Nga Roland Qafoku
Nuk kam qenë kurrë në një mendje me ata që thonë se Lulzim Basha është një marionetë e Sali Berishës. Kam besuar fort se Lulzim Basha është jo vetëm i mbështeturi, por një produkt ekskluziv i Sali Berishës për të qenë në krye të PD. Por që në momentin kur Basha u zgjodh kryetar i partisë, Sali Berisha vërtetë nuk hoqi kurrë dorë nga Sali Berisha, por nga Lulzim Basha po. Përgjatë këtyre tetë viteve, marrëdhënia mes tyre është endur vërtetë si babai me djalin, ose më saktë mes dy miqve me diferencë moshe prej 30 vjetësh që bëjnë të njëjtën profesion, por duke qenë të brezave të ndryshëm rrallë kanë parë pika takimi.
E vërtetë është që Lulzim Basha kurrë nuk e “vrau” babain e tij politik, por as Sali Berisha nuk e ndaloi kurrë ta “vrasë” atë. Nuk rezulton që Berisha t’i ketë imponuar Bashës qoftë edhe një vendim të rëndësishëm të marrë si kryetar i Partisë Demokratike. Sigurisht që graviteti e Sali Berishës në PD ka qenë i madh për shkak të peshës në historinë e saj dhe në gjithë politikën shqiptare, por nuk konstatohet qoftë një rast të vetëm që Berisha ta ketë “urdhëruar” djalin e tij politik se çduhet të bënte. Të dy e kanë pohuar me gojën e vet se si djegia e mandateve të deputetëve dhe mosfutja në zgjedhjet lokale të vitit 2019 kanë qenë vendime ekskluzive të Lulzim Bashës. Mes tyre vërtetë ka ekzistuar një raport i çuditshëm. Kjo edhe për faktin se Berisha ka qenë një lloj opozite më vete. Denoncimet e tij me qytetarin digjital, deklaratat e bëra nëpër emisione të ndryshme dhe ajo që prodhonte ai në politikë, shpesh kanë zhvendosur edhe vetë gravitetin e opozitës, por kjo nuk do të thoshte automatikisht se ai jepte urdhra nga zyra e vetë te ABA Center për në selinë e PD-së.
Mes Bashës dhe Berishës edhe ka patur raport politik, por edhe nuk kishte. Por, më realja është se më shumë dukej si një miqësi se sa një ndikim. Ka qenë vërtetë një miqësi, por që tashmë nuk duket të jetë më e tillë. Kohët e fundit vihet re një raport krejt ndryshe mes tyre. Nuk e rregulloi këtë raport as lajmi i çuditshëm që nuk dihet nëse ka ndodhur dhe si ka ndodhur që ditën e votimit për kryetar, pra më 13 qershor, Sali Berisha i ka shkuar në zyrë Lulzim Bashës dhe kjo është marrë për mbështetje ndaj tij. Në fakt, jo vetëm që nuk rezulton kështu, por një kafe me shumë persona të Berishës, mes tyre dhe Bashës është marrë si një takim kokë më kokë gjë që është shumë larg. Ndërkohë deklarata e Arben Imamit se dosjen për shpalljen non grata të Berishës e ka përgatitur Lulzim Basha e komplikon aq shumë këtë marrëdhënie saqë pritet të ketë pasoja brenda PD.
Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë? A janë marrëdhëniet e Berishës me Lulzim Bashën normale si më parë? Përse Berisha ka hedhur opsionin e një kthimi të mundshëm në krye të PD? Dhe çfarë do të sillte kjo nëse do ndodhë? Deri ditën që sekretari i Shtetit Antony Blinken bëri publike shpalljen non grata ndaj tij, Sali Berisha kishte bërë vetëm dy kritika ndaj Bashës me vlerën e pickimit të një mushkonje. E para pas zgjedhjeve parlamenare të vitit 2017 kur tha: Këshilltarët e Bashës ishin mizerabël. Kritikën e dytë e bëri në shtator 2018 pas protestës së banorëve tw Kukësit për vendosjen e traut në autostradën Durrës-Kukës-Morinë dhe kalimin e saj me pagesë kur tha: Strukturat e PD dolën jashtë loje nga kjo protestë. Por këto ishin deklarata që në një farë mënyre e ndihmonin Bashën. Tani ia kanë lënë vendin deklaratave që kanë fuqinë e një parauragani.
