Leiçester Siti vulosi titullin e Premier Ligës pa shkelmuar topin. Titulli monumental u sigurua nga ata që në fillim të sezonit ishin favoritë për të rënë në Championship.
Nga golat spektakolarë të Vardisë, te mjeshtëria e menaxhimit të Ranierit. Nga gjenialiteti i Mahrezit, te mbrojtja stoike e kapitenit Morgan, “dhelprat” ishin historia e sezonit.
“SportsMail” u ka vendosur notën 10 të gjithë heronjve pas një sezoni që është shkruar në përjetësi.
KASPER SHMAJKËLL – 10
Ka luajtur çdo minutë dhe ka qenë shpëtimtar me pritjet e tij veçanërisht në ndeshjet ndaj Totenhemit, Sitit dhe barazimin në “Old Trafford”. Ka dalë gjithnjë i sigurt nga porta dhe ka qenë vendimtar në nisjet e ekipit në kundërsulm.
Ndeshje: 36 (0 si zëvendësues)
Gola: 0
Statistika: Ka ruajtur 15 herë të paprekur portën, asnjë portier nuk ka bërë më shumë.
DENI SIMPSON – 10
Pasi e nisi sezonin nga stoli, ai hyri në skuadër pas humbjes 5-2 të Leiçesterit ndaj Arsenalit dhe ka qenë i shkëlqyer prej atëherë. Kur shtyn përpara nga krahu i djathë mendon edhe të mbyllë hapësirat e lëna në qendër. Shkëlqeu në fitoren 1- 0 ndaj Sauthemptonit.
Ndeshje: 28 Gola: 0
Statistika: Ka humbur vetëm dy ndeshje me Leiçesterin këtë sezon dhe kurrë me një disavantazh më të thellë se një gol.
UES MORGAN – 10
E arriti maksimumin e potencialit të tij në moshën 32-vjeçare, duke u kthyer në një qendërmbrojtës të pakalueshëm përballë sulmuesve më të mirë të Premier Ligës. I lexon situatat më përpara se të tjerët, i përqendruar në maksimum dhe është sakrifikuar duke vendosur trupin e tij papara topit. Një lider i vërtetë, i cili nuk i ka munguar asnjë sekondë mbrojtjes këtë sezon dhe ka shënuar edhe gola vendimtarë ndaj Sauthemptonit dhe Mançester Junajtid.
Ndeshje: 36
Gola: 2
Statistika: Mban numrin e tretë më të lartë të bllokimeve të një mbrojtësi këtë sezon (37).
ROBERT HUTH – 10
Një mjeshtër i arteve të vjetra të mbrojtjes, i cili ndonjëherë është në qendër të telasheve të skuadrës së tij, por ka impulsin që kanë nevojë të gjithë kampionët. Transferimi i tij në Leiçester sezonin e shkuar e transformoi këtë skuadër. Dha përvojën e tij (i vetmi lojtar i “dhelprave” që e kishte fituar titullin më parë) dhe u qas pa kompromis për të dhënë ndihmën për këtë skuadër, duke formuar një bunker veçanërisht në fazën më vendimtare të sezonit. Shënoi edhe gola vendimtarë si ata ndaj Mançester Sitit dhe Totenhemit.
Ndeshje: 35
Gola: 3 Statistika: Lojtari i katërt i Premier Ligës me më shumë spastrime zone këtë sezon (258).
KRISTIAN FUKS – 10
Kapiteni i Austrisë është një mbrojtës i majtë klasi, i zgjuar, atletik dhe një ekspert i goditjeve standarde. Goditja e tij e këndit solli golin me kokë të Huthit në ndeshjen direkte ndaj Totenhemit, e cila rezultoi aq vendimtare. Por ai ka aftësinë për të shërbyer edhe nga loja e hapur: Ju kujtohet asisti gjenial që solli golin e mrekullueshëm fluturimthi të Vardisë ndaj Mançester Junajtid?
Ndeshje: 28 (2 si zëvendësues)
Gola: 0
Statistika: Katër asistet e tij këtë sezon i kanë shtuar 5 pikë skuadrës.
RIJAD MAHREZ – 10
Thjesht talent i jashtëzakonshëm. Preku majat këtë sezon. Me 17 golat e tij në Premier Ligë dhe 11 asistet, por edhe me kualitetin e tij në fushë, ai shkëlqeu. Për t’u veçuar është ai driblimi që gjunjëzoi tre lojtarë të Aston Vilës, por edhe golat ndaj Uotfordit dhe Çelsit.
Ndeshje: 34 (1 si zëvendësues)
Gola: 17
Statistika: Golat dhe asistet e tij kontribuuan direkt në 30 pikët për Leiçester Sitin.
N’GOLO KANTE – 10
Të fitosh votën e Sër Aleks Fergusonit si lojtari më i mirë i sezonit, është një vlerësim monumental i aftësive të mesfushës defensive të Leiçesterit. Energjia, inteligjenca dhe sakrifica e tij kanë sjellë krahasime me superheroizma. “Nëse planeti Tokë do të kërcënohej nga një asteroid një ditë, unë jam shumë i sigurt se atij do t’ia zinte rrugën Kante”, e vlerësoi legjenda e Anglisë dhe klubit të Leiçesterit, Geri Lineker.
Ndeshje: 31 (4 si zëvendësues)
Gola: 1
Statistika: Ka kryer më shumë ndërhyrje (158) dhe ndërprerje aksionesh (148) se çdo futbollist tjetër këtë sezon.
