Jamarbër Malltezi, i ftuar në studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, deklaroi se Gabriel Escobar ka influencuar prokurorët që të veprojnë ndaj Sali Berishës, gjë që, sipas tij, “është e kundraligjshme në cilindo legjislacion të botës”.
“Gabriel Escobar ka thënë në një intervistë se “ne e kemi bërë punën tonë dhe tani i takon hetuesve shqiptarë të veprojnë ndaj Sali Berishës”.
Kjo është influencë pa gjyq, kjo është e kundraligjshme në cilindo legjislacion të botës”, tha Malltezi.
Më tej, ai akuzoi edhe ish-ambasadoren amerikane Yuri Kim:
“Unë kam njoftuar edhe DASH-in se Yuri Kim është e korruptuar sepse ka vepruar nën urdhrat e Edi Ramës për interesat e Ramës dhe Sorosit.
Ajo ka ndërhyrë në një proces gjyqësor duke i bërë presion prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kemi raportime mediatike që i kam përfshirë në njoftimin që i kam dërguar DASH-it.
Një pushtet i pavarur nuk del në revistë me askënd tjetër”, tha ai.
Malltezi e quajti arrogancë shtetërore privimin e lirisë, ndërsa një nga vendimet ku nuk i lejohej komunikimi me askënd e cilësoi çmenduri, teksa renditi dhe arsyet e lirimit të tij nga masa e arrestit shtëpiak.
“E para, mbaruan zgjedhjet, e dyta, ka 3 çështje në emrin tim në Strasburg dhe avokatura ka shkuar në arkivin e gjykatës se një nga vendimet është i çmendur, moskomunikimi me askënd përveç atyre në banesë dhe as me avokatët.
E treta se po shkonte dy vite dhe afati kushtetues nuk mund të jetë më tepër se dy vite. Qeverisja e kishte problem komunikimin tim me persona të tretë. Privimi i lirisë është arrogancë shtetërore, problemi kryesor lidhet me komunikimin e përditshëm dhe nevojat e fëmijëve që nuk i përgjigjesh dot”, tha ai.
Duke theksuar se në dosjen Partizani ka pasur shumë absurditet, Malltezi tha se një prej tyre ka qenë edhe moskomunikimi me avokatët, për të cilën në të gjitha gjykatat ku kanë shkuar për ta ankimuar u është refuzuar.
“Për gjyqtarët e Ramës të zhvillosh pronën tënde është herezi, kjo është për të qeshur e qarë. Ka pasur shumë elementë absurditeti në këtë histori dhe një që është të mos komunikosh me avokatët. Një nga avokatët i sugjeroi sime shoqeje të ankimonin masën e moskomunikimit. Ka shkuar në të gjithë gjykatat dhe e kanë lënë në fuqi, është çmenduri”, u shpreh dhëndri i Berishës.
Malltezi vijon më tej duke shtuar se arrestimi i tij pa një letër është një tjetër absurd që tregon se nuk donin hetim për të vërtetën, por ndiqnin urdhrat politikë:
“Absurditeti i të arrestuarit pa të dhënë një copë letër, momenti i parë, i dyti si nuk pyesin se unë kisha dosjen që tregon se nuk kemi hetim për të vërtetën, por ndjekje të urdhrave politikë që shkojnë në absurditet”.











