“Do të shtyp me makinë. Do të djeg me acid. Do të vras. Ti nuk do të lidhesh me mashkull tjetër”. Një 42-vjeçar nga Tirana ka kërcënuar me këto fjalë ish-të dashurën e tij, financiere në një prej fakulteteve të Universitetit të Mjekësisë. Pas një marrëdhënieje dashurie 6- mujore, Albert P. nuk e ka pranuar vendimin e partneres T. I. për t’u ndarë.
Për dy muaj me radhë, ai e ka përndjekur hap pas hapi, pa i kursyer veprimet e dhunshme dhe telefonatat kërcënuese. Pas kallëzimit të financieres, Albert P. përfundoi si i pandehur në Gjykatën e Tiranës. Pak ditë më parë, ai u fajësua për akuzën e “përndjekjes” dhe u dënua me 6 muaj e 20 ditë burg. Sipas Gjykatës, ai i ka shkaktuar kallëzueses një gjendje të vazhdueshme ankthi. Në periudhën qershor-gusht 2014, i pandehuri e ka telefonuar 126 herë kallëzuesen, me një shpeshtësi deri në 14 thirrje në ditë. Ndërkohë nuk ka marrë asnjë telefonatë prej saj.
Ai u gjykua në gjendje të lirë. Gjatë procesit ka shfaqur pendesë, duke pohuar se e kishte pasur të vështirë të pranonte ndarjen, por nuk kishte pasur qëllim përndjekjen e ish-të dashurës.
SHPIMI I GOMAVE
Në datën 01.08.2014, kallëzuesja ndodhej duke drejtuar mjetin e saj në semaforin te Komuna e Parisit, ku ishte në pritje të hapjes së dritës jeshile. Në këtë çast, i pandehuri Albert P. ka ndaluar paralelisht me mjetin e tij dhe pasi ka dalë nga mjeti, me një thikë që e ka nxjerrë nga xhepi, ka çarë dy gomat e para të mjetit të kallë- zueses, tip “BMW”.
SULMI NE FAKULTET
Në datën 02.09.2014, shtetasja T.I. është paraqitur në Komisariatin e Policisë nr.4, Tiranë, ku ka kallëzuar se është shqetësuar nga i pandehuri në telefon. 42-vjeçari i ka kërkuar takim, ndërsa ajo e ka refuzuar, por i pandehuri ka reaguar duke tentuar të futet me forcë në zyrën e saj të punës. Pasi ka mbyllur derën me forcë, ka njoftuar në numrin 129. I pandehuri është larguar përpara se të mbërrinin punonjësit e policisë. Nga këqyrja e numrit të telefonit të kallëzueses ka rezultuar se Alberti i kishte dërguar një SMS, ku thuhej: Hape telefonin se dua të them dy fjalë, nuk e kuptoj përse trembesh, nuk të shqetësoj më. I pyetur në lidhje me këtë episod, i pandehuri ka pohuar duke pranuar që ishte i dashuruar me kallëzuesen dhe nuk mund të ndahej me të.
KERCENIMI NE RRUGE
Në datën 12.09.2014, rreth orës 18:30, kallëzuesja ndodhej te hyrja e Kopshtit Zoologjik, ku ka parë të pandehurin që e priste pranë makinës së saj. Kur është afruar te mjeti, i pandehuri i është drejtuar kallëzueses duke bërtitur me ton të lartë se “kishe dalë me të dashurin e radhës”, duke tentuar ta kapte me duar. Ajo ka kërkuar ndihmën e disa policëve rrugorë që ishin aty pranë, të cilët janë afruar dhe kanë mbajtur të pandehurin derisa kallëzuesja është larguar.
THYERJA E MAKINES
Rreth orës 20:30, të datës 5 prill 2015, shtetasja T.I. ka kallëzuar se rreth orës 17:00 kishte parkuar mjetin e saj “Smart” në rrugën “Ramazan Demneri”, ndërsa vetë po pinte kafe në një lokal aty pranë. Kur ka dalë nga lokali, rreth orës 19:30 ka parë makinën e Albertit pranë mjetit të saj, që është larguar me shpejtësi. Kur është afruar te makina e saj, ka konstatuar se ishte thyer xhami i derës së pasagjerit.
PANORAMA