Një shtetas shqiptar nga Kosova është arrestuar në Budva, raporton gazeta malaziase “Vijesti”.
Gazeta shkruan se arrestimi është bërë katër ditë më parë nën dyshimin se 30-vjeçari Bajram Pista kishte shkuar në qytetin bregdetar malazez i ngarkuar për të vrarë anëtarin e njërës prej dy klaneve kriminale që janë në konflikt.
Jo zyrtarisht, gazetës “Vijesti” i është thënë se inspektorët policorë në Budva janë duke hetuar edhe se kush ka qenë në përkrahje të Pistës në këtë qytet, sepse besohet që disa persona kanë pasur kontakt me të dhe i kanë ofruar ndihmë logjistike.
Sipas gazetës, Pista është arrestuar më 29 prill, në një banesë në hyrje të Budvës. Thuhet se i arrestuari është nga Rahoveci, dhe se në momentin e arrestimit atij i janë gjetur edhe armë, municion, heroinë dhe një telefon i koduar. BW