Nga Jakin Marena
Shqipëria këto javët e fundit përjetoi përballje të forta, me lajme që nuk i linin vend njëri tjetrit, por që kishin si “target” kryesor në krye të herës akuzat e ndërsjella për implikim të politikës.
Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe. Kur sheh se ‘malli’ që ‘konsumohet’ më shumë ndër shqiptarë është vetë politika, aktorët e saj, tashmë historikë, nuk heqin dorë nga futja e gjithçkaje që ndodh në Shqipëri në “kanalet” politike. Kuptohet për përfitim.
Ngjarja e parë që “tronditi” politikën shqiptare ka qënë rikthimi i lobimit me para ruse të ish kreut të PD Lulzim Basha në Uashington, për një foto me ish Presidentin Donald Trump. Për vetë faktin se financimi rus për Bashën startoi vetëm disa ditë pasi opozita kishte dalë nga ngujimi në “Çadrën e Lirisë” në pranverën e vitit 2017 dhe ish kreu i PD kishte marrë nga Edi Rama kryeministër, gjysmën më të “rëndë” të qeverisë përmes ministrave teknikë, dhe pothuajse të gjitha institucionet, sidomos ato që bënin lekë, lë një shije të dyshimte dhe aspak të mirë për arsyen përse u përdorën këto para.
Kaq mjaftoi që Bashës t’i sulet në radhë të parë Sali Berisha, njeriu që e katapultoi në kupolën e qeverisjes gjatë 8 viteve të PD në pushtet dhe në kupolën e partisë për 17 vite, madje dhe kryetar të saj për 9 vite, derisa e dëboi nga drejtimi në marsin e këtij viti.
Pavarësisht se e mbrojti me fanatizëm “krijesën” e tij politike, duke përmendur madje dhe ish ambasadorin amerikan Donald Lu që ia kishte sjellë dosjen e Bashës në tavolinë, duke u deklaruar publikisht se nuk e besonte një akuzë të tillë, Berisha, megjithëse i shpallur “non grata” nga SHBA, menjëherë sapo Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar dhe nga partia, nisi të besonte informacionet amerikane për lobimin rus.
Që në kohën e “Foltoreve” nisi t’ia përmendë emrin Bashës për lobimin me para ruse në SHBA, ndërkohë që ka mjaftuar një raport i zbulimit amerikan që mes 20 partive që kishin përfituar nga 300 milionë euro financime nga Moska, ishte dhe PD kur udhëhiqej nga Basha. Kjo bëri që Sali Berisha të “shpërthejë” kundër ish kreut të PD dhe të bëjë “ëngjëllin”.
Madje i kërkon me insistim të tregojë se kush ia dha këto para, si i lëvizi nëpërmjet bankave, për çfarë qëllimi i përdori, pasi PD vijon të jetë akoma në opozitë. Me një fjalë Berisha, për të akuzuar Bashën rikthehet në vërtetësinë e akuzave të socialistëve, pavarësisht se drejtuesi i grupimit më të madh të demokratëve nuk lë pa sulmuar dhe kryeministrin Edi Rama, pasi sipas tij “kishte mbyllur dosjen e Bashës në drejtësinë shqiptare”.
Anipse janë të njejtët amerikanë që e shpallën “non grata” për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë, çka e detyroi të rimerrte PD dhe ta kthente tërësisht anti-amerikane, duke akuzuar ambasadoren Yuri Kim si guvernatore të Shqipërisë dhe duke mohuar akuzat e SHBA, kur vjen puna për një sinjal kundër Bashës po nga Uashingtoni për lobimin me para ruse, Berisha e beson katërcipërisht Amerikën.
Për hir të së vërtetës Basha ka qënë dhe është i vdekur politikisht, domethënë “ha përshesh”, ndonëse dalin lajme se kanë dashur ta vrasin. Nuk e kuptojmë kujt i shërbente kjo pasi Rama me Bashën kryetar partie qëndronte përjetësisht në pushtet. Dhe këtë e kanë pranuar vetë Berisha e Meta, madje e përdorin dhe si kauzë kundër ish kryetarit të PD.
Mund të hamendësojmë se Basha i vdekur fizikisht i shërbente më shumë opozitës, siç i shërbeu vrasja e Azem Hajdarit që shkaktoi grushtin e dështuar të shtetit më 14 shtator 1998. Por që Berishën sërish nuk e solli në pushtet, pasi partnerët tanë s’njohin qeveri të ardhur me dhunë.
Dhe meqë jemi tek lajmet për tentativën e vrasjes së Bashës, lajm i dalë nga publikimi i informacioneve sekrete nga ana e hakerave iranianë, një përpjekje e pastër për destabilizimin e vendit, ngarja e dytë e madhe ishte pikërisht hakërimi i disa institucioneve, mes të cilave dhe sistemi TIMS si dhe e-mailet e ish drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Pavarësisht se SHBA, BE dhe Britania dhanë mbështetje të fortë, politike dhe me ekspertë për të përballuar sulmin kibernetik, prapa të cilit qëndronte Irani, pavarësisht se solli mbështetje dhe në asnjë “cep” të deklaratave politike dhe të ekspertëve të këtyre vendeve nuk fajësuan qeverinë shqiptare për këtë goditje kibernetike, kishte ndodhur dhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin i Zi, Itali, Belgjikë dhe vende të tjera, për çudi jo në Serbi, opozita e kryesuar nga Berisha e Meta, si dhe “skalionet” mbështetëse në media dhe rrjetet sociale s’ndaluan për asnjë moment përdorimin për përfitim politik të kësaj goditje terroriste ndaj shtetit shqiptar.
