Lumi Vjosë: vlerësim bazë për biodiversitetin, ndikimet e mundshme dhe kuadrin ligjor për zhvillimin e hidroenergjisë
Nga Prof. Aleko Miho*
Çështja e Vjosës për mbrojtje është një nismë e hershme (prej vitit 2014) nga organizmat më në zë ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës, si RiwerWatch Austri, EuroNature Gjermani, WWF, IUCN, Konventë e Bernës, etj. Nisma është mbështetur në mënyrë të përsëritur dhe nga Raportet e Progresit të KE, përfshirë edhe Raportin e fundit, por dhe nga EnCom, FAO, etj. Kanë qënë në mbështetje të mbrojtjes së këtij Lumi, , edhe shumë shkencëtarë dhe figura të tjera në mbarë botën. Shumë prej tyre kanë qënë edhe bashkëpunues konkretë në evdentimin e vlerave dhe ofrimin e përvojave të tyre. Të gjithëve pa përjashtim u jemi shumë mirënjohës!
Opinioni i përparuar shkencor shqiptar, disa OJF (veçanërisht EcoAlbania, por dhe të tjera), dhe shumë mjedisorë apo vendorë u janë bashkuar gjithë këtyre përpjekjeve, jo vetëm për të kërkuar nga Qeveria ruajtjen e saj në gjendje natyrore, por edhe për kërkime të përbashkëta dhe zbulime të mëtejshme të vlerave natyrore hidromorfologjike dhe të biodiversitetit, dhe ndikimin e mundshëm nga projektet hidroenergjetike. Një pjesë e mirë e të dhënave tona të përbashkëta janë paraqitur në disa ngjarje shkencore në Tiranë, organizuar nga FShN, UT në këta vite, dhe në një vëllim përmbledhës në Acta ZooBot Austria, 155/1 (2018), me titull ‘Vjosa në Shqipëri – një ekosistem lumor me rëndësi europiane).
Së fundi, ekspertët europianë (Meulenbroek et al., 2020; https://balkanrivers.net/Vjosa_BaselineSurvey_2021.pdf), kanë publikuar një tjetër vëllim, me titull ‘Lumi Vjosë: vlerësim bazë për biodiversitetin, ndikimet e mundshme dhe kuadrin ligjor për zhvillimin e hidroenergjisë’, ku përditësojnë dhe përmbledhin më mirë këto gjetje, bashkë me 3 argumentime dhe rekomandime shumë të vyera, të cilat unë po i sjell këtu të përkthyera dhe përshtatura në shqip, për vendimmarrjen, subjektet investitore dhe të interesuar të tjerë.
Argumenti 1: Degradimi ekologjik i një sistemi lumor të madh, unik dhe pasojat në humbjen e biodiversitetit
HEC-i i planifikuar në Kalivaç do të çonte në humbjen e plotë dhe të pakthyeshme të më shumë se 1000 ha lumë natyror dhe gati natyror, dhe gjithë peisazhit lumor për shkak të përmbytjes nga rezervuari përkatës. Reduktimi drastik i hidromorfodinamikës së lumit dhe deficiti i ngarkesës së sedimenteve në shtratin lumor do të shkaktonte humbje të mëdha të habitateve tipike ripariane breglumore përgjatë gjithë rrjedhjes poshtë digës. Këto ndikime nuk mund të kompensohen nga masat zbutëse që propozohen, dhe do të çonin në shkatërrimin e një prej peisazheve më të mëdha ekzistuese të një lumi të vetëm të mbetur ende në gjendje të egër në Europë (me rrjedhje të lirë natyrore dhe të pa ndikuar nga burimi deri në bregdet).