DENI DRINKUOTËR – 10
Me meritë fitoi një ftesë në përfaqësuesen e Anglisë pas paraqitjeve të tij. Është boshti i skuadrës. Ndërhyrjet e tij kanë trashëguar grintën e një lojtari të Championship-it, ndërsa pasimet e tij kanë klasin e Mançester Junajtid (ka qenë pjesë e moshave të “djajve”). Topi i tij i gjatë për Vardinë është një armë shumë e besueshme, ashtu siç e tregoi edhe ndeshja me Sandërlendin.
Ndeshje: 34
Gola: 1
Statistika: Shtatë asiste mbajnë emrin e tij, pesë prej të cilave për golashënuesin Vardi.
MARK OLLBRAJTON – 10
Lloji i lojtarit dhe personaliteti që ndihmon skuadrën për të fituar tituj: shumë i saktë në atë që bën në fushë dhe me një prezencë pozitive në dhomat e zhveshjes. Topat e tij të zgjuar në hapësirat që çmarkojnë Vardinë kanë qenë karakteristikë e këtij sezoni, ndërsa krosimet e tij të vazhdueshme nga krahu i majtë zakonisht e gjejnë shënjestrën e tyre.
Ndeshje: 33 (3 si zëvendësues)
Gola: 2
Statistika: Ka humbur vetëm 4 ndeshje që kur është rikthyer titullar në formacion sezonin e shkuar, plot 45 ndeshje më parë.
SHINJI OKAZAKI – 10
Puna dhe loja e tij me pasime të shkurtra i ka shpëtuar shpesh radarit të vlerësimeve këtë sezon. Por sulmuesi japonez largohet gjithnjë nga fusha me kilometra me dopioshifra dhe me bateritë e shkarkuara deri në fund. Ndonjëherë ka qenë pak defektoz në finalizim, por ka dhënë kontributin e tij të rëndësishëm edhe përpara portës, siç ishte roveshata që mjaftoi për të gjunjëzuar Njukasëllin.
Ndeshje: 27 (7 si zëvendësues).
Gola: 5
Statistika: Vetëm 3 ndeshje i ka mbyllur të plota në fushë.
XHEMI VARDI – 10
Fantastik që nga sekonda e parë e këtij sezoni, duke vendosur tonin e skuadrës së tij me presingun agresiv dhe dinamizmin e palodhshëm. Ngjitja e tij meritoi skenarin më të mirë për t’u shndërruar në një film hollivudian. Vendosi rekordin duke shënuar në 11 ndeshje radhazi, por edhe shënoi një gol me thembër me Anglinë ndaj kampionëve të botës, Gjermanisë. Sukseseve të tij përpara porte i shtohen edhe 6 asiste.
Ndeshje: 34
Gola: 22
Statistika: Lojtari i parë i Leiçester Sitit që prej Geri Linekerit në sezonin 1984- 1985 që shënon mbi 20 gola në elitën e futbollit anglez.
LEONARDO UJOA – 10
Kontribuoi sa herë ekipi kishte nevojë nga stoli. Shndërroi në gol penalltinë e shtesës ndaj Uest Hemit dhe zëvendësoi denjësisht Vardinë në ndeshjen me kaq presion ndaj Suonsit (dopietë).
Ndeshje: 7 (21 si zëvendësues)
Gola: 6
Statistika: Blerja rekord e klubit (10 mln paund) pritet që të mos mbetet më e tillë këtë verë pas pasurimit të klubit.
XHEFRI SHLUP – 10
E nisi sezonin si mbrojtës i majtë dhe avancoi përpara kur Ranieri kuptoi se i duhej më shumë siguri në mbrojtje. Shënoi një gol vendimtar në fitoren ndaj Noruiçit. Mungoi për 3 muaj në mes të sezonit pas dëmtimit, por u rikthye me shpejtësinë dhe forcën e tij.
Ndeshje: 14 (8 si zëvendësues)
Gola: 1
Statistika: Pjesë e klubit që prej moshës 12-vjeçare.
ENDI KING – 10
Një shërbëtor besnik i klubit. Nuk u ankua kurrë që u ul në stol nga Kante.
Ndeshje: 7 (16 si zëvendësues)
Gola: 1
Statistika: I pari lojtar në histori që fiton titullin e Ligës së Parë, Championship-it dhe Premier Ligës me të njëjtin ekip.
TRAJNERI RANIERI – 10
Erdhi me shumë kritika, por u dha të gjithëve një shuplakë. Pronarët donin vetëm të mbanin klubin në elitë. Por me qetësinë dhe përkushtimin në punë ai u dha diçka më tepër. Kush e quajti të mbaruar, t’i kthejë fjalët mbrapsht për “King” Ranierin.
13 ndeshje me të njëjtin ekip
Ollbrajton, Drinkuotër, Fuks, Huth, Kante, Mahrez, Morgan, Okazaki, Shmajkëll, Simpson, Vardi janë formacioni i Leiçesterit që ka startuar 13 herë këtë sezon në Premier Ligë. Asnjë kampione e Anglisë nuk ka pasur një skuadër më të pandryshuar që prej vitit 1993, kur Sër Aleks Ferguson rreshtonte të njëjtën skuadër, të Mançester Junajtid, në 17 ndeshje gjatë një sezoni./PanoramaSport/a.m.