Madje sikur u gëzuan se ndodhi pikërisht në këto momente të vështira për lidershipin e opozitës, kur kanë të dy tok, Ilir Meta dhe Sali Berisha plot 7 dosje të rënda korrupsioni dhe krimi në SPAK nën hetim.
Dhe si me komandë sërish për të vënë qeverinë nën presion botohen lajme sikur karteli meksikan “Sinaloa” kishte pastruar para në Shqipëri, përmes një biznesmeni shqiptar i cili paskërka takuar dhe kryeministrin Edi Rama.
Për hir të së vërtetës, ishte vetë njeriu i akuzuar, referuar një shkrimi në një media meksikane, nuk përjashtohen as mediat meksikane nga financimi i lobeve të karteleve të drogës, lojrave të fatit, apo dhe shërbimeve ndaj biznesve të ndryshme, për arsye konkurrence, pra ishte pikërisht i akuzuari nga mediat e politika shqiptare që sqaroi në një ekran televiziv shqiptar me detaje akuzat, që për të ishin muhabete “kasabaje”, që hidhen e priten edhe në Shqipëri për interes politik dhe klikime.
Zotëria në fjalë tha se nuk ishte proceduar asnjëherë, madje as shkuar në gjykatë në vendet ku ka ngritur biznesin e tij, nuk ishte i kërkuar nga interpoli, dhe se në Shqipëri kishte një biznes bashkë me të tjerë, pjesëmarrës me vetëm 1 përqind aksione. Madje deklaroi se në Shqipëri nuk do kthehet kurrë për biznes, pasi nuk ka treg për lojrat e fatit të atyre përmasave që pretendon ai.
Ndërsa akuzat për pastrim parash të kartelit meksikan të “Sinaloas” në Shqipëri, ai i përcolli me ironi akuzat, për arsye të faktit se ky kartel kishte një buxhet se ai i 5 vendeve anëtare të BE sëbashku, dhe Shqipëria, ishte pa interes dhe sikur ta dinin vërtet se nga bie Shqipëria.
Ndonëse mediat afër opozitës, përmes përfaqësuesve të saj këmbëngulin për hetim, dhe Lulzim Basha që ka probleme me arithmetikën, e kupton se një kartel droge që ka pasuri prej miliarda e miliarda dollarësh, nuk denjon të hedhë sytë nga Shqipëria sepse s’ka asnjë leverdi të investojë në vendin tonë për ngritjen e një kazinoje, minimumi 12 milionë euro dhe maksimumi dyfish në Shqipëri, për të pastruar para. Do t’i duheshin qindra vite që t’i pastronin paratë që ka aktualisht karteli “Sinaloa”, fitimi i të cilit në një ditë llogaritet me miliarda dollarë.
I përmendëm këto ngjarje, për të thënë se gjithë skema e këtyre lajmeve është ngritur thjeshtë dhe vetëm për të bërë “zhurmuesin” e dy ngjarjeve të tjera të mëdha, që pasojnë njëra tjetrën.
Këmbëngulim në këtë fakt, sepse ka kaluar si pa zhurmë lajmi që agjenti special i Administratës së Zbatimit Ligjor kundër Narkotikëve (DEA), Brendan Leddy ka mbërritur të premten e kaluar në Tiranë, ku është takuar me ambasadoren amerikane, Yuri Kim. Dhe në njoftimin e ambasadës, thuhet se Leddy e personeli shtesë i DEA-s, do të bashkëpunojnë me SPAK për forcimin e partneritetit në operacionet ndërkombëtare kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar.
Yuri Kim ka diskutuar me agjentin Leddy, për të ardhmen e pranisë së DEA-s në vendin tonë. “Ambasada e SHBA ka kënaqësinë të mirëpresë në Shqipëri agjentin special të Administratës së Zbatimit Ligjor kundër Narkotikëve (DEA), Brendan Leddy. Ambasadorja Kim u takua me agjentin special Leddy për ta mirëpritur atë në ekip dhe për të diskutuar të ardhmen e pranisë së DEA-s në Shqipëri.
Agjenti Special Leddy së bashku me personelin shtesë të DEA-s do të bashkëpunojnë ngushtë me SPAK dhe homologët shqiptarë të zbatimit të ligjit për forcimin e partneritetit në operacionet ndërkombëtare kundër narkotikëve e krimit të organizuar. Agjenti Special Leddy do mbështesë më tej ndërtimin e aftësive në teknikat e hetimit kundër narkotikëve”, shkruan ambasada në Fb.