Nga 1175 specie që njihen gjithsej, nga ekspertët janë vlerësuar 865 specie në lidhje me ndikimin e HEC-it të Kalivaçit (në zonën e propozuar të rezervuarit, dhe në rrjedhën e poshtme dhe të sipërme të tij) në popullatat e tyre. Speciet e vlerësuara përfshijnë: 299 bimë vaskulare dhe 5 bimë jo vaskulare, 340 artropodë, 109 molusqe, 36 peshq, 19 zvarranikë dhe 9 amfibë, 24 shpendë dhe 24 gjitarë. Rezervuari i Kalivaçit (18.3 km²) spikat si zona që do të preket më rëndë, me një rënie totale lokale me rreth 40% të të gjitha specieve deri tani të njohura për atë zonë të peizazhit lumor.
Lumi do të ndikohej dukshëm nga ky HEC, si në rrjedhën e poshtme ashtu edhe në rrjedhën e sipërme (përfshirë dhe degët). Ndikimi kryesor në rrjedhën e sipërme do të ishte bllokimi i plotë i shtegëtimit të llojeve të peshqve migratorë ujorë, si p.sh. ngjala, lloj i rrezikuar në mënyrë kritike në gjithë botën. Pas ndërtimit të digës së propozuar në Kalivaç, 881 km nga 1109 km e gjatësisë së gjithë rrjetit lumor ekzistues nuk do të ishin më të arritshme nga peshqit migrues. Megjithëse shpesh injorohen, ndikimet në rrjedhën e poshtme të HEC-it paraqesin kërcënime të barabarta ose edhe më të mëdha për speciet ujore dhe pjesërisht-ujore sesa ndikimet në rrjedhën e sipërme. Në rastin aktual, përafërsisht 110 km do të prekeshin, kryesisht nga ndryshimet në regjimin e prurjes së sedimenteve që tranportohen sot në rrjedhën e poshtme, në zonën e deltës në Detin Adriatik. Veçanërisht, ndikimet afatgjata mund të shoqërohen me ndryshime plotësisht të pakthyeshme në përbërjen e florës dhe të faunës.
ARGUMENTI 2: Shkelja e ligjeve dhe konventave të nënshkruara
Studimi tregon për një rrezik të lartë të zhdukjes lokale për shkak të HEC-it të planifikuar. Kjo nuk është vetëm e kufizuar në zonën e vetë të projektit, por gjithashtu përfshin pjesët në rrjedhën e poshtme të Lumit dhe deltën Vjosë-Nartë. Me kusht që Shqipëria të jetë në përputhje me kërkesat e procesit të integrimit në Bashkimin Europian, ajo duhet të përafrojë dhe zbatojë legjislacionin e saj kombëtar dhe procedurat e vlerësimit me legjislacionin dhe rregullat e Bashkimit Europian. Në mënyrë të përmbledhur, 870 ha habitate lumore që bëjnë pjesë në Direktivën e Habitateve të BE do të zhduken drejtpërdrejt në zonën e rezervuarit të HEC-it. Për më tepër, të paktën 2800 ha habitate të Direktivës së Habitateve do të ndikohen drejtpërdrejt në rrjedhën e poshtme të digës nga morfodinamika e reduktuar; mund të pritet dhe humbja afatgjatë e habitateve nën mbrojtje. Në këtë mënyrë, 39 specie bëjnë pjesë në llojet e kërcënuara sipas IUCN dhe 119 janë në Listën e Kuqe Shqiptare (2013), ku 15 dhe 74 lloje përkatësisht, bëjnë pjesë në kategoritë e llojeve të kërcënuara. Gjithsej 148 specie renditen në Aneksin 1–3 të Konventës së Bernës, 41 lloje në Direktivën e Shpendëve dhe 78 lloje në Direktivën e Habitateve. Një vlerësim i mbështetur në gjykimin e ekspertëve zbuloi se shumë prej specieve të renditura në këto Direktiva dhe Konventa do të ndikoheshin rëndë nga HEC-i, duke filluar nga zvogëlimi i popullatave në shkallë të vogël deri në zhdukjen lokale, apo edhe me pasoja më të rënda.
