Nga Adrian Civici
Të mërkurën në darkë, në kuadrin e turit të dytë të votimit për Presidentin e ri në Francë, u zhvillua një debat direkt ndërmjet dy kandidatëve, Presidentit aktual Emanuel Macron që kërkon një mandat të dytë, dhe sfidueses Marine Le Pen, e cila dhe pesë vite më parë ishte përballë Emanuel Macron. Përballja direkt u zhvillua në shumë plane e cështje të nxehta që shqetësojnë Francën dhe Bashkimin Europian. Mjaft interesante ishte vecanërisht debati mbi politikat e masat për problemet ekonomike e financiare, i cili u përqëndrua në këto tema kryesore : Fuqia blerëse: paga ose bonus; Mjedisi: patriotizëm ose investim; Energjia: bërthamore, me apo pa energji të erës?; Hidrogjen pa karbon: si ta prodhojmë atë?; Evropa: kombet ose integrimi; reformimi i punësimit; Dixhitalizimi: Problem francez apo çështje evropiane?; Bilanci ekonomik i periudhës pesëvjeçare të Macronit; çështja e shlyerjes së kredive të garantuara nga shteti;etj.
Debat më i nxehtë u zhvillua në lidhje me disa nga shqetësimet kryesore të francezëve (shqetësime që aktualisht po alarmojnë shumicën dërrmuese të vendeve të botës) : fuqia blerëse, cmimi i energjisë dhe rritja e inflacionit. Ndërkohë që Presidenti Macron deklaroi se me shqetësimet dhe politikat që propozonte “ishte në rolin e zëdhënësit të francezëve që i kishin pohuar se nuk po ja dilnin dot më”, sfiduesja e tij, Zonja Marine Le Pen ju përgjigj me faktin se “kishte zhvilluar mbi 600 takime të cilat i kishin hapur sytë për revoltën e francezëvë që nuk po mundeshin dot të plotësonin nevojat e tyre ushqimore dhe që mëzi mbyllnin muajin”.
Por, si e komentuan këtë situatë problematike dhe cfarë propozonin si zgjidhje dy kandidatët për President në pesë vitet e ardhshme? Inflacioni i cili është në nivelin 4.5-5%, niveli më i lartë i 30 viteve të fundit, rritja galopante e cmimeve e lidhur dhe ndikuar nga fillimi i rritjes ekonomike post-covid 19 dhe vecanërisht nga lufta në ukrainë, u bënë kali i betejës në këtë debat para presidencial që kërkonte të bindte francezët për votën e tyre në turin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Ndërsa ekspozuan masat e tyre për rritjen e fuqisë blerëse dhe pagat, Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen nuk ranë dakord për cështjen e pagave. Macron propozon të përjashtohen nga kontributet shtesë punëdhënësit të cilët do të rrisnin të ardhurat e punonjësve të tyre me 10%. Kjo është një masë e rëndësishme që ndikon direkt në rritjen e pagave dhe fuqisë blerëse; ndërsa Marine Le Pen ju kundërpërgjigj se në thelb të politikave të saj, nëse zgjidhej Presidente, do të qëndronin lehtësirat e shumta fiskale, uljen e TVSH për disa produkte të rëndësishme ushqimore, energjisë dhe shërbimeve, të cilat do të rrisnin të ardhurat e francezëve. Në mënyrë të vecantë do të uleshin taksat për një numër të konsiderueshëm produktesh ushqimore e shërbimesh bazë.
