Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka vizituar të lënduarit në spitalin e Traumës.
“Vizitova në spitalin e Traumës Aleksin, një prej të mbijetuarve të tragjedisë së Thumanës, të cilit çdo ditë që kalon, po i lehtësohet dhimbja e trupit, por ka dhimbjen e madhe në shpirt për familjarët që humbën jetën nën rrënoja”, shkruan ministrja në postimin e saj në facebook.
Spitali Universitar i Traumës ka pritur numrin më të madh të të lënduarve nga tërmeti i datës 26 nëntor ndaj dhe Manastirliu ka vlerësuar punën e mjekëve në këtë spital.
“16 të lënduar nga tërmeti po rekuperojnë por janë ende nën kujdesin e mjekëve në spitalin universitar të Traumës, i cili ka përballuar peshën kryesore të mbi 900 të lënduarve që morën shërbim në spitalet tona si pasojë e tërmetit që goditi rëndë vendin tonë”, shkruan Manastirliu.
Përveç spitalit të Traumës, edhe spitali i Durrësit, Lezhës, Kurbinit, QSUT kanë pritur të lënduar për t’u ofruar kujdes shëndetësor. Në ditët që pasuan ekipet e mjekëve, infermierëve, psikologëve dhe punonjësve sociale ofruan shërbime shëndetësore dhe psiko sociale në hotele, kampe ku kishte familje që kanë humbur banesat e tyre nga tërmeti. /e.s/