Nga Lorenc Vangjeli
Drejtuesi i opozitës shqiptare, sipas dyshimit të policisë, ka kryer vepër penale në datën 24 shkurt, vetëm 24 orë më pak se të shtatat e protestës së opozitës në bulevard. Ai ka thënë siç e dëgjoi “live” gjithë dynjaja: Doni luftë, luftë do të keni! Shpojuani gomat, thyejuani xhamat…!”. Çka sipas nenit më të butë të akuzës, është thirrje për kryengritje kundër rendit kushtetues. Pjesa tjetër e akuzës, do të mund të hetonte nëse ka pasur veprime apo thirrje për sigurimin e armëve, që nga gozhdat apo kaçavidat që do të përdoreshin për të çpuar gomat e makinave dhe gurët e tullat që do të nevojiteshin për të thyer xhamat e dritareve zyrtare në Tiranë. Një nen tjetër që e çon burgun deri në dhjetë vjet.
Që në mbrëmjen e të njëjtës mesdite dhe më pas, deputetë të partisë demokratike, e komentuan ndryshe edhe tonin, edhe fjalët, edhe fjalët e thënë me ton luftarak nga kryetari i tyre. Ata – Aldo Bumçi i pari – pranuan dhe insistuan se bëhej fjalë përt metafora dhe fjalim metaforik. Një poet nën çadër, si Preç Zogaj, gjithmonë i pranishëm dhe i rëndësishëm në protestat e opozitave në Shqipëri, pavarësisht ngjyrave të tyre, nuk e ka përdorur kurrë as tonin, as fjalët dhe as këtë lloj metafore. Pavarësisht se metaforat janë “mjet punë” për poetët, edhe kur ata merren me politikë. Në të kundërt, politikanët profesionistë që përgjithësisht nuk janë poetë, kanë folur gjithmonë si poetë romantikë kur kanë qenë në pushtet dhe si poetë epikë, me gjëmime, vegime e kamzhikime kur kanë qenë në opozitë. Fan Noli, për shembull, është një shembull i tillë, që nuk ka bërë asnjëherë “bis” në Tiranën e djeshme dhe të sotme.
Teorikisht, këto ditë, për çështjen “Shteti kundër Bashës”, ka nisur dhembja e kokës. Në fillim është bërë me dhembje koke organi i akuzës. Nuk duhet më shumë se një semestër e gjysëm shkollë juridike për të kuptuar se së paku neni 223 i Kodit Penal dhe zoti Basha krijuan një marrëdhënie të veçantë: zoti Basha e ka shkelur atë. Prokurorit të dosjes së kryetarit të opozitës nuk do t’i duhej më shumë se një javë për ta mbyllur dosjen dhe për ta çuar në gjykatë, aty ku dhembja e kokës do të zerë trupin gjykues që do të gjykojë këtë rast. Që është bast mes akuzës publike dhe një të mire publike (siç është institucionalisht dhe jo thjesht një individ, kryetari i opozitës).
Nëse gjykatësit do të ishin të çliruar nga e keqja mbas vetting-ut dhe të ndershëm siç pritet të jenë mbasi të kenë kaluar në filtrin e verifikimit, asnjë nga ta nuk do të hezitonte ta dënonte zotin Basha me gjobë, burg e ndoshta dhe me ndonjë dënim plotësues. Po të njëjtën histori do të duhej ta verifikonte në të njëjtën mënyrë edhe gjykata e apelit, kurse në Gjykatën e Lartë, kolegji i bashkuar penal, mund të jepte dhe një vendim unifikues, sipas të cilit, thirrjet për ndryshim me dhunë të rendit kushtetues dënohen kurdoherë jo vetëm me mëri publike, por dhe me heqje lirie dhe të të drejtave publike. Ky vendim do të nxirrte njëherë e mirë “jashtë ligjit” gjithë ata politikanë të majtë e të djathtë, që çdo javë flasin për beteja finale. Lulzim Basha, më paqësori ndër luftëtarët e politikës, do të ishte kurbani perfekt për një Shqipëri pa politikanë të tillë, që janë luftëtarë në salla kuvendi dhe murgjër paqësorë kur kërcet vërtet beteja.
Ky do të ishte terreni ideal i rrëshqitjes së ngjarjeve nëse drejtësia do të ishte e verbër. Ashtu siç është e vizatuar si tekst dhe jo si frymë. Si shpresë dhe jo si realitet. Si shkencë dhe jo si perceptim. Më pas si rrjedhojë e rrëshqitjes, qeverisja e sotme, teorikisht do ta kishte më të lehtë betejën elektorale në qershor me një kryetar opozite nën akuzë e ndoshta edhe në qeli. Për kontrast me këtë gjë, edhe opozita do ta kishte praktikisht më të lehtë betejën me qeverisjen me kryetarin e saj nën akuzë e ndoshta në qeli sipas parimit: ndonjëherë, për ndëshkim dhe ekuilibrim, njerëzia bëhen me më të dobtin për të ndëshkuar epërsinë e më të fortit.
Nuk ka asnjë gjasë që të ndodhë kështu! Shakatë më të suksesshme janë ato që thuhen seriozisht. E reformuar apo jo, prokuroria dhe gjykata, nuk do të ndërmarrin asnjë masë ligjore ndaj zotit Basha. Dosja do të qëndrojë në prokurori deri përtej qershorit. Nëse ndonjëherë prokurori i çështjes do t’i dërgojë Bashës fletthirrje për të dhënë shpjegime në prokurori, ai do të shkojë me qejf në rrugën e Brakës, me një turmë mbështetësisht për ta bërë miting edhe seancën e pyetjeve. Për të vajtur dosja në gjykatë as nuk diskutohet dhe as nuk e vë kush në diskutim.
Mbas qershorit kjo histori do të harrohet. Nga policia, nga prokuroria e nga gjykata. Sepse askush nuk e ka seriozisht. E vetmja gjë serioze është përpjekja për të vënë gjuhën në pranga dhe instiktet në frena; është përpjekja për të vënë edhe gjuhën e opozitës, edhe instiktin e pushtetit brenda kufinjve të lejueshëm moralë. Si e vetmja mënyrë për të nxitur fillimin e fundit të padurimit për të mbërritur në fundin nga ku nis një fillim i ri dhe i ndryshëm.
Votimet nuk janë festë e demokracisë në Shqipëri. Edhe këto të qershorit në prag nuk do të jenë të tilla. Votimet janë ende pragu që i ndan politikanët shqiptarë në dy lloj poetësh: romantikë në pushtet dhe epikë në opozitë. Për këtë arsye Lulzim Basha nuk ka faj! Eshtë roli i epikut që i ka rënë atij të luajë në bulevard kësaj here. Para tij e kanë bërë të tjerë dhe të tjerë do ta bëjnë edhe pas tij. Me rradhë paska qenë kjo punë!