Nga Mero Baze
Gjykata Kushtetuese pritet të shpallë nesër vendimin për të hedhur poshtë ligjin e ri të pronave, Nr. 133/2015 “Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit Kompensimit të Pronave”, duke u bërë pjesë e një skeme mafioze të lobuar politikisht nga presidenti i vendit Bujar Nishani.
Vendimi është duke u marrë nën presionin direkt të presidentit të Republikës Bujar Nishani, i cili e ka cilësuar publikisht ligjin si antikushtetues, duke ndikuar direkt jo vetëm në vendimin e Gjykatës, por dhe duke ekspozuar konfliktin e interesit që ai ka në këtë histori.
Ligji i ri i pronave është vënë në shënjestër të tij dhe një lobi politik që shkon deri tek përfaqësuesi i Shqipërisë në Strasburg, Ledio Bianku. Për këtë, ata kanë ndërtuar një skemë tërësisht mafioze, duke i hequr mundësinë qeverisë shqiptare ta fusë ligjin në zbatim, me qëllim që pastaj të kishte mundësi qeveria ta mbronte atë në Gjykatën Eeropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Ndërsa përfaqësuesi i shtetit shqiptar në Strasburg, Ledio Bianku, i ka kërkuar Avokaturës së Shtetit të paraqesë rezervat e saj më 2 Qershor në Strasburg, për mbledhjen e Komitetit te Ministrave që mbahet me 5 e 6 qershor, Gjykata Kushtetuese do ta marrë vendimin më 1 qershor, duke e bërë të pavlefshme çdo përpjekje të mëtejshme të qeverisë shqiptare për mbrojtjen e ligjit, i cili ka marrë mbështetje të gjerë nga institucionet europiane. Pra, koordinimi eshte perfekt, si çdo akt i mafies, kundër interesit real të ish- pronarëve.
Miratimi dhe hyrja në fuqi e ligjit, i heq mundësinë familjes së gruas së presidentit Nishani, që nga 84 milion euro që kërkon përmes mishmashit shqiptar të ligjeve për pronat, të ketë të drejtën e 4 milion eurove, dhe kjo e ka motivuar personalisht presidentin të futet në një betejë tërësisht në konflikt interesi, kundër interesit të shtetit shqiptar.
Përfaqësuesi i shtetit shqiptar Ledio Bianku, po ashtu është i përfshirë në një proces ku mbron dhe të drejtat e familjes së gruas së tij, kundër shtetit shqiptar, ndërkohë që aty është si përfaqësues i shtetit shqiptar.
Ligji po sulmohet nën arsyetimin se: “Ligji nuk ka më kthim prone”, ndërkohë që ky ligj, i cili në thelb është ligj për kompesimin e pronave, e garanton tërësisht këtë të drejtë, në formë materiale. Kompensimi fizik në pronën e ish-pronarit garanton që, për të gjitha subjektet, prona e të cilëve ka qenë dhe është kullotë, pyll, tokë bujqësore apo truall, të marrin 100% të pronës brenda tre viteve të ardhshme, nga hyrja në fuqi e ligjit. Përjashtim nga ky rregull ka vetëm për pronat me ndryshim zëri kadastral, që janë pakica dhe që deri më sot, kanë mbajtur peng shumicën, dhe në këtë mënyrë, gjithë procesin.
E gjithë kjo ka rënduar së tepërmi raportet me pronësinë në Shqipëri dhe mungesën e një klime të qëndrueshme për investime. Ata që flasin në emër të pronarëve, janë pikërisht lobi që duke përdorur nesër Gjyaktën Kushtetuese, do t’i kërkojë shtetit shqiptar menjëherë 600 milion euro kompesim si dëme për pronat, vetëm për një grup të caktuar pronarësh të përfshirë në këtë histori lobimi. Pra, nuk është betejë në emër të gjithë pronarëve, por një betejë mafioze e një grupi ish- pronarësh të lidhur me politikën dhe gjyqësorin, që tentojnë të varrosin shtetin shqiptar dhe të lënë varr të hapur çështjen e pronave në Shqipëri.
Pretendimi tjetër për anti-kushtetueshmërinë, lidhet me formulën e kompensimit, ku subjektet e interesuar ish-pronarë, pretendojnë se ata duhet të kompensohen njëlloj sikur prona të merrej sot nga shteti. Pra, shoqëria shqiptare, për një padrejtësi të ndodhur 70 vite më pare, duhet të paguajë ndoshta në disa breza të ardhshëm, jo vlerën e sotme të pronës së shpronësuar, siç parashikon ligji, por një vlerë të njëjtë më ata që po shpronësohen sot nga shteti. Kjo është thjesht e pamundur dhe këtë e provon më së miri eksperienca 25 vjeçare mbi zbatimin e këtij procesi.
Pritëshmërinë e tyre ata e mbështesin mbi një formulë provizore. Meqenëse shteti shqiptar, në mënyrë provizore disa subjekteve iu dha një shumë të caktuar parash, për një pjesë të vogël të pronës së tyre (nga 200-500 m2), tashmë është i detyruar t’i paguajë të gjithë në të njëjtën mënyrë, për të gjithë pronën.
Përveçse e pavërtetë, që krijon pritshmëritë, kjo mënyrë interpretimi është tërësisht e padrejtë në kurriz të të gjithë shoqërisë shqiptare.
Këto dy çështje dhe gjithë garancitë që po jep ky ligj për herë të parë në mbrojtje të të drejtave të pronarëve, janë garancitë që e bëjnë efektiv ligjin. Pa këto dy zgjidhje nuk ka ligj të ri, është vetëm historia e vjetër 25 vjeçare, e cila nuk ka qenë dhe as do të jetë në favor të ish-pronarëve apo të qytetarëve të tjerë shqiptarë.
Gjykata Kushtetuese duket prej procedurës që ka ndjekur se është përfshirë në ndikimin e këtij lobi politiko- juridik, që po tenton të lërë varr të hapur çështjen e pronave dhe të përfitojnë ata, meqë janë në krye të pushtetit, sic është rasti i Bujar Nishanit. Ky i fundit të njëjtën ankesë që i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese, ja ka dërguar dje dhe dhe Komitetit të Ministrave, por ata as e kanë futur në rend dite fare, duke qenë haptazi në anën e ligjit të ri. Por, duke kontrolluar Gjykatën Kushtetuese dhe përmes procedurës ku e ka futur ligjin, ai do ta zhysë Shqipërinë në në një kënetë nga e cila nuk do të dalim dot kurrë, pasi as pronarët nuk do të mund të marrin pronat e tyre të tjetërsuara, dhe as shteti shqiptar nuk do të ketë fuqi të punojë për të kompesuar ata. Do të kemi thjeshtë një kolaps shtetëror dhe anarki në prona, për shkak se Gjykata Kushtetese do të vihet në rresht për një interes konkret të presidentit të Republikës. Ky i fundit mes interesit shtetëror dhe interesit familjes, është me këtë të dytën. Dhe ka vënë me sa shihet dhe Gjykatën në rresht. TeMa