Ndonëse DEA ka në Ballkan dy zyra të saj, një në Athinë, pasi Greqia është qendër nevralgjike e narkotrafikut nga Mesdheu deri në Europë, ku lëviz kryesisht kokaina e drogat sintetike dhe një në Sofje-Bullgari, ku është edhe porta e rrugës ballkanike të heroinës, do ketë dhe një qendër operacionale në Shqipëri, ku me sa duket asgjenti Brendan Leddy do të jetë kreu i zyrës së re që DEA ka hapur në Tiranë.
Ardhja e agjentit të DEA-s duket sikur ua ka mbyllur gojën të gjithëve në opozitë, pasi mediat afër saj e kanë përcjellë vakët ose fare këtë lajm, ndërkohë që liderët e opozitës Berisha e Meta kanë heshtur, duke reaguar turbull për këtë fakt. Meta tha të hënën, dhe me pak ironi, se “sipas të dhënave ndërkombëtare, i bie që DEA, një nga qendrat kryesore në botë ta kishte në Shqipëri, po t’i referohemi volumit të trafikut që qarkullon…”. Duke shtuar si “rastësisht” se vetë ai nuk ka asnjë shqetësim mes tij dhe ligjit. Ndërsa Berisha s’ka folur fare për këtë temë.
E vërteta është se sasitë më të shumta të kokainës dhe heroinës që kanë qarkulluar në Shqipëri dhe janë kapur qoftë me arka babanesh qoftë dhe me biznese të tjera në Durrës, apo dhe pastruar nëpër “kanalet” e naftës “Virgin” kanë “markën” e bashkëpunëtorëve të lidershipit të opozitës, Berisha dhe Meta, qoftë ata që kanë mbajtur drejtimin real të policisë e shtetit për 8 vitet e qeverisjes së PD, qoftë dhe ata që kanë qënë drejtorë Transportesh apo “adoleshentë” që janë financuar dhe shpërblyer nga Ministria e Bujqësisë gjatë qeverisjeve të koalicionit, me para të thata apo dhe me toka me qira 1 euro metri katror. Janë në burg e deri më tani përpos konfiskimit të pasurisë në jug të vendit, apo dhe në Tiranë, nuk dimë deri në cilën masë janë zbërthyer dhe kanë treguar për “kapot” e vërtetë të qarkullimit të drogërave të forta që i udhëheqin.
Ky është elementi i parë që ua ka mbyllur gojën Berishës, Metës, si dhe njerëzve që i mbështesin në publik dhe media, duke bërë që të harrojnë dhe “sovranizmin” legjendar të tyre dhe të kapen pas kauzave të largimeve të të rinjve jashtë vendit, apo protestave të vogla në Sharrë dhe gjetkë për inceneratorët dhe shtesat pa leje të pallateve. Nuk flasin vetëm për vilat në Lalz.
Por njëherësh një ngjarje tjetër e “kalibrit” të rëndë është se SPAK ka nisur të zgjohet, i detyruar nga partnerët ndërkombëtarë apo me iniciativën e vet, dhe të hetojë qoftë Metën për lobimin 1.2 milionë euro në SHBA dhe ky me paratë e dala nga thellësia e nëntokës së krimit rus, por dhe Berishën, për kompleksin “Partizani” të privatizuar në mënyrë të paligjshme nga dhëndërri i tij.
Sot ishte Fatmir Mediu në SPAK ku ka dhënë dëshminë e tij, por javën e ardhshme vetë kreu i PD Sali Berisha do të thirret në SPAK për të dhënë dëshminë e tij për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Dhe përveç ish-kryeministrit, është planifikuar që të merren në pyetje si persona që kanë dijeni për procedurat dhe ish-ministri tjetër i Mbrojtjes Arben Imami, si dhe ish shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ish deputeti i PD Xhemal Gjunkshi.
Ndërkohë që Berisha ka të hapur dhe dosjen e “Gërdecit” të biznesit të djalit të tij. Dhe aty Mediu hapi “udhën” për ngjitjen e hetimit deri tek vetë ish kryeministri.
Janë dhe çështje të tjera të rënda në lojë për Berishën dhe Metën, çka mund të zbardhin dhe disa dyshime për eleminime e zhdukje të mistershme, për të mbajtur gojën mbyllur, që nga Gazidede, Arbnori e deri tek ish ambasadori ynë në Pragë Qazim Tepshi, ish këshilltari i Dritan Priftit të ndjerë, Belegu dhe shoqërues të lidershipit të opozitës, të ndarë nga jeta në mënyrë misterioze.
Skenarë këto që ngjajnë shumë me mafien, por atë me kollaro ama, që të “thyen” kokën me lekë, por dhe të zhduk pa nam e nishan, nëse përbën rrezik për të. Nuk lënë asgjë mangët në përqasje me mafian traditcionale. Tashmë loja është hapur, pritet vetëm që të “nxehet” mirë. Deri atëherë do të kemi kauza periferike të lidershipit të opozitës. Me shpresë se do qetësohet situata.