Ministrja e Shëndetësise Ogerta Manastirliu me anë të një deklarate për mediat tha se janë marrë masa për të gjithë ata persona që nuk respektojnë rregullat për koronavirusin.
Manastirliu u shpreh se në Aktin e Ri Normativ parashikohet dënimi me gjobë deri 10 milionë lekë për ata që nuk iu binden urdhërave të lëshuara nga qeveria.
Njoftimi i ministres Manastirliu:
Në komunikimin me publikun, ministrja Manastirlu ka informuar mbi aktin normativ që qeveria ka ndërmarrë për të përforcuar zbatimin e rregullave, vendimeve dhe urdhrave për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19. “Në varësi të dinamikës së hospitalizimit të të prekurve nga infeksioni COVID-19, vetëm nëse kapërcehen kapacitetet publike, strukturat spitalore private, ambulatore, hoteliere, autoambulancat dhe personeli përkatës, shëndetësor e mbështetës vendosen në dispozicion të përballimit të situates”, tha Manastirliu.
Gjatë informimit mbi aktin normativ, Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se ndalohet eksporti i barnave dhe pajisjeve mjekësore nga Republika e Shqipërisë. Çdo shkelje dënohet me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë dhe iu sekuestrohet e gjithë sasia e barnave/pajisjeve mjekësore. Ndërsa mosofrimi i shërbimeve nga farmacitë, tregtuesit me shumicë të barnave dhe prodhuesit e barnave, duke zbatuar kriteret e sigurisë të përcaktuara nga organet kompetente, dënohet me gjobë në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë për tregtuesit me shumicë dhe në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë për tregtuesit me pakicë. Akti normativ i qeverisë përfshin dënim me gjobë për të gjithë qytetarët të cilët nuk deklarojnë tek autoritetet historikun e tyre të udhëtimit nga vendet e prekura nga COVID-19, apo nuk vetëkarantinohen sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë. Dënohen me gjobë gjithashtu edhe baret, restorantet, palestrat, kinematë, qendrat e internetit dhe të gjitha subjektet e përcaktuara në urdhërat e mëparshëm të cilët nuk ndalojnë zhvillimin e aktivitetit të tyre. Manastirliu apeloi për zbatimin rigoroz të vendimeve, për të mundësuar që ekipet mjekësore të shërbejnë në terren dhe të bëjnë më të mirën e mundshme për t’ju përgjigjur qytetarëve në këtë situatë të vështirë të përballjes me COVID-19.
Më poshtë gjeni pikat e dekretit të qeverisë për: MARRJEN E MASAVE TË VEÇANTA ADMINISTRATIVE GJATË KOHËZGJATJES SË PERIUDHËS SË INFEKSIONIT TË SHKAKTUAR NGA COVID-19 Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave: V E N D O S I: Neni 1 Objekti dhe subjektet Ky akt normativ ka për objekt përcaktimin e masave të veçanta që do të merren ndaj personave fizikë/juridikë apo individë, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht vendbanimit të tyre, të cilët shkelin rregullat, vendimet, urdhrat dhe udhëzimet e nxjerra nga organet kompetente, gjatë gjithë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19. Neni 2 Qëllimi Ky akt normativ ka për qëllim përcaktimin dhe forcimin e zbatimit të rregullave, të vendimeve, të urdhrave dhe të udhëzimeve të nxjerra nga organet kompetente, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19. Neni 3 Masat e veçanta administrative 1. Subjektet që eksportojnë barna dhe pajisje mjekësore nga Republika e Shqipërisë, pa autorizim të posaçëm të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për kryerjen e këtij aktiviteti, dënohen me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë dhe iu sekuestrohet e gjithë sasia e barnave/pajisjeve mjekësore. Në rast përsëritjeje, masave të mësipërme iu shtohet edhe ndalimi i eksportit të barnave/pajisjeve mjekësore, deri në 6 muaj. 2. Subjektet apo individët që organizojnë zhvillimin e aktiviteteve publike dhe jopublike, si aktivitete sportive, kulturore dhe konferenca, apo grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura, si koncerte, tubime dhe dëgjesa publike, dënohen me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë për organizatorët dhe ndalimin e aktivitetit. 3. Hyrja e shoqëruesve dhe/ose e familjarëve të pacientëve në ambientet e shërbimit të urgjencës mjekësore, institucionet e kujdesit shëndetësor, ambientet e shërbimit spitalor ku janë duke marrë trajtim spitalor pacientët, vetëm me përjashtim të rasteve kur një kërkesë e tillë vjen nga drejtoria spitalore, dënohen me gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë për shoqëruesin dhe/ose familjarin e pacientit si dhe për personin përgjegjës që ka për detyrë zbatimin e këtij rregulli. 