Duket se qendrimi që Basha ka mbajtur për Berishën pasi ai u shpall non grata rezulton të jetë pika e kthesës. Sinjalin e parë të pakënaqësisë ndaj Bashës Berisha e tregoi më 10 qershor kur në emisionin “Çim Peka live” deklaroi se mund të kthehej sërish në Partinë Demokratike si kryetar i saj. “Kurrë mos thuaj kurrë. Never say never. E kam përdorur me Ramiz Alinë dhe e përdor prapë, pasi sot kam ndërruar rrugë dhe po i heq të gjitha pengesat e mia. Nuk përjashtoj asnjë të drejtë time kushtetuese më”. Duhet të jetë tronditur jo pak Lulzim Basha pas kësaj deklarate. Çfarë kishte ndodhur në fakt? Përse Berisha ndryshoi qendrim për largimin e tij nga drejtimi i PD? Sigurisht që nuk ka gjë më të fortë në këtë kthim të mundshëm se sa pakënaqësia ndaj Lulzim Bashës. Po këtë ditë, më 10 qershor, në faqen e tij në facebook Berisha publikoi një video me vizitën e presidentit amerikan George Bush në Tiranë më 10 qershor 2007. Më shumë kjo video kishte mesazhin e koduar që jo vetëm marrëdhëniet e mia me SHBA kanë qenë të shkëlqyera porse asnjë nga ato që Basha trumpetonte gjatë fushës së zgjedhjeve të 25 prillit nuk ishin meritë e tij. Basha arritit që ta
mbështeste fushatën në punët që në fakt i kishte bërë Berisha si ndërtimin e rrugës së kombit, anëtarësimi në NATO, heqjen e vizave dhe vizitën e presidentit Bush në Tiranë. Por me këtë video Berisha ia hoqi këtë të drejtë. Po pse ndërroi kurs qendrimi i Berishës? Duket qartë se gjithçka ndryshoi pas deklaratën e Lulzim Bashës për vendimin e Blinken që nuk ishte as mish e as peshk. Deklaroi Basha për Berishën non grata më 19 maj: “U njoha me keqardhje me vendimin e Sekretarit të Shtetit për ish Presidentin dhe ish kryeministrin Sali Berisha. Në fakt edhe ata që janë armiq politik të Berishës u tronditën, ndërsa Basha thjesht kishte ndjerë keqardhje”.
Një deklaratë që në rastin më të mirë mund të quhet e matur, e kujdesshme, por edhe plot frikë dhe në rastin më të keq Basha ndjehet i tronditur jo për vendimin e Blinken, por se si do ta priste Berisha qendrimin e Bashës pas vendimit të Blinken. Dhe deklarata e Bashës mbyllet me një gafë qw tregon pasigurinë e tij: Partia Demokratike është e vendosur të vazhdojë pa asnjë kompromis luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në dobi të demokracisë, shtetit të së drejtës, transparencës dhe mirëqenies së Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Se çfarë lidhje ka kjo me Berishën, vetëm Basha e kupton. Mjafton që këtë qendrim të Bashës ta krahasosh me deklaratën me mbështetje të plotë të presidentit Ilir Meta. Berisha shkoi më tej më 16 qershor kur publikoi në faqen e vet në facebook një video nga fjalimi tij në 25 vjetorin e themelimit të PD në dhjetor 2016. Ishte si një thirrje dhe një mesazh i koduar:
“Sikur edhe një mijë të mbeti, do të mbetem njëri prej jush. Sikur 100 të mbeti, do mbetem njëri prej jush. Sikur vetëm një të mbeti, do jem njëri prej jush. Rroftë Partia Demokratikie! Zoti i bekoftë demokratët! Zoti bekoftë Shqipërinë, flamuri e saj, shqiptarët kudo që janë”. Më shumë se thirrja entuziasmi i krijuar dhe pjesmarrja janë epike gjë që I tregojnë Bashës se çmund të bëjë por u tregone dhe demokratëve se vetëm ai mund ti rikthejë ata. Që marrëdhëniet mes Berishës dhe Bashës kanë një rrjedhë tjetër u duket edhe më qartë më 13 qershor kur Berisha publikoi në faqe një pjesë të fjalimit të tij të mbajtur në 25 vjetorin e themelimit të PD kur huazoi thënien e famshme të John Kennedy-t: “Të mos presim asnjë orë, asnjë ditë, se çfarë po bëjnë shqiptarët. Por të shsohim se çfarë po bëjmë vetë për ti inkurajuar ata. Për ti orgazuar ata. Përt ti mbeodhur ata. Për t’u kthyer atyre shpresën, besimin se Shqipëria, e bukura e dheut, nuk meriton të largohemi, por meriton të punojmë, të punojmë me guxim të madh”.