Emanuel Macron e kundërshtoi një politikë të tillë duke dhënë argumente se “ulja e TVSH dhe disa taksave të tjera nuk ndikon direkt në uljen e cmimeve”, se eksperienca ka treguar se “edhe kur këto taksa janë ulur, cmimet e këtyre produkteve e shërbimeve nuk janë ulur automatikisht. Sipas tij, politika më e përshtatshme ishte ajo e pagesave suplementare nga ana e Shtetit për individët, familjet e varfëra dhe shtresat vulnerabël të shoqërisë, sepse në këtë rast, nga ulja e taksave dhe cmimeve do përfitojnë dhe ato individë, familje e shtresa sociale që janë të pasura, ndërkohë që qëllimi kryesor është mbështetja e shtresave vulnerabël të shoqërisë. Sipas tij, kjo pasqyrohet më së miri në rritjen e pragut të pagës minimale dhe pagesave të tjera kompesuese në kuadrin e politikave sociale që kanë ndodhur këto vitet e fundit të presidencës së tij. Të dy kandidatët dukej se neutralizuan njëri-tjetrin për çështjen e pagave, duke mos parashikuar një rritje të pagës minimale. Asnjëri prej tyre nuk premtoi rritje të konsiderueshme të pagave dhe shpërblimeve. Kur Emmanuel Macron premton të detyrojë kompanitë që u japin dividentë aksionerëve të tyre që “të paguajnë ose ndarjen e fitimit, ose bonusin e fuqisë blerëse që do të kufizohet në 6,000 euro”, Marine Le Pen përgjigjet se “në jetën reale, kur shkoni për të marrë një apartament me qira, pronari të pyet sa e ke rrogën, nuk i intereson bonuset”.
Emmanuel Macron mbrojti rekordin e tij për punësimin. “Ne kemi krijuar 1.2 milionë pagesa shtesë gjatë mandatit pesëvjeçar,” tha ai, duke vënë në dukje se Marine Le Pen nuk e përmend asnjë herë çështjen e papunësisë në dokumentet e saj të fushatës. Ai mbrojti “mburojën e çmimit” të vendosur për të kufizuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike në 4% dhe bllokimin e atyre të gazit, një masë “më efektive se ulja e TVSH-së”. Emmanuel Macron rikujtoi planin e tij për të rritur me 4% pensionet, për të rritur pensionet e vogla, si dhe premtimin për të rritur minimumet sociale.
Për pensionet, dy kandidatët rikonfirmuan dallimet e tyre të thella. “Sa më herët të punojmë, aq më shumë të punojmë, aq më shpejt largohemi”, këmbënguli Marine Le Pen për të justifikuar planin e saj për të ulur moshën e pensionit në 60 vjeç për ata që kishin filluar punë që para moshës 25 vjec. Anasjelltas, Emmanuel Macron mbrojti heqjen e regjimeve speciale (RATP, EDF, etj.) dhe ngritjen e moshës së pensionit në 65 vjeç – duke marrë parasysh karrierën e gjatë dhe punën e mundimshme – për të rivendosur “sistemin i cili është i pabalancuar deri në mesin e viteve 2030, financimi i shpenzimeve të reja sociale, por edhe “përmirësimi i nivelit të pensioneve në tërësi”.
Emanuel Macron këmbënguli në faktin se : “Unë nuk dua një projekt që dobëson pensionet, nuk dua të rriten taksat, nuk dua të rrisim borxhin tonë, kështu që ka vetëm një mënyrë për të financuar: është të punojmë më shumë … dëshiroj ti rris pensionet e vogla përtej 1100 në muaj”. Propozimit të Marinë Le Pen se “dëshironte që pensioni minimal i pleqërisë të ishte 1000 euro për të gjithë, pavarësisht viteve të punës dhe kontributeve, Macron ju përgjigj duke thënë se “Ju i ofroni 1000 euro dikujt që nuk ka bërë asgjë si dikush që ka një jetë me punë të palodhur pas vetes”, kjo nuk është e drejtë.
Marine Le Pen propozon “heqjen e TVSH për 100 produkte të jetike të nevojës së parë” si një politikë fiskale radikale që do reflektohej menjëherë në rritjen e fuqisë blerëse dhe uljen e inflacionit, argument të cilin Emanuel Macron e kundërshtoi duke nënvizuar se kjo lloj politike ka një kosto të madhe për buxhetin, është e pa drejtë në raport me ndikimin (apo përfitimet) nga shtresat e ndryshme sociale, si dhe është jo-efektive,duke cituar një studim të një instituti të specializuar, sipas së cilit “efekti i saj do të ishte vetëm 13 euro në vit për cdo familje”, se një masë e tillë, duke ju referuar dhe një mase të ngjashme të ndërrmarë nga ish-Presidenti Sarkozy në vitin 2009 për uljen e TVSH në sektorin e shërbimeve të restoranteve, në fakt tregoi se efekti i uljes së TVSH nuk u pasqyrua në uljen e cmimeve për klientët, por në rritjen e fitimeve të bizneseve që ofronin këto shërbime.