4. Dënohet me gjobë në masën 700 000 (shtatëqind mijë) lekë: a) Shtetasi, i cili hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk deklaron ardhjen e tij nga zonat e prekura nga infeksioni COVID-19, të deklaruara nga organet kompetente, vendase ose të huaja apo ndërkombëtare; b) Shtetasi, i cili hyn nga zonat e prekura në territorin e Republikës së Shqipërisë, që nuk vetëkarantinohet për një periudhë 14-ditore në ambientet e banesës së tij, si një masë parandaluese për mospërhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID–19; c) Shtetasi, i cili vjen nga zonat e prekura dhe nuk zbaton urdhrin e dhënë nga organet kompetente për vetëkarantinimin e detyrueshëm; ç) Shtetasi, i cili ka rezultuar pozitiv dhe nuk zbaton urdhrin e dhënë nga organet kompetente për vetëkarantinimin e detyrueshëm. 5. Institucionet arsimore, çerdhet dhe kopshtet, publike dhe jopublike, që nuk mbyllin aktivitetin e tyre për periudhën e përcaktuar nga autoritetet kompetente, dënohen me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë për institucionet arsimore, publike/jopublike, dhe në masën 1 000 000 (një milion) lekë për çerdhet dhe kopshtet, publike/jopublike. Në rast përsëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e veprimtarisë për një periudhë 6-mujore. 6. Subjektet apo individët, publikë apo privatë, që zhvillojnë aktivitete në ambientet e mbyllura të argëtimit për fëmijë e të rinj, palestrat, qendrat sportive, pishinat, qendrat e internetit, qendrat kulturore, që nuk zbatojnë urdhrin e organit kompetent për mbylljen e tyre, dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë, dhe në rast përsëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e veprimtarisë për një periudhë 6-mujore. 7. Subjektet apo individët, të cilët nuk zbatojnë urdhrat e dhëna nga organet kompetente për mosmbylljen e bareve, lokaleve, restoranteve dhe klubeve, dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milionë) lekë dhe në rast pësëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e aktivitetit për një periudhë 6-mujore. 8. Subjektet dhe individët, publikë apo privatë, të cilët, në kundërshtim me urdhrat e autoriteteve kompetente, lejojnë zhvillimin e aktiviteteve sportive, sociale, kulturore, ekskursionet mësimore të organizuara nga institucionet arsimore, publike dhe private, brenda dhe jashtë vendit, dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milionë) lekë dhe në rast pësëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e aktivitetit për një periudhë 6-mujore. 9. Organet e shërbimit postar duhet të garantojnë vazhdimësinë e shërbimit dhe të hartojnë një plan masash për të kufizuar kontaktet e punonjësve me publikun dhe për të shmangur grumbullimin në sportele apo në ambiente të tjera të brendshme.
Moszbatimi i këtij detyrimi dënohet me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe në rast përsëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e veprimtarisë për një periudhë 6-mujore. 10. Në ambientet e brendshme apo strukturat e veçanta të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të poliklinikave, të spitaleve, publike e jopublike, ku zhvillohen vizita dhe konsulta ambulatore, të merren masa të menjëhershme për ndalimin e grumbullimit të pacientëve. Moszbatimi i këtij detyrimi dënohet me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe në rast përsëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e veprimtarisë për një periudhë 6-mujore. 11. Drejtuesit e automjeteve, të cilët nuk zbatojnë ndalimin e qarkullimit të mjeteve të transportit, publik dhe privat, përfshirë automjetet private, në zonat dhe oraret e përcaktuara nga organet kompetente, dënohen me heqje të lejes së drejtimit për një periudhë trevjeçare dhe me bllokim të mjetit. Nga ky rregull përjashtohen personat e autorizuar nga organet kompetente. 12. Rritja e çmimit të shitjes të të gjitha mallrave dhe produkteve ushqimore, barnave, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve, në krahasim me çmimin e tyre në shitje të rregullt, të tregtuar në muajt paraardhës nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, dhe për produktet sezonale, sipas çmimit të tregtuar në të njëjtën periudhë kohore në vitin paraardhës nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, kur nuk vjen si pasojë e rritjes së çmimit nga importi i tyre, dënohet me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë për tregtuesit me shumicë dhe 100 000 (njëqind mijë) lekë për tregtuesit me pakicë. Në rast përsëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e veprimtarisë për një periudhë 6-mujore. 