Katër ditë më vonë, më 17 qershor, kjo marrëdhënie e nderë u përforcua nga publikimi në facebook të Berishës të qendrimit të Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”. Kurrë nuk kishte ndodhur që Berisha të bënte share një deklaratë në favor të tij. Këtë nuk e kishte bërë as me deklaratën e Bashës. Por me “Vatrën” ndryshoi puna: Ja një pjesë e saj:
“Federata Pan-Shqiptare e Amerikës, Vatra, e ka ndjekur me shqetësim të madh shpalljen e dr. Sali Berishës, person “non grata” nga kreu i Departamentit të Shtetit Amerikan. Kjo për arsye se në fundin e viteve ’90 ishte Dr. Sali Berisha ai që u ngrit kundër regjimit komunist, i cili kishte ekzekutuar, burgosur dhe internuar me mijëra shqiptarë, thjesht dhe vetëm pse ne, të afërmit e tyre, kishim
ikur nga diktatura dhe ishim vendosur këtu në Amerikë. Akuzat ndaj një miku të shqiptaro-amerikanevë e veçanërisht të vatranëve, siç është Dr. Berisha, pas tetë vitesh në pension, dhe pa asnjë bazë ligjore, pa asnjë evidencë apo prove konkrete, pa asnjë akt padi të ngritur në jetën e tij, na kanë shqetësuar pa masë. Anëtarët e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, kudo që jetojnë në të gjitha anët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do t’u kërkojnë përfaqësuesve të popullit amerikan, për të cilët ata kanë votuar, që të ngrenë këtë problem me të drejtën e tyre që kanë për t’i kërkuar shpjegime administratës së z. Biden të argumentojnë me fakte vërtetësinë e akuzave që kanë sjellë një masë të tillë kaq ekstreme. Në të kundërt ata duhet të lirojnë Dr. Berishën nga barra e një përgjegjësie morale e cila nuk i përket vetëm atij dhe nuk i nderon as ata që e kanë aplikuar atë, nëse nuk kanë fakte”.
Por nuk mbaron këtu fakti që marrëdhënia mes Berishës dhe Bashës është vërtëtë e nderë. Më 14 qershor Berisha postoi një video 2 minuta e 14 sekonda që tregonte mitigun që ai si kryetar i PD dhe kryeministër në detyrë kreu në Korçë në vitin 2009 si për të kujtuar se vetëm ai mund ta organizojë, motivojë dhe sensibilizojë aq masivisht PD-në. Me premtimin që të heqin vizat me dy vitet e para të mandait të dytë, një premtim që ai në realitet e mbajti. Mes një ovacioni nga ato tipike që pritej Berisha, ish kryeministri kujtoi edhe një herë se si ishte PD në kohën që e drejtonte ai. Më 13 qershor Berisha postoi në faqe votimin që bëri në PD duke e shoqëruar me një deklarata që çdo përgjigje nga pyetjet e gazetarëve ishte lajm. Ishte dita e zgjedhjeve për kryetar në PD dhe dalja live dhe protagonistit pothuajse e zhvendosi qendrën e gravitetit. I pyetur nëse do kthehej në PD Berisha tha: “Unë jam konsistent në deklaratat e mia”. Një konsistencë që më shumë tregon se mes tij dhe Lulzim Bashës jo vetëm që nuk ka miqësi, por kjo miqësi duket hapur e tradhëtuar. Tani mbetet të shohin vetëm pasojat. Dhe Berisha mbetet edhe këtu konsistent.