Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Lefter Maliqi mbajti një konferencë për mediat, ku hodhi akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Maliqi, duke sjellë shembullin e Kosovës në zgjedhjet e fundit, tha se duhet që sistemi në Shqipëri të ndryshojë sepse vendi është në alarm.
“Zgjedhjet e fundit në Kosovë, akti demokratik i Haradinajt, tregoi se ai mbi interesin vetjak vuri atë të popullit.Të vetmit njerëz që nuk vendosën interesin e tyre para qytetarëve. Populli i Kosovës dha një leksion të qartë, fituesit përshëndetën popullin, humbësit përshëndetën fituesit.”, -tha Maliqi.
Maliqi kërkoi që sistemi të ndryshojë, por ai shtoi se palët nuk e duan këtë gjë, sepse kanë hallin e pushtetit.
“Këta po të duan brenda ditës mund ta bëjnë reformën zgjedhore. Këtë nuk duan, për shkak të marrëveshjes së 2008 sepse duan që ta mbajnë pushtetin.”, -u shpreh ai.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të ngrihen, duke filluar nga vetë ai, për të ndryshuar situatën në të cilën ndodhet vendi jonë.
“Unë jam për t’ju thënë se ne duhet të ngrihemi, fatet e vendit janë në rrezik. Kryeministri flet për bandat e Durrësit, por nuk tregon cilat janë ato.”-deklaroi ai.
Deputeti Maliqi deklaroi se ishte i gatshëm që të hiqte dorë nga mandati i tij, me qëllimi ndryshimin e sistemit dhe që gjërat të ndryshojnë në vendin tonë, në mënyrë që të kthehet shpresa tek shqiptarët.
“Ka ardhur koha që Edi Rama të largohet nga pushtetit. Vendi është në alarm. Thirrje të gjithë shqiptarëve. Nuk e duam këtë mandat. Kjo është diktaturë e pastër. Të ndryshojë sistemi. I bie nga unë i pari të ikë. Fëmijët tanë nuk duhet të vuajnë.”, përfundoi Maliqi.
g.kosovari