Debat i nxehtë u zhvillua dhe në lidhje me “cmimin e enrgjisë” i cili jo vetëm që është rritur, por për më tepër ka tendencë të rritet akoma më shumë në javët dhe muajt e ardhshëm. Marine Le Pen fajësoi për këtë gjendje “tregun europian të elektricitetit” duke propozuar që Franca të dalë nga ky treg që “po shfrytëzon paratë e francezëve”, që Franca të bënte një politikë energjitike dhe të kishte një treg nacional të elektricitetit. Marinë Le pen propozoi që TVSH për gjithë produktet energjitike të ulej nga 20% që është aktualisht në 5.5%. Le Pen propozoi vendosjen e disa “mburojave tarifore” përballë shpërthimit të cmimit të energjisë elektrike,propozim me të cilin u shpreh dakort dhe Presidenti Macron, por duke i kujtuar Marine Le Pen se ajo kishte votuar kundër kësaj mase në Asamblenë kombëtare.
Emanuel Macron propozoi një seri masash specifike dhe të adresuara të cilat do të ndikonin pozitivisht në përballimin e situatës të tilla si “vendosja e një mburoje tarifore për të frenuar rritjen e cmimeve të energjisë elektrike, gazit dhe naftës, dhënien e një ceku energjie për cdo familje, dhënien e një kompesimi prej 100 euro për një numër të konsiderueshëm familjesh në nevojë apo në kushte të vështira, vazhdimin e pagesës së një ceku të vecantë për ushqimet, dhe një kompesim prej 18 cent për cdo litër karburant…”. Emanuel Macron nënvizoi se këto do jenë masa të përkuhëshme në funksion të kohëzgjatjes së krizës, duke theksuar se këto masa janë shumë më efektive se sa thjesht dhe vetëm ulja e disa taksave apo krijimi i disa lehtësirave tatimore, duke kundërshtuar në thelb propozimet dhe masat e propozuar nga rivalja e tij Marinë Le Pen.
Në përgjithësi, sondazhet kanë treguar se francezët kanë një pikëpamje pozitive për menaxhimin ekonomik të ekzekutivit gjatë krizës shëndetësore dhe për filozofinë financiare gjatë kohës së Covid-19 “të kushtojë sa të kushtojë”, politikë e shpenzimeve publike masive për të mbështetur ekonominë e vendit gjatë bllokimeve të njëpasnjëshme. Megjithatë, Marine Le Pen sulmoi këtë pikë në bilancin e Emmanuel Macron, duke e portretizuar atë si “Mozart i financave”, duke i evidentuar shifrën shtesë të borxhit publik prej 600 miliardë euro, të akumuluar gjatë krizës shëndetësore, që sipas Marine Le Pen “dy të tretat e të cilit nuk kanë asnjë lidhje me Covid-19”. “Mozarti i financave ka një bilanc ekonomik që është shumë i keq dhe një bilanc social që është edhe më keq” … 400,000 të varfër të tjerë, një standard jetese “të degraduar … 85 miliardë euro deficit në bilanci tregtar … rekordi më i keq i pesëmbëdhjetë viteve të fundit … francezët janë shumë të pakënaqur dhe kanë të drejtë”, këmbënguli Marine Le Pen.
Ndërkohë, Emanuel Macron u mbrojt duke thënë se një pjesë e borxhit erdhi nga kontributet e papaguara të sigurimeve shoqërore për shkak të ndërprerjes së aktivitetit ekonomik. “Ne vlerësuam jetën përpara borxhit” u shpreh ai.