13. Të gjitha transmetimet audiovizive me më shumë se dy persona në të njëjtën studio televizive dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe në rast përsëritjeje iu shtohet edhe vendosja e bllokimit, të pjesshëm ose të plotë, të transmetimit nga media audiovizive si dhe bllokimi dhe/ose ndalimi i funksionimit të pajisjeve, pas marrjes së vendimit nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe zbatohet nga organi kompetent. 14. Mosofrimi i shërbimeve nga farmacitë, tregtuesit me shumicë të barnave dhe prodhuesit e barnave, duke zbatuar kriteret e sigurisë të përcaktuara nga organet kompetente, dënohet me gjobë në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë për tregtuesit me shumicë dhe në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë për tregtuesit me pakicë. Në rast përseritjeje me bllokimin e të gjithë sasisë së mallit dhe mbylljen e veprimtarisë për një periudhë trevjeçare. 15. Mosofrimi i shërbimeve nga subjektet/individët që tregtojnë produkte ushqimore, me shumicë apo pakicë, duke zbatuar kriteret e sigurisë të përcaktuara nga organet kompetente, dënohet me gjobë në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë për tregtuesit me shumicë dhe në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë për tregtuesit me pakicë. Në rast përsëritjeje me bllokimin e të gjithë sasisë së mallit dhe mbylljen e veprimtarisë për një periudhë trevjeçare. 16. Në varësi të dinamikës së spitalizimit të të prekurve nga infeksioni COVID-19, me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, vendosen në dispozicion edhe strukturat private spitalore, ambulatore, hoteliere, autoambulancat dhe personeli përkatës, shëndetësor e mbështetës. Moszbatimi i këtij urdhri dënohet me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë dhe në rast përsëritjeje vendoset bllokimi i aktivitetit, duke e vendosur strukturën në dispozicion të shërbimit publik shëndetësor gjatë gjithë kohëzgjatjes së infeksionit COVID-19. Në këtë rast, personeli përkatës, shëndetësor e mbështetës, është i detyruar të shërbejë nën drejtimin e strukturave shëndetësore shtetërore. Moszbatimi i këtij detyrimi nga personeli përkatës, shëndetësor e mbështetës, dënohet me gjobë në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë dhe në rast përsëritje iu shtohet edhe heqja e të drejtës së ushtrimit të profesionit për një periudhë dhjetëvjeçare. Neni 4 Organet kompetente për dhënien e masave administrative
1. Të drejtën e dhënies së masave administrative, sipas përcaktimeve të nenit 3, të këtij akti normativ, e ka organi kompetent sipas fushës së përgjegjësisë dhe, në çdo rast, nga Policia e Shtetit.
2. Për rastet e përcaktuara në nenin 3, të këtij akti normativ, nuk jepet e njëjta masë administrative njëkohësisht nga dy ose më shumë organe kompetente. Në këto raste zbatohet masa e dhënë nga organi që ka konstatuar i pari shkeljen.
3. Gjobat e dhëna, sipas këtij akti normativ, përbëjnë titull ekzekutiv dhe modeli i tyre përcaktohet nga organi kompetent sipas fushës së përgjegjësisë dhe, në çdo rast, nga Policia e Shtetit. 4. Gjobat e mbledhura, sipas këtij akti normativ, derdhen 100% në buxhetin e shtetit. 5. Shqyrtimi dhe dhënia e masave administrative bëhen në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative. Neni 5 Vendimmarrja nga organet kolegjiale Marrja e vendimeve nga organet kolegjiale, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, realizohet edhe nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik. Neni 6 Kohëzgjatja dhe zbatimi 1. Ky akt normativ ka karakter të përkohshëm dhe zbatohet për aq kohë sa zgjat periudha e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19. 2. Zbatimi i këtij akti normativ, për kohëzgjatjen e periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, ka përparësi ndaj dispozitave të akteve të tjera lidhur me masat administrative. 3. Në çdo rast, ky akt normativ nuk përjashton aplikimin e legjislacionit në fuqi për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve infektive apo akte të tjera ligjore, për aq kohë sa nuk janë në kundërshtim me dispozitat e këtij akti.
Neni 7 Hyrja në fuqi Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.