Përveç kësaj, duhet të merren parasysh shumë Direktiva të tjera, si Direktiva Europiane e Ngjalave. Shumë specie të mbrojtura ndërkombëtarisht që preken, qeveria shqiptare ka përgjegjësinë t’i mbrojë për shkak të nënshkrimit të marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare dhe kombëtare. Për këtë, duhet kujdeset jo vetëm për popullatat e specieve që preken në Shqipëri, por dhe ato të vendeve fqinje, për të parandaluar jo vetëm zhdukjen kombëtare, por dhe më e gjerë. Një shembull tjetër është Konventa Espoo, e cila kërkon nga një shtet të hetojë dhe vlerësojë ndikimet mjedisore të projektit që synon të zbatojë edhe në shtetet fqinje; nëse një projekt ka të ngjarë të ketë ndikim të rëndësishëm të pafavorshëm ndërkufitar në mjedis. Ndikimet e rënda të parashikuara në Raportin e ekspertëve europianë, me humbje të qëndrueshme dhe të pariparueshme, në asnjë rrethanë nuk mund të lejojnë një vlerësim pozitiv të Projektit të Kalivaçit (dhe / ose Poçemit). Një qëndrim kundërshtues do të ishte jo në përputhje me interesin publik, dhe do të mohonte zgjidhjet alternative, ndryshe nga ndërtimi i HEC-eve.
Argumenti 3: Kosto të larta ekonomike për shkak të problemeve lidhur me sedimentet
Llogaritjet me kujdes të sasisë së sedimenteve tregojnë se rezervuarët e Vjosës do të mbusheshin me sedimente brenda 30-40 viteve në Poçem dhe për 45-60 vjet në Kalivaç. Rezervuari i Kalivaçit do të mbushej vazhdimisht me sedimente, duke çuar në një humbje prej 2% të potencialit të energjisë çdo vit. Pas 20 vitesh, HEC-it do t’i mungonte 40% e kapacitetit të tij fillestar. Për të kapërcyer këto humbje, do të ishte i nevojshëm pastrimi nga sedimentet që nga viti i parë i punës. Për shkak të mungesës së sedimenteve në rrjedhën e poshtme të digës, shtrati i lumit Vjosë do të gërryhej progresivisht më thellë, duke ulur gjithashtu edhe nivelin e ujërave nëntokësorë. Erozioni bregdetar (lagunor) do të rritej për shkak të mungesës së transportit të sedimenteve. Kjo do të pasohej nga degradimi ekologjik dhe humbje në turizmin bregdetar, si dhe ekoturizmin në pellgun ujëmbledhës të Vjosës. Prandaj, mund të konkludohet se ndërtimi i digave dhe rezervuarëve në këtë lumë të veçantë, dhe veçanërisht në këtë pjesë të sistemit lumor (me shtrat lumor të gjerë dhe ngarkesë të lartë sedimentesh), është i rrezikshëm për sa i përket prodhimit të energjisë dhe përfitimit.
Në Vendimin 10 të Këshillit Kombëtar të Territorit (28.12.2020), ‘Për Miratimin e Kufijve të Zonave të Mbrojtura’, peizazhi lumor i gjithë Vjosës nga delta deri në kufirin grek (gjithsej 7989.5 ha) u shpall Park Natyror/Rezervë Natyrore e Menaxhuar (Kategoria IV sipas IUCN). Një kategori e tillë nuk mjafton për një mbrojtje përfundimtare të Lumit nga ndërtimi i HEC-eve, por gjithsesi është një hap në drejtimin e duhur. Hap tjetër i rëndësishëm do ishte që këtu të përfshiheshin edhe degët lumore, si Shushica dhe Bënça. Por ne si ekspertë vendas dhe të huaj, dhe gjithë forcat mjedisore do të vazhdojmë të këmbëngulim që i gjithë peizazhi lumor i Vjosës dhe i degëve të tij të shpallen Park Kombëtar (Kategoria II sipas IUCN), për një mbrojtje përfundimtare afatgjatë të këtij Lumi me vlera të veçanta jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë Europën.
* Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. e-mail:al********@fs**.al