfarë bëhet me vendet që mbetet bosh dhe nuk plotësohen nga listat aktuale. Zgjidhja juridike është zgjedhje të përgjithshme për secilën zonë vetëm për numrin e mandateve që mbeten vakant dhe kjo nënkupton që një pjesë e këtyre mandateve mund të fitohen nga mazhoranca aktuale ose ndonjë parti tjetër e vogël.
Kjo gjë mbetet të marr përgjigje në vijim, por një gjë është e sigurt, kjo situatë dëmton cdo qytetar shqiptar dhe përdhos sovranitetin popullor dhe rrjedhimisht zhbën edhe demokracinë imagjinare që shqiptarët mendojnë që kanë ose kanë pasur.
Zoti i bekoftë Shqiptarët!